• петок, 05 декември 2025

Mickoski për gjykimin për rastin “Puls”: Përjashtoj çdo ndërhyrje politike nga ana e Qeverisë në këtë proces

Mickoski për gjykimin për rastin “Puls”: Përjashtoj çdo ndërhyrje politike nga ana e Qeverisë në këtë proces

Shkup, 20 nëntor 2025 (MIA) - Kryeministri Hristijan Mickoski duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve nëse qytetarët mund të presin një gjykim të drejtë për tragjedinë e Koçanit, u përgjigj se përjashton çdo ndërhyrje politike nga Qeveria në këtë proces.

"Nuk e di nëse ndonjëherë në Maqedoninë demokratike ka ndodhur që prokurorët dhe gjyqtarët së bashku të sulmojnë një kryetar të qeverisë për një fjalë të thënë në një shtet demokratik. Unë këtë e kam përjetuar. Kështu që nuk e di se si mund të ketë ndërhyrje politike nga Qeveria. E përjashtoj këtë", theksoi Mickoski.

Sipas kryeministrit, ka ndërhyrje politike dhe presion nga opozita.

"Së pari thonë, kryeministri, Qeveria janë fajtorë ata bëjnë presion mbi gjyqtarët, ata janë të mirë, të ndershëm, e kryejnë punën e tyre në mënyrë të pavarur, etj por le të formojmë një Komision hetimor dhe ta transferojmë çështjen në Kuvend. Tani si janë të mirë, të ndershëm nëse e bëjnë punën e tyre, nëse kanë nevojë pse ka nevojë për Komision hetimor. Nuk e di kush ua përgatit porositë e tyre për publikun. Janë konfuze, janë bardh e zi", vlerësoi Mickoski duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve gjatë vizitës në Klinikën universitare për sëmundje kirurgjike "Shën Naumi i Ohrit" - Shkup.

Ai përmendi përsëri se gjyqësori po kërkon buxhet më të madh, por se jo të gjithë janë në atë grup, por "disa të ulur në kolltukë".

"Pamë se sa me këmbëngulje luftojnë për buxhet më të madh, për më shumë para, para të popullit, këto janë paratë tuaja.  Ndërsa tani duhet të bëjmë debat publik me individë, e përsëris nuk është shumica e prokurorëve, gjyqtarëve, por individë që kanë marrë poste dhe nuk lëvizen me vinç, nuk mund t'i zhvendosim prej atje, ata luftojnë për kolltukun dhe 3 mijë nuk u mjaftojnë, duan 5 mijë euro në muaj në një vend ku paga mesatare është 750 euro", tha Mickoski.

Dje filloi gjyqi për zjarrin në diskotekën "Puls" në Koçan ku humbën jetën 63 persona në rastin që ndodhi më 16 mars të këtij viti. Tetë muaj pas fatkeqësisë, në bankën e të akuzuarve janë 38 të akuzuar, 35 prej të cilëve janë persona fizikë dhe tre persona juridikë. Midis tyre janë pronarë klubesh, menaxherë, inspektorë, ish kryetarë komunash, anëtarë të forcave të sigurisë dhe nëpunës civilë.

Foto: MIA

 

 


 
 
 

Тагови

Остани поврзан