Mickoski për eurointegrimin: Kryeministrat e kaluar hynë në aventura për të pranuar diçka pa pasur garanca dhe parashikueshmëri
- Kryeministri Hristian Mickoski sot nga foltorja e Kuvendit edhe njëherë konfirmoi se e ardhmja e vendit është në Bashkimin Evropian dhe se Qeveria do të bëjë gjithçka që është në fuqinë e saj për ta realizuar këtë qëllim strategjik, por pa standarde të dyfishta dhe në pajtim me Kriteret e Kopenhagës.
Shkup, 27 nëntor 2025 (MIA) - Kryeministri Hristian Mickoski sot nga foltorja e Kuvendit edhe njëherë konfirmoi se e ardhmja e vendit është në Bashkimin Evropian dhe se Qeveria do të bëjë gjithçka që është në fuqinë e saj për ta realizuar këtë qëllim strategjik, por pa standarde të dyfishta dhe në pajtim me Kriteret e Kopenhagës.
"Nuk duhet pasur dilemë se e ardhmja e Maqedonisë është në kuadër të Bashkimit Evropian. Qasja për të arritur drejt realizimit të atij qëllimi është tjetër. Qeveria e kaluar pati qasje me të cilën mendonin se nëse pranojnë gjithçka që do t'u vihet në tryezë, do të lirohen nga krimi dhe korrupsioni. Por, qytetarët vitin e kaluar në zgjedhje zgjodhën se në cilën rrugë do të lëvizë shteti, dhe ajo është trajektorja e drejtësisë, punës dhe ndershmërisë", tha Mickoski, duke u përgjigjur në pyetje të deputetëve në mbledhjen e sotme të Kuvendit.
Kryeministrat e kaluar, siç tha, shumë herë deri më tani nuk e tregonin të vërtetën dhe hynë në aventurë të pranojnë diçka pa pasur garanca dhe parashikueshmëri në procesin e mëtutjeshëm.
"Ne nuk mendojmë ashtu, por krejtësisht ndryshe - do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për ta realizuar këtë qëlli, strategjik, por pa standarde të dyfishta dhe në pajtim me Kriteret e Kopenhagës dhe të ketë rrugë dykahëshe, jo njëkahëshe", tha Mickoski.
Duke iu referuar asaj se si Bashkimi Evropian i noton shtetet e rajonit sipas përgatitjes së tyre, Mickoski tha se më dobët është ranguar Bosnja e Hercegovina, ndërkaq para saj janë Kosova dhe Shqipëria, përderisa Maqedonia dhe Serbia janë në nivel të ngjashëm, ndërsa kryeson Mali i Zi.
"Kjo është tabela që e noton Komisioni evropian sipas nivelit të përgatitjes", tha Mickoski.
Theksoi se si shtet jemi të parët në raport me harmonizimin e politikës së jashtme dhe të sigurisë, ndërkaq e kemi vendosur edhe Sistemin e vetëm pagesor evropian SEPA.
Mbledhja kushtuar pyetjeve të deputetëve vazhdon pas pauzës së rregullt prej një ore me përgjigje nga ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska. ab/
Foto: Printskrin