Pronari i "Puls", Dejan Jovanov: Asnjëherë nuk do të lejoja të mungonte diçka në klubin ku janë mbledhur të gjithë të rinjtë dhe fëmijët e mi
- Deri sot ende çuditem dhe nuk mund ta besoj atë që ndodhi atë mbrëmje. Për plot nëntë muaj kam qenë i mbyllur brenda katër mureve dhe çdo ditë e përjetoj atë natë tragjike. Unë, si njeri dhe si prind, në një klub ku mblidhen të gjithë të rinjtë dhe fëmijët e mi, kurrë nuk do të lejoja të mungonte diçka, deklaroi pronari i "Puls", Dejan Jovanov, në fjalimin hyrës në seancën e sotme në sallën e gjykatës në Idrizovë.
Shkup, 2 dhjetor 2025 (MIA) - Deri sot ende çuditem dhe nuk mund ta besoj atë që ndodhi atë mbrëmje. Për plot nëntë muaj kam qenë i mbyllur brenda katër mureve dhe çdo ditë e përjetoj atë natë tragjike. Unë, si njeri dhe si prind, në një klub ku mblidhen të gjithë të rinjtë dhe fëmijët e mi, kurrë nuk do të lejoja të mungonte diçka, deklaroi pronari i "Puls", Dejan Jovanov, në fjalimin hyrës në seancën e sotme në sallën e gjykatës në Idrizovë.
Jovanov, i cili më parë deklaroi se nuk ndjehet fajtor, shprehu ngushëllime, duke shtuar se e njeh dhimbjen dhe trishtimin e të ndjerëve dhe të afërmve të tyre, pasi edhe ai, siç tha, ka një anëtar të familjes viktimë.
Jovanov pyet pse është akuzuar dhe djali i tij, Mihajlo Jovanov.
"Dhe një gjë tjetër nuk e kam të qartë – pse Mihajlo është i akuzuar, sepse ai nuk kishte asnjë lidhje me punën e klubit. Ai kishte firmën e tij të shpërndarjes dhe kryente detyrat e punës. Faleminderit për mundësinë për t'u shprehur", tha Jovanov.
Para fjalimit të tij, foli edhe mbrojtësja e tij, Ivana Kocevska, e cila theksoi se i akuzuari po ngarkohet padrejtësisht për mangësitë institucionale.
Ajo shtoi se mbrojtja do t'i sqarojë gjykatës të gjitha veprimet e paqarta të përshkruara në aktakuzë.
Mbrojtësja theksoi se Jovanov mund të përgjigjet eventualisht për një vepër penale nga pakujdesia, por jo me qëllim, duke shtuar se piroteknika nuk ishte deklaruar tek ai dhe për të gjitha përdorimet e mëparshme gjithmonë kishte angazhuar një person të kualifikuar.
Më herët, të gjithë të pandehurit për zjarrin në diskotekën "Puls" në Koçan, ku humbën jetën 63 persona, ndësa mbi 200 u lënduan, deklaruan se nuk ndjehen fajtorë për veprat, për të cilat ngarkohen. Një pjesë e tyre shprehën ngushëllime familjarëve dhe deklaruan se e kuptojnë aktakuzën, por megjithatë, nuk pranuan fajin për "vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme".
Gjykimi vazhdoi me fjalën hyrëse të mbrojtësit të të akuzuarit, pronarit të MMMM Kafe, Mitko Stojanov, dhe të punonjësit të sigurimit, Stojanço Dimitriev.
Prokuroria, e përfaqësuar nga një ekip prej 15 të prokurorëve paralajmëroi se dëshmitë do të tregojnë se klubi "Puls" ka qenë kurth vdekjeprurës nga vetë fillimi, rezultat i neglizhencës sistematike dhe lëshimeve institucionale.
Në bankën e pandehurve janë ulur 37 të të akuzuar - pronarë, menaxherë, inspektorë, ish-kryetarë komunash, sigurim dhe nënpunës shtetërorë. qa/
Foto: MIA