18:00/18 dhjetor/2024
Shkup - Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, së bashku me deputetët Beti Stamenkoska-Trajkoska, Borçe Cvetkov dhe Saranda Imeri Stafai, sot realizuan takim me kryetaren e Kuvendit Kombëtar të Republikës së Francës, Jael Bron Pive, informojnë nga shërbimi për informim i Kuvendit. Gashi shprehu kënaqësinë e veçantë për mbajtjen e takimit, duke pasur parasysh faktin se për shumë vite nuk ka pasur takim në këtë format në Paris dhe shpreson se ai do të përvijojë trajektoren e takimeve të ardhshme dhe do të sjellë impuls të fortë të bashkëpunimit të frytshëm ndërmjet parlamenteve tona në të gjitha nivelet.
Shkup - Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit pas kryerjes së procedurës gjithëpërfshirëse hetimore, sot në Gjykatën Themelore Penale në Shkup ka ngritur aktakuzë kundër një personi fizik dhe propozim aktakuzë kundër një personi juridik dhe tre personave fizik për ndërtimin e teatrit dhe biblotekës në Tetovë, informojnë nga Prokuroria.
Shkup - Ne kemi demonstruar kapacitete demokratike dhe politike se dimë të zgjidhim dhe çojmë përpara çështje, siç është rasti me balancuesin, çështje që është hequr nga Gjykata Kushtetuese, e cila është e pavarur nga Qeveria, por Qeveria ka treguar se kjo do të zgjidhet me zgjidhje të veçantë ligjore, deklaroi sot zëvendës kryeministri dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, duke iu përgjigjur pyetjes së Ilire Dautit nga ASH-ja, e lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe, por edhe çështje të tjera si himni dhe arsimi. Mexhiti tha se fokusi i Qeverisë është arsimi, duke theksuar se opozita po e shtrembëron tezën dhe se edhe kryeministri edhe presidentja kanë deklaruar se gjuha shqipe është "kategori kushtetuese" dhe se për momentin është zgjidhur me Ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe.
Shkup – Kuvendi sot pasdite, në kuadër të mbledhjes së 23-të, i miratoi ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për akcizat dhe të Ligjit për kulturën dhe e miratoi Vendimin për emërimin e kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës. Deputetët e miratuan edhe Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për financimin e rivendosjes së serishme mjedis i përbashkët i përhershëm në bllokun 17 të Muzeut Shtetëror Aushvic – Birkenau.
Shkup - Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, ka takuar sot përfaqësues të disa organizatave të shoqërisë civile – ofrues të shërbimeve sociale. Në takim, siç kumtuan nga Ministria, u bisedua për angazhimet dhe synimet e përbashkëta në të cilat po punojnë të dyja palët, e që është sigurimi i mirëqenies së qytetarëve, përfituesve të shërbimeve. Bashkëbiseduesit diskutuan për rezultatet e reformës sociale, me theks në deinstitucionalizimin dhe shërbimet sociale, të cilat përfaqësojnë një shembull të shkëlqyer në rajon se si sistemi i mbrojtjes sociale është në dobi të përdoruesve të shërbimeve.
Shkup - Ajri i ndotur çdo vit mbyt rreth 2.800 banorë të vendit, deklaroi në fillim të konferencës në Shkup për cilësinë e ajrit, drejtori i Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, Masimiliano Paoluçi. Ai tha se pavarësisht progresit që nga vitet 1990, ndotja e ajrit është ende e lartë, veçanërisht në muajt e dimrit. "Njerëzit në Shkup dhe Tetovë janë të ekspozuar ndaj niveleve dukshëm më të larta të grimcave toksike (PM2.5), krahasuar me njerëzit nga Evropa Perëndimore, shtoi Paoluçi.
Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski publikoi se në Bruksel kishte takim me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kalas. "Në takim diskutuam nevojën që BE-ja të përshpejtojë procesin e integrimit dhe të angazhohet përmes vullnetit të mirë dhe mirëkuptimit të zhbllokojë rrugën tonë drejt BE-së. I shpjegova pozicionet dhe objektivat tona. Maqedonia meriton të ecë përpara në integrimet", ka shkruar kryeministri Mickoski në profilin e tij në Fejsbuk.
Shkup - Nga zjarri në një shtëpi në Shkup, që ka ndodhur mbrëmë, një person ka humbur jetën, ndërsa një tjetër është dërguar në spital me simptoma të mbytjes. Siç kumtoi MPB-ja, më 18.12.2024 në ora 00:51 në SBP Shkup është raportuar se në rrugën "Finska" në Shkup ka shpërthyer zjarr në shtëpi, në pronësi të M.A.(71). "Pas shuarjes së zjarrit, nga një ekip i Brigadës zjarrfikëse Shkup, pronari është gjetur i vdekur, ndërsa mjeku i ndihmës emergjente e ka konstatuar vdekjen. Ndërkaq, bashkëshortja e tij A.V (68) me simptoma të mbytjes është dërguar në Kompleksin e klinikës "Nënë Tereza" në Shkup, theksojnë nga MPB-ja.
