Mucunski në Bruksel në takime me përfaqësuesit e lartë të BE-së, Kallas dhe Rute
- Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski prej sot e deri të mërkurën do të qëndrojë për vizitë pune në Bruksel. Vizita përfshin takime kushtuar procesit eurointegrues të vendit, si dhe pjesëmarrje në takimin e ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s.
Shkup, 1 dhjetor 2025 (MIA) - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski prej sot e deri të mërkurën do të qëndrojë për vizitë pune në Bruksel. Vizita përfshin takime kushtuar procesit eurointegrues të vendit, si dhe pjesëmarrje në takimin e ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s.
Në kuadër të vizitës, ministri Mucunski, së bashku me ministrin e Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani, do të takohen me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas. Takimi po mbahet në kontekstin e përkushtimit të vazhdueshëm të vendit ndaj procesit të integrimit evropian dhe angazhimit të përbashkët për të avancuar partneritetin me Unionin, veçanërisht në fushat e sigurisë dhe mbrojtjes.
Me ftesë të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Rute, Mucunski të mërkurën do të marrë pjesë në takimin e ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s, i cili do të mbahet më 3 dhjetor këtë vit në selinë e Aleancës në Bruksel.
"Takimi ministror do të jetë mundësi për të shkëmbyer qëndrime për implementimin e vendimeve nga Samiti i NATO-s në Hagë, me fokus në të ardhmen e Aleancës, përforcimin e aftësive individuale dhe kolektive, si dhe sigurimin e mbrojtjes dhe sigurisë efektive. Temë e pritur do të jetë mbështetja e vazhdueshme për Ukrainën, si dhe përgjigjet e përbashkëta ndaj sfidave aktuale të sigurisë, duke përfshirë aktivitetet destabilizuese të aktorëve të dëmshëm dhe konkurrentëve strategjikë që kërcënojnë arkitekturën ekzistuese të sigurisë dhe rendin ndërkombëtar", njofton Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme.
Gjatë qëndrimit të tij në Bruksel, është paraparë që ministri Mucunski të realizojë sërë takimesh dypalëshe. bsh/
Foto: MIA