• сабота, 22 февруари 2025

OBSH propozon buxhet më të vogël pas tërheqjes së SHBA-së

OBSH propozon buxhet më të vogël pas tërheqjes së SHBA-së

Gjenevë, 3 shkurt 2025 (MIA) - Vendet anëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) do të diskutojnë për zvogëlimin e një pjese të buxhetit të saj për 400 milionë dollarë, pasi presidenti amerikan Donald Tramp vendosi të tërheqë SHBA-në, donatorin më të madh të OBSH-së, nga agjencia, thuhet në dokumentin e publikuar sot.

Duke hapur takimin vjetor të bordit ekzekutiv të agjencisë, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adanom Gebrejesus mbrojti punën e agjencisë dhe reformat e fundit dhe përsëriti një thirrje për SHBA-në që të rishqyrtojnë tërheqjen e saj dhe të hyjnë në një dialog me OBSH-në për reforma të mëtejshme.

"Ne do të mirëpresim propozimet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjitha vendet anëtare se si mund t'ju shërbejmë më mirë juve dhe njerëzve të botës", tha ai.

Shkurtimi i buxhetit do të diskutohet në një takim në Gjenevë nga sot deri më 11 shkurt dhe përfaqësuesit e vendeve anëtare do të diskutojnë gjithashtu financimin dhe funksionimin e agjencisë për periudhën 2026-2027. Bordi ekzekutiv propozon reduktimin e një pjese të buxhetit për programet bazë nga 5.3 miliardë dollarë të propozuar në 4.9 miliardë dollarë, thuhet në dokument.

Është pjesë e një buxheti më të gjerë prej 7.5 miliardë dollarësh për periudhën 2026-2027 që u propozua fillimisht, i cili përfshin para për çrrënjosjen e poliomielitit dhe menaxhimin e krizave. Për shkak të largimit të financuesit më të madh, buxheti nuk mund të miratohej "si zakonisht", thuhet në dokument.

SHBA është donatori më i madh i OBSH-së midis vendeve, me rreth 18 për qind të financimit total. OBSH tashmë ka ndërmarrë veçmas disa hapa për të ulur kostot pas lëvizjes së SHBA-së.

Megjithatë, disa përfaqësues të bordit donin të dërgonin një mesazh se OBSH do të ruante drejtimin e saj strategjik pavarësisht sfidave, shtohet në dokument.  Ato 4.9 miliardë dollarë janë afërsisht njejtë me buxhetin e programit bazë për periudhën e mëparshme nga viti 2024 deri në vitin 2025.

Trampi vendosi ta tërheqë SHBA-në nga OBSH-ja në ditën e parë të detyrës së tij para dy javësh. Procesi do të zgjasë një vit sipas ligjit amerikan. sa/

foto: Arkivi i MIA-s

Остани поврзан