Shkup - Nëpunës policorë nga SPB Kumanovë sot kanë privuar nga liria personin L.R (30) nga Kumanova. MPB-ja kumtoi se ai kërkohej me urdhërarrest për vuajtje të dënimit me burgim prej tre vitesh për veprën penale “Prodhimi i paautorizuar dhe lëshimi në qarkullim i drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve” nga neni 215 i Kodit Penal.
Kumanovë - Deri në fund të vitit 1.100 të punësuar do të marrin vendim me kontratë në vepër në shëndetësi, tha në seancën e sotme të Kuvendit, ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetës nga Fronti Evropian, Dijana Toska, e cila pyeti se pse janë shkarkuar drejtorët ekonomikë, dhe pse nuk punësohen infermiere megjithëse ka nevojë në institucionet shëndetësore. Taravari theksoi se problemet janë të trashëguara dhe se BDI në 22 vite pushtet nuk ka arritur të ndërtojë rrjetin e kanalizimeve në Zajas, dhe pret që për gjashtë muaj të ndërtojë një qendër klinike. Ai shtoi se problemi me listën pozitive të barnave është tejkaluar. "Gjashtëqind specializantë do të punësohen, 300 këtë vit, 300 vitin e ardhshëm", tha Taravari.
Manastir - Transformatori 400/110 kV ka mbërritur në trafostacionin (TS) Manastir 2 me çka do të stabilizohet sistemi i transmetimit dhe do të sigurohet furnizim me energji elektrike në rajonin jugperëndimor, informojnë nga SHA MEPSO. Me transformatorin e ri, siç thonë, do të ulet presioni në rrjet, do të përmirësohet besueshmërinë e sistemit për rajonin e Strugës, Ohrit, Resnjës, Manastirit dhe Prilepit, duke siguruar furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike gjatë stinës së dimrit.
Prishtinë – Dogana e Kosovës njoftoi sot se ka parandaluar kontrabandën nga Maqedonia e Veriut në Kosovë, me çka ka konfiskuar mall në vlerë 30 mijë euro, pa kurrfarë dokumenti për origjinën e të njëjtës, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. Në kumtesën e Doganës së Kosovës bëhet e ditur se, “gjatë kontrolleve dhe operacioneve taktike në teren në rripin kufitar mes RK dhe RMV-së (Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë së Veriut), në rajonin e komunës së Vitisë”, njësitet doganore kanë ndaluar dy automjete transportuese me targa lokale me shoferë shtetas të Kosovës.
Tiranë - Sistemi Europian i sigurisë ushqimore ka ngritur alarm ndaj ngarkesave me mandarina që vijnë nga Shqipëria, publikoi "Top Çanell". Sipas të njëjtit burim përgjatë javëve të fundit, Kroacia, Republika Çeke, Italia dhe Lituania, "vende që kanë importuar fruta nga vendi ynë, pas analizave kanë refuzuar prodhimin shqiptar nga kufijtë e tyre". "Mandarinat rezultojnë me mbetje të disa substancave të rrezikshme për shëndetin e njeriut dhe të ndaluara për tregtim në BE. Konkretisht, mbetje të larta të pesticideve chlorpyrifos dhe phosmet, që si efekte anësore kanë ndikimin në zhvillimin e trurit tek fëmijët, çrregullime të sistemit nervor dhe atij endokrin, si dhe rritjen e rrezikut për sëmundje të zemrës dhe kancer", shton televizioni.
Bruksel - Nëse keni ecur përgjatë vijës së frontit në javët e para të luftës në Ukrainë, mund të keni dëgjuar britma në gjuhën ukrainase dhe ruse, ndoshta të përziera me tingujt e gjuhëve rajonale - burjate dhe çeçene. Sot, ushtarët në të dy anët e konfliktit komunikojnë në gjuhën spanjolle, nepaleze, somaleze, serbe dhe koreane. Gjuhët e huaja në llogore janë vetëm shenjë se konflikti po fiton një dimension gjithnjë e më të madh ndërkombëtar, shkruan "Politiko", e cila titullon artikullin me “Lufta e Tretë Botërore është në rrjedhë. Në Ukrainë".
Monrovia - Në ditën e dytë të protestave të opozitës në kryeqytetin e Liberisë, Monrovia, është djegur ndërtesa e Parlamentit. Parlamenti merr flakë për herë të dytë brenda javës, ndërsa shkaku për zjarrin ende nuk është kumtuar. Presidenti i Liberisë, Xhozef Boakai urdhëroi një hetim për incidentin, të cilin ai e vlerësoi si një "shkatërrim flagrant të vendit". Policia dje arrestoi dhjetëra protestues dhe përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Moskë - Rusia është e gatshme të shqyrtojë propozime të ndryshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të "normalizuar" sërish marrëdhëniet mes dy vendeve, deklaroi sot zëvendësministri rus i Punëve të Jashtme, Sergej Rjabkov. "Megjithatë, Moska nuk ka marrë ende përgjigje për kërkesën e saj drejtuar Uashingtonit për të miratuar emërimin e ambasadorit të ri rus në SHBA", shtoi Rjabkov.