• петок, 05 декември 2025

Mickoski: Pa administratë tatimore efikase dhe të ndershme nuk ka ekonomi të fortë dhe financa publike të qëndrueshme

Mickoski: Pa administratë tatimore efikase dhe të ndershme nuk ka ekonomi të fortë dhe financa publike të qëndrueshme

Shkup, 28 nëntor 2025 (MIA) - Pa administratë tatimore efikase dhe të ndershme, nuk ka as ekonomi të fortë, as financa publike të qëndrueshme, as shtet që mund të planifikojë në mënyrë të qëndrueshme dhe të investojë në të ardhmen e vet, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski në Klubin e Deputetëve të në shënimin e Ditës së Punonjësve Tatimorë.

"Dita e sotme e punonjësve tatimorë nuk është vetëm një festë profesionale. Është ditë kur duhet të flasim për disiplinën, dijen, moralin dhe profesionalizmin. Një ditë kur kujtojmë se të ardhurat publike nuk janë thjesht numra në letër — ato janë pagat e mësuesve dhe mjekëve, rrugë të reja, një sistem shëndetësor funksional, mbështetje për kompanitë, siguri sociale për çdo qytetar", kryeministri. 

Ai tha se nga janari deri në fund të tetorit të këtij viti, të ardhurat neto nga tatimet dhe kontributet sociale arritën në 3 miliardë e 600 milionë euro.

"Kjo është 260 milionë euro më shumë se vitin e kaluar. Në dhjetë muajt e parë kemi rritje të të ardhurave neto tatimore prej mbi 6 për qind, rritje të kontributeve sociale prej gati 15 për qind.  Kjo do të thotë se ekonomia po rritet. Aktiviteti po rritet. Kompanitë po punojnë. Pagat po rriten. Dhe  bashkë me të rriten edhe të ardhurat. Por këto numra flasin edhe për diçka tjetër, për besimin mes shtetit dhe biznesit. Për besimin mes institucioneve dhe qytetarëve. Për faktin se kur shteti punon me ndershmëri dhe parashikueshmëri, qytetarët kthejnë përgjigje me disiplinë dhe ndjenjë detyrimi", theksoi Mickoski. 

Ai theksoi se dorëzimi me kohë i paraqitjeve të TVSH-së për periudhën janar–shtator 2025 është 95 për qind. 

"Krahasuar me vitin 2024, kur ishte 92%, ky është një hap i madh përpara dhe, edhe më e rëndësishme: Pagesa me kohë e TVSH-së është rritur në 81%, nga 76% sa ishte në dy vitet e mëparshme. Kjo është dëshmi se sistemi po bëhet më i fortë, më i disiplinuar dhe më efikas. Të gjitha këto trende nuk janë të rastësishme. Ato janë rezultat i punës suaj, përkushtimit tuaj, proceseve të digjitalizimit, përmirësimit të shërbimeve, komunikimit më aktiv me kompanitë, por edhe i politikës së qëndrueshme ekonomike që e udhëheq kjo Qeveri", tha kryeministri.

Theksoi se "asnjë përparim nuk ka vlerë të vërtetë nëse nuk e mbrojmë nga kërcënimi më i madh për çdo shtet, e ky është korrupsioni". 

"Prandaj sot, para jush, do të jem i qartë. Lufta kundër korrupsionit nuk është një frazë politike, nuk është retorikë për konferenca shtypi. Ajo është punë reale. Ajo është detyrim. Ajo është kusht për mbijetesën e sistemit. Si Qeveri, së bashku me institucionet kompetente, kemi vendosur mekanizma të qartë: digjitalizim i plotë i proceseve me qëllim zvogëlimin e çdo mundësie për keqpërdorim; kontroll i rreptë i brendshëm dhe gjurmueshmëri; tolerancë zero për presione, favorizime dhe klientelizëm;
procedura të qarta dhe ndëshkueshmëri për çdo keqpërdorim; përmirësim të transparencës, sepse drita është armiku më i fortë i korrupsionit", theksoi Mickoski. 

Në këtë luftë, tha ai, DAP është vijë e parë kyçe e frontit.

"Sepse aty ku ka korrupsion, nuk ka besim. Aty ku ka besim, shteti është më i fortë dhe më i pasur.  E aty ku nuk ka besim, nuk ka as mbledhje të të ardhurave, e aty ku nuk ka mbledhje të të ardhurave, nuk ka as shtet. Prandaj ju falënderoj që tregoni etikë të lartë profesionale, dhe ju inkurajoj të mbeteni të pakompromistë. Shteti qëndron pas jush. Dhe do të qëndrojë pas çdo njeriu të ndershëm në institucione", theksoi kryeministri.

Mickoski tha se suksesi nuk ndodh rastësisht, por është rezultat i dijes, punës, disiplinës dhe ndershmërisë.

"Dhe pikërisht këtë e tregoni çdo ditë. Si kryetar i Qeverisë, ju premtoj se do të vazhdojmë të investojmë në kapacitetet tuaja, në kushte më të mira pune, në mjete digjitale që do ta lehtësojnë çdo proces, dhe në politika që do ta bëjnë vendin edhe më konkurrues. Qëllimi ynë është shumë i qartë, ekonomi e fortë, financa publike të qëndrueshme, shoqëri e drejtë dhe një shtet ku sistemi tatimor është i drejtë, efikas dhe plotësisht i mbrojtur nga korrupsioni", theksoi kryeministri.

Shtoi se çdo ditë bëjmë hapa në këtë drejtim.

"Dhe sot, publikisht, ju falënderoj për më të rëndësishmen, për punën tuaj, për profesionalizmin tuaj dhe për ndërgjegjen tuaj. Falënderim për përkushtimin dhe punën e drejtoreshës Elena Petrova. Dhe më lejoni në fund t’ju uroj një ditë të mbarë të punonjësve tatimorë. Vazhdojmë të ndërtojmë së bashku – ndershëm, në mënyrë transparente dhe me përgjegjësi", porositi Mickoski. fc/

Foto: MIA

Остани поврзан