12:00/4 tetor/2024
Shkup - Përmirësimi i sistemit shëndetësor, kujdesit shëndetësor dhe shërbimeve për pacientët është prioritet i Qeverisë dhe kryeministrit Hristijan Mickoski. Njëqind ditë qeveri e re, do të thotë punësimin e 600 specializantëve në fusha deficitare, heqjen e drejtorëve ekonomikë, një rezonancë të re magnetike në poliklinikën "Idadia", një repart i renovuar i kirurgjisë digjestive dhe pajisje të reja, zgjerim i Listës pozitive për nëntë xhenerikë pse 78 ilaçe, theksohet në kumtesën e sotme të pres-shërbimit qeveritar. "Për 100 ditë qeveria shfuqizoi ekzistencën e 1000 drejtorëve ekonomikë dhe kështu i jep fund dualizmit në sistemin shëndetësor. Me këtë do të vendoset saktësisht përgjegjësia në menaxhimin e institucioneve, ndërsa do të kursehen edhe resurset financiare. Intitucionet shëndetësore kanë vetëm drejtorë mjekësorë, të cilët do të menaxhojnë me institucionet shëndetësore", theksohet në kumtesën.
Shkup - Ministri për Punë të Jashtme dhe Tregti të Jashtme, Timço Mucunski, sot dhe nesër do të marrë pjesë në Samitin e 19-të të Organizatës ndërkombëtare të Frankofonisë i cili pas 33 vitesh po mbahet në Francë. Siç bëjnë të ditur nga MPJ, Samiti do të fillojë punimet sot në Villers-Cotterêts, një qytet në veri të Francës, tërësisht i përkushtuar gjuhës frënge dhe diversitetit kulturor frankofon i inauguruar më 30 tetor të vitit të kaluar nga presidenti i Republikës së Francës, Emanuel Makron. Samiti do të vazhdojë në Paris më 5 tetor 2024.
Shkup - Një i burgosur i kushton shtetit rreth 2.100 denarë në ditë ose mbi 10.000 euro në vit, varësisht nga burgu. Aktualisht në vend janë 2400 të burgosur dhe po kaq presin të hyjnë në burgjet, deklaroi drejtori i Drejtorisë për ekzekutimin e sanksioneve, Aleksandar Pandov. Ulja e numrit të të burgosurve, theksoi Pandov, mund të bëhet në tri mënyra – përmes lirimit me kusht, mbikëqyrjes elektronike dhe risocializimit më të mirë të të dënuarve, sepse 60 për qind janë të kthyer.
Shkup - Të implementohen masat e duhura agroteknike dhe parandaluese për forcimin e serave dhe strukturave të tjera, por edhe pastrimin e kanaleve për dalje më të lehtë të ujërave sipërfaqësore, rekomandojnë agrometeorologët konform paralajmërimeve të DPHM-së që nën ndikimin e aktivitetit ciklonik moti nesër dhe për fundjavë do të jetë pjesërisht i vranët me reshje të kohëpaskohshme të shiut. Reshjet, theksojnë ata, janë të nevojshme, sepse lagështia e tokës është ulur ndjeshëm pas verës së thatë.
Shkup - Në Qendrën për Menaxhim me Kriza (QMK) sipas raporteve të fundit ka pasur 1.743 thirrje në 24 orët e fundit në numrin e rasteve urgjente 112 dhe 11 zjarre në qiell të hapur në territorin e mbarë vendit të cilat janë shuar. Nga 1.743 thirrje, "reale" kanë qenë 61,04 për qind, ndërsa 38,96 për qind për raste të tjera të qytetarëve që nuk kanë qenë urgjente. Policisë i janë drejtuar 63,04 për qind, Ndihmës së shpejtë 25,36 për qind, ndërsa zjarrfikësve 8,33 për qind nga thirrjet reale në numrin 112.
Kumanovë – Një i mitur ndërroi jetë, ndërsa një person ka marrë lëndime të rënda trupore në një aksident komunikacioni i cili ndodhi mbrëmë në rrugën magjistrale Kumanovë – Kriva Pallankë në lagjen Karposh, njoftoi sot SPB Kumanovë. Në aksident ishin përfshirë një veturë “bmv” me targa të Shqipërisë dhe një motoçikletë “jamaha”. “Dje rreth orës 21:40 në SPB Kumanovë ishte raportuar se në rrugën magjistrale Kumanovë – Kriva Pallankë, në lagjen Karposh – Kumanovë, ka ndodhur një aksident komunikacioni ndërmjet veturës ‘bmv’ me targa të Shqipërisë, e drejtuar nga I.B. (37) nga Shkupi dhe motoçikletës ‘jamaha’ e drejtuar nga një i mitur nga Kumanova. Në aksident, nga lëndimet e mara në vendin e ngjarjes ka ndërruar jetë një bashkudhëtar 15-vjeçar nga motoçikleta nga Kumanova, ndërsa vdekjen e ka konstatuar një mjek i Ndihmës urgjente mjekësore. Përderisa, shoferi 16-vjeçar i motoçikletës ka marrë lëndime të rënda trupore, të konstatuara në spitalin e Kumanovës”, informoi policia.
Prilep – Dita e sotme, e premte 4 tetor është ditë zie në Prilep për shkak të vdekjes tragjike të tre nëpunësve mjekësorë të cilët dje në mëngjes humbën jetën në një aksident të rëndë komunikacioni në rrugën Prilep – Manastir. Në aksident humbën jetën: radiologu primarius dr. Aleksandar Risteski, gjinekologu Nikolla Vasileski dhe Fançe Jovanovska, radiologe teknologe. Këshilli i komunës Prilep vendimin e mori mbrëmë në mbledhje të jashtëzakonshme.
