Orban: BE-ja është në gjendje shkatërrimi dhe po lëviz drejt luftës
- Kryeministri hungarez Viktor Orban, në një intervistë për Krishtlindje për gazetën hungareze “Maxhar Nemzet”, theksoi se nuk mund të përjashtohet mundësia që viti 2025 të jetë viti i fundit i paqes për Evropën.
Budapest, 24 dhjetor 2025 (MIA) - Kryeministri hungarez Viktor Orban, në një intervistë për Krishtlindje për gazetën hungareze “Maxhar Nemzet”, theksoi se nuk mund të përjashtohet mundësia që viti 2025 të jetë viti i fundit i paqes për Evropën.
"Jemi mësuar me paqen. Lufta e fundit e madhe evropiane përfundoi në vitin 1945 dhe kanë kaluar 80 vjet që atëherë. Në Evropë, kjo është një situatë jashtëzakonisht e rrallë", theksoi Orban.
Ai iu referua gjithashtu Samitit të BE-së në Bruksel, duke theksuar se Evropa aktualisht po i afrohet luftës.
"Javën e kaluar në Bruksel, arritëm vetëm të ngadalësojmë ritmin me të cilin Evropa po lëviz drejt luftës. Disa donin ta përshpejtonin këtë proces në shpejtësi të lartë, kurse ne arritëm ta bllokonim atë. Por ne nuk e ndaluam vetë procesin, vetëm parandaluam përshpejtimin e tij", tha Orban.
Sipas tij, Evropa është përsëri e ndarë.
"Në Evropë sot, përsëri ka dy kampe: kampi i luftës dhe kampi i paqes. Për momentin, mbizotërojnë forcat që mbështesin luftën. Brukseli dëshiron luftë. Hungaria dëshiron paqe", përsëriti Orban.
Sipas tij, përfshirja e Evropës në luftën në Ukrainë nuk ishte e pashmangshme.
"Në shkurt të vitit 2022, Evropa mund të kishte dërguar një mision paqeruajtës në Moskë dhe Kiev, në vend që ta shpallte këtë konflikt si luftë të vetën. Nëse kjo do të kishte ndodhur, ne nuk do të jetonim në hijen e luftës sot", theksoi kryeministri hungarez.
Orban kritikoi përsëri mënyrën se si Bashkimi Evropian merr vendime.
"BE-ja aktualisht është në një gjendje shpërbërjeje. Ne po dëshmojmë një proces shpërbërjeje që po zhvillohet paralelisht me forcimin e ambicieve imperiale të burokracisë së Brukselit", theksoi Orban.
Ai përmendi si shembull tranzicionin e gjelbër.
"Programi u njoftua kundër vullnetit të vendeve-anëtare dhe dëmtoi rëndë industrinë evropiane, veçanërisht industrinë kimike dhe prodhimin e automjeteve... Kur u bë e qartë se ishte e pamundur, ata u tërhoqën", theksoi ai, duke shtuar se e njëjta gjë po ndodh edhe me politikën e migracionit.
Orbani paralajmëroi se pa ndryshime të thella dhe reforma themelore, do të pasojë një proces i pakthyeshëm, domethënë, shpërbërja do të arrijë në një pikë pa kthim.
Ai përsëriti se Hungaria është kundër anëtarësimit të Ukrainës në BE.
"Sot, flitet se fuqia ushtarake e Ukrainës rrit sigurinë e Evropës, por kjo nuk është e vërtetë. Mbajtja e Ukrainës shterron energjinë dhe burimet e Evropës. Me Ukrainën, ne po dobësohemi çdo ditë", theksoi Orban.
Ai shtoi se edhe ekonomia hungareze po vuan për shkak të luftës dhe dobësimit të BE-së. Sipas tij, politika e sanksioneve të BE-së ka vrarë industrinë evropiane. mb/
Foto: EPA