Palestinezët në Gazë reagojnë ashpër ndaj komenteve të Trampit: Kjo është toka jonë
- Banorët e Gazës kanë reaguar ashpër ndaj komenteve të presidentit amerikan Donald Tramp për "marrjen" e mundshme të Gazës dhe zhvendosjen e palestinezëve.

Gazë, 5 shkurt 2025 (MIA) - Banorët e Gazës kanë reaguar ashpër ndaj komenteve të presidentit amerikan Donald Tramp për "marrjen" e mundshme të Gazës dhe zhvendosjen e palestinezëve.
Xhamalat Vadi për Bi-Bi-Si deklaroi se nuk u kushton vëmendje deklaratave të Trampit, por se prioritet i saj është rindërtimi i shtëpisë së saj. "Pres të rinovoj shtëpinë tonë dhe të jetoj në të, ndërsa as Trampi dhe askush tjetër nuk ka rëndësi për ne", tha ajo. Ajo shtoi se palestinezët nuk do të largohen nga Gaza pa marrë parasysh gjithçka. "Nuk do ta lëshojmë Gazën dhe nuk do të dorëzohemi nga ajo". Do të jetojmë në rrënojat tona sikur të mos kishte ndodhur asgjë, ndërsa Gaza do të rindërtohet".
Mahmud Bahxhat shprehu shqetësim për komentet e Trampit, duke shpresuar se vendet arabe do ta refuzonin një ide të tillë. "Ky është vendi ynë dhe ne nuk mund të jetojmë askund tjetër përveç se në Gazë. Gaza është toka jonë, ne jemi rritur këtu, si mund ta lëshojmë atë? Ne jemi kundër vendimit të Trampit. Ai e përfundoi luftën, por shpërngulja do t'i japë fund jetës tonë".
Ndërkohë, edhe Egjipti ka hedhur poshtë propozimin për zhvendosjen e palestinezëve. Ministri i Punëve të Jashtme të Egjiptit, Badr Abdelati sot deklaroi se palestinezët nuk duhet të largohen nga Gaza.
Ai ia transmetoi këtë mesazh kryeministrit të autoriteteve palestineze Mohamed Mustafa gjatë një takimi vetëm disa orë pasi presidenti i SHBA-së Donald Tramp publikoi planet për të marrë nën kontroll Gazën, që shkaktoi kritika të gjera nga politikanët palestinezë dhe shtetet arabe.
Ministria e Punëve të Jashtme të Egjiptit theksoi rëndësinë e përshpejtimit të shpërndarjes së ndihmave humanitare, heqjes së rrënojave dhe fillimit të projekteve të rimëkëmbjes, duke bërë të qartë se palestinezët duhet të qëndrojnë në Gaza, duke pasur parasysh lidhjen e tyre me vendin dhe refuzimin e tyre për t'u zhvendosur me forcë.
Trampi më parë deklaroi se "secili me të cilin diskuton i pëlqen ideja që SHBA-ja të zotërojnë atë pjesë toke", duke iu referuar Gazës dhe shprehu shpresën se Jordania dhe Egjipti mund të pranojnë palestinezët e dëbuar nga enklava.
Megjithatë, vendet arabe kanë refuzuar prej kohësh çdo zhvendosje të detyruar të palestinezëve dhe kanë mbrojtur një zgjidhje me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez. rq/
Foto: arkivi i MIA-s