• вторник, 17 септември 2024
MIA Flesh

15:00/ 7 gusht/ 2024

Shkup - Historikisht çmimi më i lartë i blerjes për kultivuesit e rrushit. Çmimi prodhues për një kilogram rrush të verës për dy llojet më shumë të përfaqësuara për vitin 2024, "vranec" dhe "smedervka", është rritur për 25 për qind në bazë të Ligjit për verën, njoftoi kryeministri Hristian Mickoski në Fejsbuk. Thekson se çmimi prodhues për një kilogram rrush "vranec", i rritur për 25 për qind, do të jetë 20,8 denarë për një kilogram, përderisa çmimi prodhues për një kilogram rrush "smederevka", i  rritur për 25 për qind, do të jetë 18,3 denarë për një kilogram. 

Shkup - Rezervat devizore në fund të korrikut të këtij viti ishin 4.428,5 milionë euro dhe në krahasim me muajin e kaluar shënojnë rritje për 91 milionë euro, njoftoi Banka Popullore.  Pjesa më e madhe e rezervave devizore janë investuar në letra me vlerë (59,6%), pas çka vijojnë valutat dhe depozitat  (29,1%) dhe ari monetar (11,2%).

Shkup - Është inicuar procedurë kundër kryeshafave dhe nëpunësve të policisë sepse nuk kanë sanksionuar një shofer i cili më 6 maj të këtij viti me "porshe" kishte vozitur 272 kilometra në orë në autostradën Shkup - Veles. Shoferi në vend që të sanksionohej vetëm i ishte tërhequr vërejtje. 

Shkup - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski sot realizoi takim me përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Maqedonisë dhe Turqisë (MATTO), pra me kryetarin e Odës, Ajdovan Ademoski, dhe me zëvendëskryetarët Marija Tomeska dhe Eser Xhevahir.

Shkup - Shpenzimet e jetesës në korrik të këtij viti, krahasuar me korrikun e vitit të kaluar, janë rritur për 3.0 për qind, ndërsa çmimet me pakicë për 3.9 për qind, njoftoi Enti Shtetëror i Statistikës. Inflacioni i matur përmes indeksit të shpenzimeve të jetesës në korrik krahasuar me qershorin 2024 është 0.7 për qind. Çmimet me pakicë, nga ana tjetër, në korrik krahasuar me muajin paraprak shënuan rritje prej 1.5 për qind.

Shkup - Gjashtë zjarre janë aktive për momentin në mbarë vendin, ndërsa nëntë janë nën kontroll, bën të ditur Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK). Në 24 orët e fundit në numrin 112 janë regjistruar 2.601 thirrje në QMK. Janë regjistruar 41 zjarre, ndërsa 26 prej tyre janë shuar.

Shkup - Në kopshtin zoologjik në Shkup dje është bërë eutanizimi i elefantit aziatik Dunja. Vendimi për eutanazi, siç bëjnë të ditur nga Kopshti zoologjik në Shkup në rrjetin social Fejsbuk, është marrë me urdhër të pronarëve të cilët e kanë huazuar në kopshtin zoologjik të këtushëm - "Pairi Daiza" nga Belgjika së bashku me një ekip ekspertësh (veteriner, oftamolog dhe kujdestar të kopshtit zoologjik) të cilët gjate ditëve të kaluara kanë inspektuar gjendjen e elefantit.

Strugë - Një foshnjë katër muajshe nga Struga pa shenja jete është sjellë mbrëmë në Spitalin e Përgjithshëm në Strugë nga prindërit e tij, kumtoi sot SPB Ohër. Zëdhënësi Stefan Dimoski informoi se në DPB Strugë dje në orën 22:43 minuta është raportuar se foshnja e vdekur është dërguar në Repartin e fëmijëve.

Prishtinë - Shefi i misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë, Majkëll Devenport e ka vlerësuar si “urgjent” kthimin e palëve në dialogun e lehtësuar nga BE-ja” për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Prishtinë - Në protestën e sotme në pjesën veriore të Mitrovicës, serbët e Kosovës kërkuan me aklamacion që të mos hapet ura mbi lumin Ibër, e cila lidh pjesën jugore, të banuar me shumicë shqiptare, dhe pjesën veriore të Mitrovicës, e banuar me shumicë serbe, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Tiranë - Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë Pirro Vengu gjatë vizitës në bazën ajrore Kuçovë paralajmëroi se dronët "Bajraktar" janë të gatshëm të përfshihen për raste urgjente, gjegjësisht në situatën aktuale me zjarret, të cilët janë aktivë në mbarë vendin. 

