• среда, 15 јануари 2025
MIA Flesh

15:00/14 janar/2025

Shkup- Të punësuarit të disa ministrive, Entit Shtetëror të Statistikave dhe Arkivit Shtetëror sot kanë mbajtur protestë paralajmëruar duke kërkuar nënshkrim të marrëveshjeve kolektive dhe pagesë të 30 për qind të shtesave të pagave. Në protestë kanë dalë punonjësit e Ministrisë së Mjedisit Jetësor, Transformimit Digjital, për Pylltari dhe Ekonomi të Ujërave, Drejtësisë, Kulturës dhe Turizmit, Ekonomisë dhe Punës dhe Transportit.

Shkup- Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, realizoi takim me përfaqësuesin special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Erik Matiasen. Në takim mori pjesë edhe ambasadorja jorezidente e Norvegjisë, Kristin Melsom. Të dy bashkëbiseduesit i përshëndetën marrëdhëniet e shkëlqyera politike dhe miqësinë, duke theksuar se ato janë forcuar edhe më tej përmes anëtarësimit në NATO

Shkup- VMRO-DPMNE vlerëson se Ilire Dauti "nuk ka kredibilitet për të kryesuar me Komisionin parlamentar për politikë sociale, demografi dhe rini", pas votimit të mosbesimit pas debatit për interpelancë të inicuar nga grupi parlamentar i së Majtës. "Nuk ka rëndësi se kush e ka inicuar interpelancën dhe cila ka qenë tema apo arsyeja, rëndësi ka nëse është shkelur apo jo Rregullorja për punë e Kuvendit", tha deputeti dhe anëtari i KE të VMRO-DPMNE-së, Mile Lefkov. 

Shkup- Deputeti i LSDM-së, Mile Taleski sot deklaroi se rruga e shpejtë Gradsko - Drenovë, mbi 92 për qind është realizuar nga qeveria e LSDM-së. "Ky projekt, në vlerë prej mbi 37 milionë eurove, është pjesë e punës së përkushtuar të LSDM-së në zhvillimin e infrastrukturës rrugore dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve nga ky rajon", deklaroi Taleski.

Rosoman- Lëshohet në përdorim rruga Gradsko - Drenovë, pjesë e e rrugës eksprese Gradsko - Farish, në gjatësi prej 15,5 kilometrave. Vlera e projektit është 37.500.000 euro, prej të cilave 26.700.000 euro janë siguruar përmes IPA fondeve dhe 10.600.000 euro nga Buxheti. Gjerësia e rrugës është 12,40 metra, ka tre kryqëzime, në Gradsko, Rosoman dhe Drenovë.

Shkup- Prokuroria themelore publike Kavadari parashtroi aktakuzë kundër një gjykatëseje nga Gjykata themelore në Veles, dy bashkëshortëve - pronarë të zinxhirit të barnatoreve dhe një personi juridik, të cilët ngarkohen për falsifikim të shërbimit të dokumentit zyrtar dhe për përdorim të dokumentit me përmbajtje të pavërtetë.

Shkup- Nesër dhe të enjten paradite do të mbajë mot kryesisht me vranësira dhe i ftohtë me reshje të përkohshme të borës me intensitet të dobët deri në mesatar. Do të fryjë erë e dobët deri në mesatare nga veriu, kumtoi Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike.

Bruksel-  Deri tani nuk është dakorduar ndonjë takim ose bisedë telefonike ndërmjet kryetares së Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen dhe presidentit të ri amerikan Donald Tramp, deklaroi sot zëdhënësja kryesore e KE-së, Paula Pinjo. Ajo tha se menjëherë pas zgjedhjeve në SHBA nëntorin e kaluar, Fon der Lajen dhe Trampi biseduan në telefon, por prej atëherë nuk ka pasur kurrfarë kontakte mes tyre.

Bruksel- Vendet-anëtare të BE-së kanë ngritur nismë për ndërmarrje të masave për uljen e profiteve të Rusisë nga eksporti i energjensave, me çka, sipas tyre, në mënyrë plotësuese do të ishin burimet e saj për financimin e luftës në Ukrainë. Danmarka, Estonia, Letonia, Finlanda dhe Suedia në letrën dërguar Komisionit Evroian propozojnë ulje shtesë të çmmit të lejuar maksimal për import të naftës ruse.

Moskë-  Rusia është e gatshme të studiojë iniciativat paqësore të presidentit të sapozgjedhur të SHBA-së, Donald Tramp për luftën në Ukrainë, kur ai të marrë detyrën javën e ardhshme, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergej Lavrov. Lavrovi paralajmëroi se Tramp i cili kishte thënë më parë se do ta ndalë luftën brenda 24 orëve pas kthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë, ka folur përpara inaugurimit të tij, por shtoi se Rusia e mirëpriti faktin që ekipi i Trampit ka filluar të flasë për "realitetin" në terren" kur bëhet fjalë për Ukrainën.

Helsinki- Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Mark Rute sot publikoi se NATO fillon mision të ri për mbrojtjen e kabllove nëndetare në rajonin e Detit Baltik. "Misioni do të përfshijë shumë mjete, ndër të tjera edhe fregata dhe avionë patrullues detar, ndërsa do ta përforcojë praninë tonë në Baltik", tha Rute. Ai shtoi se do të sistemohet edhe një flotë e vogël nga dronët detar "për të siguruar mbikëqyrje të zgjeruar".

Kiev- Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski sot ka biseduar me presidentin francez Emanuel Makron për mundësinë e sistemimit të trupave perëndimor në Ukrainë për të mbrojtur çdo marrëveshje paqeje që do t'i jepte fund  luftës gati trevjeçare me Rusinë. Zelenski këtë e tha para takimit në Kiev me ministrin gjerman të Mbrojtjes Boris Pistorius, i cili së bashku me ministrat e mbrojtjes të Francës, Britanisë së Madhe, Italisë dhe Polonisë, udhëtuan në vizitë të paparalajmëruar në Ukrainë.

Port-o-Prens- Në Haiti janë zhvendosur më shumë se një milionë njerëz për shkak të dhunës së grupeve kriminele, kumtoi Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM) e Kombeve të Bashkuara. Sipas IOM, vitin e kaluar dhuna e grupeve është rritur për tre herë. "Në dhjetor të vitit 2023 regjistruam 315.000 persona të zhvendosur për shkak të dhunës. Një vit më vonë, ai numër u rrit për më shumë se trefish, duke arritur mbi një milionë të zhvendosur për shkak të dhunës së grupeve në Haiti", theksoi zëdhënësi i IOM, Kenedi Omondi. 

Doha-  Grupi palestinez Hamas e pranoi draft-marrëveshjen për armëpushim në Rripin e Gazës dhe për lirimin e dhjetëra pengjeve, deklaruan dy përfaqësues anonim të përfshirë në negociatat në Doha. Përfaqësuesi i Izraelit theksoi se është arritur përparim, ndërsa po finalizohen detajet.

Barcelonë-  Presidenti i Barcelonës, Zhoan Laporta ka kritikuar ashpër ata që sipas tij, po e pengojnë klubin. "Nuk patën sukses në atë që planifikuan. Treguam forcë dhe vendosmëri. U përpoqën të na shkatërrojnë, donin të na eliminonin... Jam mësuar të kritikohem, është një gjë normale në jetën time. Do të doja të konfirmoja forcën e KF Barcelonës. Na pret një e ardhme e ndritur”, ka thënë Laporta.

#

Остани поврзан