• четврток, 25 декември 2025

Mickoski drejtuar kryetarëve të komunave: Shqyrtoni mundësitë e Qendrës për resurse, përdorni mbështetjen, kërkoni ndihmë nga ekspertët

Mickoski drejtuar kryetarëve të komunave: Shqyrtoni mundësitë e Qendrës për resurse, përdorni mbështetjen, kërkoni ndihmë nga ekspertët

Shkup, 24 nëntor 2025 (MIA) - Themelimi i Qendrës për resurse për mbështetjen e komunave është një mjet strategjik, në partneritet me Programin e zhvillimit të Kombeve të Bashkuara dhe me mbështetjen e Qeverisë. Kjo qendër nuk është vetëm një strukturë e re institucionale, ajo është dëshmi e qartë se Maqedonia po e ndërton ardhmërinë e saj mbi themelet e menaxhimit modern, transparencës dhe efikasitetit, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski në hapjen e kësaj Qendre për resurse. 

Projekti synon të adresojë sfidat e thella sistemore – përmes menaxhimit të përmirësuar, kapaciteteve të avancuara institucionale dhe zhvillimit të një infrastrukture të qëndrueshme.

"Këto nuk janë reforma teknike, ky është vizioni i një shteti që synon të jetë modern, funksional dhe i orientuar drejt rezultateve. Qeverisja e mirë është më shumë se funksionalitet administrativ. Ajo nënkupton institucione që punojnë me integritet, me koordinim, me llogaridhënie – si në nivel kombëtar, ashtu edhe në nivel lokal. Ndërsa pikërisht në këtë rast, decentralizimi është një nga shtyllat më të rëndësishme. Sepse komuna të forta dhe funksionale nënkuptojnë shtet të fortë. Kur vetëqeverisja lokale ka njohuri, kapacitete dhe resurse, ajo është më afër qytetarëve. Ajo mund t’i ndiejë më shpejt dhe më saktë nevojat e tyre, të ofrojë zgjidhje dhe të krijojë komunitete që përparojnë", tha kryeministri. 

Mickoski tha se edhe pse dy dekadat e fundit kemi investuar përpjekje të rëndësishme në zhvillimin e decentralizimit, duhet të pranojmë sinqerisht: rezultatet ende nuk janë në nivelin që qytetarët e meritojnë. Veçanërisht në pjesën e shërbimeve cilësore publike, menaxhimin me resurset, si dhe në krijimin e kushteve për zhvillim ekonomik lokal. Autoritetet lokale janë përgjegjëse për shumë politika kyçe që prekin çdo ditë jetën e qytetarëve – dhe pikërisht për këtë arsye ato duhet të jenë të forta, profesionale dhe efikase.

"Qendra për resurse është përgjigjja jonë e përbashkët ndaj këtyre sfidave reale. Qeveria, përmes Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale, krijon mekanizëm me të cilin komunat fitojnë mbështetje strategjike, ekspertizë dhe instrumente për zbatimin më të mirë të decentralizimit dhe zhvillimit të balancuar rajonal. Përforcimi i komunave nuk është shpenzim – është investim. Investim në jetë më të mirë, në zhvillim të qëndrueshëm, në stabilitetin e komuniteteve lokale dhe në një shtet funksional që e di në cilin drejtim po shkon dhe çfarë po ndërton. Vetëm me komuna të fuqishme mund ta ndërtojmë Maqedoninë që jo vetëm i ndjek standardet evropiane – por i jeton ato. Prandaj, dua të përcjell një mesazh të qartë për çdo kryetar komune, pa marrë parasysh nëse udhëheq një komunë të madhe urbane apo një komunitet të vogël rural: shqyrtoni mundësitë që i ofron Qendra për resurse, përdorni mbështetjen, kërkoni ndihmë profesionale aty ku ka sfida ose mungesë të kapaciteteve. Kjo nuk është dobësi – kjo është mençuri në menaxhimin", porositi Mickoski.

Me këtë nismë krijojmë mjete, struktura dhe njohuri që do ta transformojnë vendin tonë në një shtet modern, funksional dhe përgjegjës. Ky është detyrimi që marrim para qytetarëve – dhe kjo është fryma reformuese që e lëvizë Maqedoninë përpara.

Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski, potencoi se qeveria qendrore dhe ajo lokale janë të gatshme të vazhdojnë të punojnë në partneritet për përparimin e secilës komunë dhe për zhvillimin e balancuar të Maqedonisë. 

"Qeveria ka një program, ndërsa Ministria e Vetëqeverisjes Lokale punon për realizimin e masave specifike. Ndërtojmë një koncept për sinergji të të gjitha resurseve të disponueshme në vend të cilat do të vihen në funksion nga komunat. Qendra për resurse është vendi i cili do të adresojë nevojat e komunave, mënyrat për t'i zgjidhur ato, vendi që do të ofrojë ekspertizë për çdo sfidë të re", potencoi Perinski. 

Sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Igor Janushev, theksoi se në kuadër të programit për mbështetjen e zbatimit të Strategjisë kombëtare të zhvillimit, Qeveria mbështet 13 projekte të rëndësishme, ndër të cilat edhe Qendra për resurse për zhvillim lokal e zbatuar nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokal e cila paraqet një nga shtyllat më të rëndësishme në këtë proces.

Përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së në vend, Armen Grigorian, rikujtoi se për vite me radhë kanë bashkëpunuar me MVL-në, duke mbështetur decentralizimin e pushtetit dhe sot Qeveria, siç tha ai, “është zotuar dhe ka mbështetur decentralizimin e mëtejshëm të pushtetit qendror në atë lokal”. 

Sipas tij, kjo do të japë rezultate të mira, do të forcojë komunat do të përmirësojë shërbimet publike dhe do të inkurajojë rritjen ekonomike gjithëpërfshirëse.

 

 

Ambasadori zviceran në vend, Kristof Zomer, deklaroi se gjatë 13 viteve të fundit, Zvicra ka qenë partner i vazhdueshëm në mbështetjen e proceseve të decentralizimit dhe zhvillimit rajonal në Maqedoninë e Veriut me qëllim që çdo qytetar, kudo që jeton pavarësisht rrethanave të ketë qasje në mundësi, shërbime dhe një cilësi më të mirë jetese.

Në këtë aktivitet morën pjesë rektorja e UCM-së, prof. dr. Biljana Angellova, ekspertë nga fusha të ndryshme, përfaqësues të organizatave donatore dhe institucioneve të tjera shtetërore, UNDP-ja, si dhe ministra dhe kryetarë të komunave.

Foto: MIA

 

 

Остани поврзан