• сабота, 06 декември 2025

Pakistani dhe Afganistani thonë se bisedimet e paqes në Stamboll përfunduan pa marrëveshje

Pakistani dhe Afganistani thonë se bisedimet e paqes në Stamboll përfunduan pa marrëveshje

Islamabad, 8 nëntor 2025 (MIA) - Negociatat midis Pakistanit dhe Afganistanit për të zgjidhur mosmarrëveshjen e tyre kufitare kanë përfunduar pa ndonjë përparim, njoftuan sot të dyja palët, raportoi DPA.

Bisedimet në Stamboll, të cilat u zhvilluan me ndërprerje, të ndërmjetësuara nga Turqia dhe Katari, vazhduan në një raund të tretë të enjten.

"Negociatat kanë mbaruar", tha ministri i Mbrojtjes i Pakistanit, Khaxha Asif, për televizionin Geo News në një intervistë vonë mbrëmë.

Burime të sigurisë pakistaneze thanë sot se pala afgane ka refuzuar të nënshkruajë një marrëveshje me shkrim.

Qeveria talebane në Afganistan fajësoi për dështimin e negociatave "sjelljen e papërgjegjshme dhe jokonstruktive" të delegacionit pakistanez, sipas një deklarate nga zëdhënësi i qeverisë Zabihullah Muxhahid.

Delegacioni pakistanez “nuk ka treguar gatishmëri për të marrë përgjegjësi as për sigurinë e Afganistanit dhe as për të vetën", shkroi ai në X. Afganistani nuk do të "lejojë asnjë vend të përdorë territorin e tij… për të minuar sovranitetin, pavarësinë ose sigurinë e Afganistanit", shtoi Muxhahid.

Por ministri pakistanez i Informacionit, Ataulla Tarar, tha se "është përgjegjësi e Afganistanit të përmbushë detyrimet e tij të hershme ndërkombëtare, rajonale dhe dypalëshe në lidhje me kontrollin e terrorizmit, të cilat deri më tani nuk kanë arritur t'i bëjnë", shkroi ai në X.

Tregtia midis dy vendeve mbetet e pezulluar dhe pikat kryesore kufitare janë mbyllur për më shumë se tre javë. Vetëm refugjatët afganë lejohen të kalojnë kufirin, si pjesë e një përpjekjeje masive për t'i dëbuar ata nga Pakistani. Islamabadi ka riatdhesuar më shumë se 1.47 milion njerëz që nga viti 2023.

Tensionet midis dy vendeve janë rritur që nga sulmet ajrore pakistaneze në Kabul më 9 tetor dhe sulmet pasuese në territorin afgan. Dhjetëra ushtarë dhe civilë janë vrarë në përleshje në të dyja anët e kufirit. sa/

Остани поврзан