• петок, 05 декември 2025

Mickoski me rastin e Ditës së Alfabetit të gjuhës shqipe: Suksesi është projekti ynë i përbashkët, çdo qytetar ka vend të barabartë, vlerë të barabartë dhe mundësi të barabarta

Mickoski me rastin e Ditës së Alfabetit të gjuhës shqipe: Suksesi është projekti ynë i përbashkët, çdo qytetar ka vend të barabartë, vlerë të barabartë dhe mundësi të barabarta

Shkup, 22 nëntor 2025 (MIA) - Suksesi është projekti ynë i përbashkët. Vetëm nëse jemi të bashkuar në respekt, besim dhe përgjegjësi do të mund të arrijmë rezultate që do ta çojnë atdheun përpara, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski, duke u drejtuar në seancën solemne të Qeverisë me rastin e Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe "22 Nëntori".

Kryeministri e uroi Ditën e Alfabetit të gjuhës shqipe, e cila siç tha, bart simbolikë të fortë historike dhe kulturore.

Në Kongresin e vitit 1908, theksoi, inteligjenca shqiptare ndërmori hapin e madh drejt krijimit të një alfabeti të unifikuar, themel i kohezionit gjuhësor dhe kulturor të shqiptarëve. Ky ishte një akt me rëndësi të thellë evropiane, jjë akt modernizimi, arsimi dhe hapjeje. Në një periudhë kur Ballkani kalonte nëpër sfida të rënda, Kongresi i Manastirit tregoi se forca e një shoqërie buron nga dituria, nga gjuha dhe nga besimi në të ardhmen.

"Kjo ditë është e rëndësishme edhe për shtetin tonë. Maqedonia është një shtëpi e diversitetit, i cili nuk ndan, por e pasuron historinë tonë të përbashkët kombëtare. Komuniteti shqiptar, me kulturën, gjuhën, traditat dhe vlerat e veta, është pjesë thelbësore e shtetit tonë. Sot, kur e shënojmë Ditën e Alfabetit të Guhës Shqipe, u japim mirënjohje përpjekjeve të brezave që luftuan për arsim, shkrim-lexim dhe zhvillim kulturor, por edhe të gjithë atyre që sot e vazhdojnë këtë rrugë", tha Mickoski. 

Atdheu ynë i përbashkët bazohet në idenë se çdo qytetar ka vend të barabartë, vlerë të barabartë dhe mundësi të barabarta.

"Pikërisht për këtë, Qeveria mbetet e përkushtuar ndaj politikave që ndërtojnë besim ndëretnik, krijojnë hapësirë për zhvillim dinjitoz të gjuhëve dhe kulturave dhe e forcojnë kohezionin mes të gjithë qytetarëve tanë. Kemi ambicje dhe dëshirojmë të ndërtojmë një shoqëri në të cilën të rinjtë maqedonas, shqiptarë, turq, serbë, boshnjakë, romë, vlleh dhe të gjithë të tjerët ta shohin të ardhmen e tyre këtu – në një Maqedoni të fortë dhe të zhvilluar. Një shoqëri në të cilën çdo gjuhë është urë, e jo kufi, forcë, e jo ndarje, pasuri, e jo sfidë", theksoi kryeministri.

Në këtë drejtim, theksoi, Qeveria punon aktivisht në projekte që krijojnë një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët, pa dallim të përkatësisë së tyre etnike. Jemi të përkushtuar për përmirësimin e infrastructures dhe mundësive në çdo komunë, modernizimin e shkollave, mbështetjen e institucioneve kulturore dhe hapjen e mundësive të reja për të rinjtë. Në vijim janë duke u realizuar programe për digjitalizimin e shërbimeve, për zhvillimin ekonomik të bashkësive lokale dhe për fuqizimin e institucioneve që kujdesen për barazi dhe integrim.

"Qëllimi ynë është që çdo qytetar, në çdo pjesë të vendit, ta ndiejë përparimin dhe ta dijë se shteti qëndron pas tij. Ky nuk është vetëm një obligim politik, por edhe një detyrë morale ndaj gjeneratave të ardhshme", tha Mickoski. ls/

Foto: MIA

 

 

 

 

Остани поврзан