• недела, 11 јануари 2026

Mickoski: Me ndryshimet në Kodin Penal, LSDM dhe BDI krijuan mundësinë për t'u amnistuar, duke kontaminuar kështu gjyqësorin

Mickoski: Me ndryshimet në Kodin Penal, LSDM dhe BDI krijuan mundësinë për t'u amnistuar, duke kontaminuar kështu gjyqësorin

Shkup, 8 janar 2026 (MIA) - Njerëzit në gjyqësor janë përgjithësisht njerëz të ndershëm. Ekziston një pjesë e vogël që është e kontaminuar dhe që për fat të keq kontaminon të gjithë sistemin. Këta janë kryesisht shërbëtorë të partisë, të cilët janë një replike e ish qeverisë së LSDM-së dhe BDI-së dhe të cilët luftojnë ashpër që ata që i mbështetën të marrin ndonjë përfitim, pozicion etj, tha mbrëmë kryeministri dhe kryetar i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Në një intervistë për TV Alfa, Mickoski foli për gjyqësorin, duke vënë në dukje se sistemi gjyqësor në vend është kontaminuar në një masë të caktuar nga ish qeveria e LSDM-së dhe BDI-së, veçanërisht në pjesën e ndryshimeve në Kodin Penal. Sipas tij, disa njerëz nga qeveria e mëparshme mund të referohen në ligje më të favorshme, gjë që, siç thotë ai, është problemi më i madh, sepse ata krijuan një bazë ligjore për amnistinë e tyre.

Sipas tij, ka dy momente kyçe që ndikuan në rrëzimin e drejtësisë, i pari prej të cilëve është zgjedhja e gjyqtarëve në Kuvend, gjatë periudhës kur VMRO-DPMNE ishte në opozitë parlamentare, dhe i dyti janë ndryshimet në Kodin Penal të miratuara nga qeveria e LSDM-së dhe BDI-së.

"E para është zgjedhja e gjyqtarëve në Kuvend, kur gjyqtarët zgjidheshin në Kuvend kur VMRO-DPMNE ishte në opozitë parlamentare, mendoj se ishte në vitin 1996. Dhe e dyta është tani, kur qeveria e LSDM-së dhe BDI-së praktikisht miratoi ndryshimet në Kodin Penal para se të largohej dhe kur fshiu një pjesë të mirë të nenit 353, atij neni të famshëm 353, për dy arsye", tha Mickoski.

E para, siç shtoi ai, "është të amnistojnë veten dhe arsyeja e dytë është se ata menduan se në këtë mënyrë do të amnistonin dikë që mund t'i shkaktonte dëme partisë opozitare më të fortë në atë kohë, VMRO-DPMNE-së".

"Ata patën sukses në pjesën e parë të qëllimit të tyre, dështuan në pjesën e dytë. VMRO-DPMNE sot është më e madhe se të gjitha partitë politike së bashku", theksoi Mickoski.

Sipas tij, të gjithë ata nga qeveria e mëparshme e LSDM-së dhe BDI-së gjithmonë do t'i referohen ligjit më të favorshëm.

"Ata gjithmonë do t'i referohen ligjit që është më i favorshëm për ta, dhe ligji aktual që është më i favorshëm për ta është ky, kur neni 353 paragrafi 5 është fshirë, kur pjesët e tjera të Kodit Penal janë fshirë. Ata gjithmonë do t'i referohen asaj, pavarësisht se çfarë ligji miratojmë nga tani e tutje dhe çfarë ndryshimesh bëjmë nga tani e tutje. Të gjithë ata nga qeveria e mëparshme, kur të vijnë në një seancë gjyqësore, do të thonë - unë i referohem ligjit që ka qenë në fuqi që atëherë deri më tani, sepse kështu ka qenë në atë kohë. Dhe këtu është problemi më i madh", theksoi Mickoski. sa/

FOTO: Arkivi

 

Остани поврзан