• петок, 12 декември 2025

Përmbytje të mëdha në Uashington, evakuohen dhjetëra mijëra banorë

Përmbytje të mëdha në Uashington, evakuohen dhjetëra mijëra banorë

Uashington, 12 dhjetor 2025 (MIA) - Shirat e rrëmbyeshëm kanë shkaktuar përmbytje të mëdha në shtetin amerikan të Uashingtonit, gjë që ka çuar në urdhra evakuimi për dhjetëra mijëra banorë.

Guvernatori Bob Ferguson bëri thirrje që popullata në zonat e prekura të ndjekë udhëzimet e autoriteteve lokale dhe të evakuohen. Besohet se deri në 100.000 banorë janë prekur nga urdhrat e evakuimit.

"E kuptoj që shumëkush në shtetin tonë ka përjetuar përmbytje të konsiderueshme në të kaluarën", tha Fergusoni në një postim në "X". "Megjithatë, po përballemi me një situatë historike, duke pritur 24 inç më shumë se niveli rekord i përmbytjeve", shtoi ai.

Fergusoni tha se më shumë se 30 autostrada kryesore janë të mbyllura për qarkullim. Guvernatori shpalli gjithashtu gjendje të jashtëzakonshme në mbarë shtetin për të mobilizuar shpejt resurset dhe personelin shtesë.

Garda kombëtare është vendosur për të ndihmuar në operacionet e shpëtimit në zonat e përmbytura. Helikopterë dhe anije u përdorën për të shpëtuar njerëzit. Dhjetëra lumenj kanë dalë nga shtrati, duke përmbytur qytete dhe toka bujqësore.

Shirat e rrëmbyeshëm në pjesën veriperëndimore të SHBA-së po shkaktohen nga një brez ajror ekstremisht i lagësht që mund të sjellë shi intensiv për ditë të tëra.

Foto: "X"

 

Остани поврзан