Presidenti polak konsideron se Varshava duhet të fillojë programin e saj bërthamor
- Polonia duhet të zhvillojë programin e saj të armëve bërthamore në përgjigje të kërcënimit të drejtpërdrejtë që paraqet Rusia për sigurinë e saj, konsideron presidenti polak Karol Navrocki.
Varshavë, 16 shkurt 2026 (MIA) - Polonia duhet të zhvillojë programin e saj të armëve bërthamore në përgjigje të kërcënimit të drejtpërdrejtë që paraqet Rusia për sigurinë e saj, konsideron presidenti polak Karol Navrocki.
"Rruga drejt kaçaciteteve bërthamore polake, me respekt të plotë për të drejtën ndërkombëtare, është drejtimi që duhet të ndjekim", tha Nacrocki mbrëmë në një intervistë me televizionin "Polsat njuz".
Si komandant i suprem i forcave të armatosura, Navrocki e justifikon iniciativën e tij me pozicionin gjeostrategjik të vendit. Polonia kufizohet me Ukrainën, e cila mbrohet nga agresioni rus për gati katër vjet, dhe Bjellorusinë pro-ruse.
Prandaj, Polonia duhet të forcojë sigurinë e saj me armë bërthamore, konsideron politikani konservator.
I pyetur për reagimin e mundshëm të Moskës ndaj një iniciative të tillë, Navrocki tha se "Rusia mund të reagojë në mënyrë agresive ndaj çdo gjëje".
Me këtë deklaratë, Navrocki shkoi një hap më tej se paraardhësi dhe aleati i tij ideologjik Andzhej Duda, i cili në vitin 2024 propozoi pjesëmarrjen e Polonisë në programin e NATO-s "Ndarja e armëve bërthamore", i cili do të vendoste armë bërthamore amerikane në territorin polak.
Presidenti polak ka theksuar prej kohësh se Polonia duhet të mbështetet kryesisht në forcat e veta, prandaj ai mbështet zhvillimin e një programi të brendshëm, shkruajnë mediat britanike.
NATO paraprakisht ka njoftuar se nuk ka plane për të zgjeruar më tej vendosjen e arsenalit të saj bërthamor. ShBA nuk zbulon se ku i ruajnë kokat e tyre bërthamore, por jozyrtarisht besohet se ato janë në Gjermani, Itali, Belgjikë, Holandë dhe Turqi, shtojnë mediat britanike.
Navrocki, një historian i cili deri në vitin 2021 drejtoi Muzeun e Luftës së Dytë Botërore në Gdanjsk, është njohur prej kohësh për publikun polak si një kritik i fortë i imperializmit rus dhe sovjetik. Për vite me radhë, ai ishte gjithashtu drejtor i Institutit të Kujtimit Kombëtar (IPN), një institucion shtetëror që heton krimet totalitare.
Foto: Arkivi i MIA-s