Misioni vëzhgues i BE-së për zgjedhjet: Deklarata e Grenellit është ndërhyrje në zgjedhjet e Kosovës
- Shefja e Misionit të Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në Kosovë, Natali Loazo, theksoi sot se deklaratat e të dërguarit special të SHBA-së, Riçard Grenell, ishin jodiplomatike, ndërsa fjalimin e partisë në pushtet e vlerësoi si negativ.

Prishtinë, 11 shkurt 2025 (MIA) - Shefja e Misionit të Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në Kosovë, Natali Loazo, theksoi sot se deklaratat e të dërguarit special të SHBA-së, Riçard Grenell, ishin jodiplomatike, ndërsa fjalimin e partisë në pushtet e vlerësoi si negativ.
“Ne kemi qenë dëshmitarë të ndërhyrjeve të të dërguarit amerikan Riçard Grenell në rrjetet sociale kur ai kritikoi kryeministrin Albin Kurti dhe kjo mund të cilësohet si diçka jodiplomatike”, theksoi Loazo në konferencë për shtyp duke prezantuar raportin preliminar për monitorimin e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.
Sipas saj, gjatë fushatës zgjedhore ka pasur polarizim të madh, ndërsa ka shprehur shqetësim edhe për gjuhën e përdorur nga partia në pushtet.
"Zgjedhjet, përfshirë ditën e zgjedhjeve, ishin të qeta dhe pa incidente të dukshme, ndërsa fushata ishte mjaft konkurruese; megjithatë, polarizimi dhe ndarjet e thella ishin evidente në retorikën e ashpër të fushatës. Ne kemi vënë re përdorimin e gjuhës nxitëse dhe sulmeve verbale ndaj kundërshtarëve në mitingje dhe në debate televizive," vuri në dukje Loazo.
Ajo shtoi se dita e zgjedhjeve në Kosovë ka kaluar e qetë dhe qytetarët kanë mundur të votojnë në kushte të mira.
Por Loazo kërkoi transparencë të plotë gjatë numërimit të votave.
"Vështirësitë u bënë të dukshme gjatë fazës së numërimit. KQZ-ja u përball me sfida gjatë rekrutimit, trajnimit dhe prokurimit. Duhet të ketë transparencë të plotë për atë që nuk po shkon mirë dhe pse, vuri në dukje Loazo. ls/
Foto: Uikipedia