• сабота, 06 декември 2025

Numri i të vdekurve nga rrëzimi i një aeroplani mallrash në Kentaki rritet në 12 persona

Numri i të vdekurve nga rrëzimi i një aeroplani mallrash në Kentaki rritet në 12 persona

Uashington, 6 nëntor 2025 (MIA) - Numri i të vdekurve në rrëzimin e një aeroplani mallrash të kompanisë "UPS" në shtetin federal amerikan Kentaki është rritur në 12 persona, tha prefekti i Luisvilit, Kreg Grinberg.

"Tani mund të konfirmoj se ka 12 viktima", tha Grinberg për stacionin televiziv lokal WHAS, duke shtuar se tre prej tyre ishin anëtarë të ekuipazhit.

"Duke pasur parasysh atë që kemi parë, nuk do të më befasonte nëse numri i të vdekurve do të ishte më i lartë", tha prefekti, vetëm një orë pasi guvernatori i Kentakit, Andi Beshir, njoftoi se ekipet e shpëtimit po kalonin nga "faza e shpëtimit" në "fazën e rimëkëmbjes".

"Nuk kam parë kurrë diçka të tillë", tha Grinberg. "Një zonë gjysmë milje e gjatë e mbushur me metal të djegur dhe të përdredhur, ende pika të nxehta që digjen dhe tym, era... absolutisht shkatërruese", shpjegoi ai.

Beshir kishte thënë më parë se numri i të vdekurve pritej të arrinte në 12 dhe se midis tyre me siguri është edhe një fëmijë.

Më shumë se dhjetë persona u lënduan, disa prej tyre rëndë, me djegie, thithje tymi dhe lëndime nga shrapnelat.

Sipas Administratës Federale të Aviacionit (FAA), aeroplani McDonnell Douglas MD-11 u ngrit nga aeroporti "Muhamed Ali" në Luisvil rreth orës 17:15 (22:15 GMT) të martën, drejt Honolulut, në Havai.

Pak çaste më vonë, sipas video pamjeve nga vendi i ngjarjes, aeroplani u rrëzua dhe shpërtheu në një top zjarri të madh. Policia tha se u rrëzua rreth pesë kilometra në jug të aeroportit.

Shkaqet e aksidentit po hetohen nga Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit (NTSB).

Anëtari i bordit, Tod Inman, tha se kamerat e sigurisë së aeroportit treguan "motorin e majtë që ndahej nga krahu gjatë ngritjes".

Dy pajisje regjistrimi u gjetën në aeroplan - regjistruesi i zërit dhe regjistruesi i të dhënave të fluturimit, të njohura si "kutitë e zeza".

FAA njoftoi se aeroplani ishte i mbushur plotësisht me karburant për një fluturim prej gati 7,000 kilometrash nga Luisvil në Honolulu. Autoritetet thanë se vendi i rrëzimit ishte pranë një fabrike riciklimi dhe pjesësh automobilistike. sa/

Остани поврзан