Athinë - Tre tërmete të njëpasnjëshme me fuqi prej 4,1 ballë dhe 4,5 ballë sipas Rihterit, ishin regjistruar paradite në pjesën detare në jug të ishullit grek Kreta, informon korrespondentja e MIA-s nga Athina.  Sipas Institutit Gjeodinamik të Observatorit Kombëtar në Athinë, dy të parët, prej 4,1 dhe 4,8 ballë ishin në periudhë prej një minuti, përderisa i fundit ishte 25 minuta më vonë. 

Nikozia - Dy aeroplanë të tipit "Air Traktor" dhe gjithsej nëntë anëtarë të ekuipazhit nga Republika e Qipros do të mbërrijnë në Shkup sot pasdite, në kuadër të ndihmës për Maqedoninë e Veriut nga Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të BE-së dhe nga nesër do të marrin pjesë në shuarjen e zjarreve në Shën Nikollë dhe Çashkë, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Ankara - Turqia sot do t'i bashkohet padisë së Afrikës së Jugut kundër Izraelit për gjenocidin në Gazë, para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) në Hagë. “Ndërhyrja e Turqisë drejton komunitetin ndërkombëtar që të njohë dhe t'i përgjigjet krizës humanitare në Gazë”, teklaroi një burim anonim për mediat perëndimore.

Berlin - Dy persona humbën jetën, ndërsa disa të tjerë janë lënduar gjatë shembjes së pjesshme të një hoteli në qytetin perëndimor gjerman Krov, në lumin Mozel. Sipas policisë, nën rrënoja ka edhe tre të lënduar seriozisht. Në hotel ka pasur 14 persona kur një nga katet e ndërtesës ishte rrëzuar mbrëmë rreth një orë para mesnate. Fillimisht kishin mbetur të ngujuar nëntë persona, pasi pesë të tjerët arritën që me kohë ta lëshojnë ndërtesën. Gjithsej 31 persona në afërsi të rrethinës së dëmtuar ishin evakuuar. 

Bruksel - Krijimi i grupit parlamentar Patriotët për Evropën (PFE) në Parlamentin Evropian tregon se kryeministri hungarez Viktor Orban është shumë më pak i izoluar në BE sesa mendohej më parë, vlerëson portali "Politiko" i Brukselit.  Në komentin e portalit theksohet se krijimi i koalicionit të atyre që ndajnë qëllimin strategjik të Orbanit për të krijuar "Evropë të shteteve kombëtare" tregon se partitë e ekstremit të djathtë në BE janë më të harmonizuar për këtë vizion se kurrë më parë, duke sfiduar kështu drejtpërdrejt populizmin më pragmatik të krahut të djathtë që e promovon kryeministrja italiane Xhorxha Meloni. 

Uashington - Irani mund ta rishqyrtojë vendimin e tij për të sulmuar Izraelin për shkak të “presionit të fuqishëm diplomatik nga SHBA”, shkruan sot gazeta “Uashington post”, duke u thirrur në burime anonime. Përfaqësues të Shtëpisë së Bardhë besojnë se përpjekjet intensive diplomatike për të zbutur hakmarrjen kundrejt Iranit për vrasjen e liderit politik të Hamasit, Ismail Hania në Teheran javën e kaluar mund të kenë efekt, shkruan gazeta duke theksuar se administrata e presidentit amerikan Xho Bajden është e zemëruar për tajmingun e zgjedhur rreth atentatit.

Shkup - Të enjten , kryesisht në pjesët perëndimore, ndërsa të premten në disa vende në vend do të ketë paraqitje të shiut të dendur, bubullima dhe erë të fortë, lokalisht në formë stuhie, posaçërisht të premten. Gjatë fundjavës dhe në fillim të javës së ardhshme do të mbizotërojë mot me diell dhe i ngrohtë me vranësira të ulëta deri në mesatare. Do të fryjë erë mesatare, herë pas here e fortë nga veriu përgjatë Vardarit.

Остани поврзан