Princi i kurorës saudite në Uashington: Takim me Trampin për marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet rajonale
- Princi i kurorës saudite Mohamed bin Salman udhëton nga Riadi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që është vizita e tij e parë në Uashington pas vrasjes së gazetarit saudit Xhamal Kashogi në vitin 2018, e cila e ka vendosur trashëgimtarin e fronit nën një mbikëqyrje të fortë globale, raportoi DPA.
Riad, 18 nëntor 2025 (MIA) - Princi i kurorës saudite Mohamed bin Salman udhëton nga Riadi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që është vizita e tij e parë në Uashington pas vrasjes së gazetarit saudit Xhamal Kashogi në vitin 2018, e cila e ka vendosur trashëgimtarin e fronit nën një mbikëqyrje të fortë globale, raportoi DPA.
Pallati mbretëror në një kumtesë, të transmetuar nga Agjencia saudite për shtyp (SPA), citoi se vizita vjen pas direktivave të mbretit Salman dhe ftesës së presidentit amerikan.
Princi i kurorës do të takohet me presidentin Donald Tramp, "për të biseduar për marrëdhëniet dypalëshe dhe mënyrat e përforcimit të tyre në fusha të ndryshme, si dhe për çështje nga interesi i ndërsjellë".
Mohamed e udhëheq delegacionin të cilin e përbëjnë ministrat e punëve të jashtme, energjetikës dhe financave, guvernatori i Fondit Publik të Investimeve (PIF), fondi sovran i mbretërisë, si dhe një numër i madh biznesmenësh, deklaruan burime për DPA.
De fakto sundimtari i mbretërisë, i cili njihet gjerësisht si MBS, është caktuar të takohet me Trampin sot në Shtëpinë e Bardhë.
Trampi kohë më parë para gazetarëve e paralajmëroi vizitën e princit. "Ne e nderojmë Arabinë Saudite", tha Trampi dhe shtoi se e shqyrton kërkesën e Arabisë Saudite për blerjen e aeroplanëve luftarak F-35.
Ai, gjtihashtu, theksoi se normalizimi i Arabisë Saudite me Izraelin "do të jetë pjesë" e bisedave mes të dyve.
Trampi do të dëshironte që Arabia Saudite të përfshihet në Marrëveshjet e Abrahamit, me të cilën në vitin 2020 Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) e hapën rrugën që vendet tjera të vendosin lidhje diplomatike me Izraelin.
Monarkia e pasur me naftë thotë se është e hapur për afrim me Izraelin, por ky veprim është i kushtëzuar nga një plan veprimi për shtetësinë palestineze.
Takimi i sotëm do të jetë vizita e parë e Mohamedit në Shtëpinë e Bardhë që nga marsi i vitit 2018, kur ai u takua me Trampin gjatë mandatit të tij të parë.
Në tetor të vitit 2018, vrasja e kritikut saudit me bazë në SHBA, Xhamal Kashogi, në konsullatën saudite në Stamboll shkaktoi zemërim global dhe e la MBS kryesisht të izoluar nga Perëndimi për disa vite, raportoi DPA.
Mbretëria ishte ndalesa e parë zyrtare e Trampit jashtë vendit gjatë administratës së tij të parë dhe të dytë. sa/
foto: DPA arkivi