Prishtinë - Një njësi e Policisë Kufitare të Kosovës dje ka kapur tre persona të cilët po tentonin të kalonin ilegalisht kufirin nga Kosova në Maqedoninë e Veriut me traktor, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. Në raportin ditor të policisë thuhet se, në përpjekje për t'i ndaluar në qellimin e tyre, njëri nga të dyshuarit ka tentuar t'i sulmojë policët. Njëri nga personat është arrestuar, ndërsa dy të tjerët kanë ikur.
Sarajevë - Më shumë se njëqind parti do të luftojnë për favorin e votuesve në zgjedhjet lokale në Bosnje ee Hercegovinë të dielën, të tetat që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Dejtonit. Njëqind e dhjetë parti politike do të luftojnë për vota dhe zgjedhjen e kryetarëve të komunave apo shefave në 142 qytete dhe komuna, si dhe 3200 përfaqësues në këshillat e qytetit dhe komunal, si dhe në asamblenë e zonës Bërçko. Zgjedhjet lokale, sipas rregullës janë edhe një lloj testi për popullaritetin dhe ndikimin e partive që përbëjnë koalicionet qeverisëse në nivel entiteti, përkatësisht në nivel shtetëror, ndaj ka interes të madh për to.
Sarajevë - Pjesët qendrore të disa qyteteve në pjesën veriore të Hercegovinës dhe Bosnjës qendrore janë plotësisht të përmbytura, ndërsa situatë më e rënduar është në Jabllanicë e cila është plotësisht e izoluar për shkak të përmbytjeve. Gjatë natës së kaluar, reshjet e dendura të shiut kanë krijuar përrenj të cilët kanë kthyer në lumenj pjesët qendrore të disa qyteteve. Objektet e banimit dhe afarizmit janë vërshuar, ndërsa qarkullimi është në bllokim të plotë. Sipas informacioneve të Shërbimit të shpëtimit në Jabllanicë, hyrja dhe dalja nga qyteti është e pamundur. Në ndërprerje janë drejtimet rrugore drejt Mostarit dhe Sarajevës. Në faqen e tyre në Fejsbuk është publikuar një video ku shihet qendra e qytetit duke u kthyer në lumë.
Bruksel – Shtetasit e Maqedonisë së Veriut, Bosnjës e Hercegovinës, Serbisë, Shqipërisë, Malit të Zi, Kosovës, Ukrainës dhe vende të tjera qytetarëve të të cilave nuk u duhet vizë për hyrje në Bashkimin Evropian, nga 10 nëntori i këtij viti në kufij do të duhet të japin edhe gjurmët e katër gishtërinjve dhe fotografi të fytyrës, në kuadër të Sistemit të ri për hyrje dhe dalje (ЕЕС). Sipas Komisionit Evropian, ky rregull nuk vlen për fëmijë më të rinj se 12 vjet. Kjo rregullore do të zbatohet në të gjitha vendet e BE-së përveç Qipros dhe Irlandës, si dhe në Islandë, Norvegji dhe Zvicër si pjesë e zonës Shengen.
Paris - Ekonomia e BE-së duhet të bëhet më konkurruese me SHBA-në dhe Kinën ose “mund të vdesë”, tha presidenti francez Emanuel Makron në ngjarjen "Dialogu global" në Berlin. Sipas Makronit, blloku 27-anëtarësh mbetet pas Uashingtont dhe Pekinit, të cilët e kanë tejkaluar BE-në në prodhimin ekonomik dhe investimet. Ai paralajmëroi se Bashkimi Evropian është në një situatë shumë të pasigurtë dhe mund të përballet me probleme nëse nuk arrin të thellojë tregun e tij të përbashkët dhe të zgjidhë "fragmentimin".
Londër - Britania e Madhe dorëzoi koloninë e saj të fundit afrikane. Ishujt Çagos iu kthyen Mauriciusit, pas presionit ndërkombëtar dhe 13 raundeve të negociatave. Britania ka hequr dorë nga sovraniteti në një marrëveshje që do të lejonte të zhvendosurit më shumë se 50 vjet më parë të kthehen në shtëpi, por ruajti të drejtën për të përdorur bazën strategjike ushtarake që drejton me SHBA-në. Qeveria e Mauriciusit konfirmoi se ishte detyruar ilegalisht të hiqte dorë nga Ishujt Çagos në këmbim të pavarësisë së saj nga Mbretëria e Bashkuar në vitin 1968.
Gazë - Lideri i Hamasit jashtë Gazës deklaroi për Bi-Bi-Si se kriza që ka shkaktuar organizata e tij në Lindjen e Mesme që ka çuar në mijëra viktima në mbarë rajonin vitin e kaluar është e justifikueshme. I pyetur nga redaktori ndërkombëtar i Bi-Bi-Si-së, Kalil al-Haja, zëvendëslideri i Hamasit, mohoi se luftëtarët e Hamasit kanë pasur si cak civilë gjatë sulmit më 7 tetor të vitit të kaluar. Rreth 1.200 persona, kryesisht civilë izraelitë u vranë, ndërsa më shumë se 250 u dërguan në Gazë si pengje. Britania dhe qeveritë e tjera e kanë shpallur Hamasin si organizatë terroriste.
Tel Aviv – Armata izraelite (IDF) njoftoi se nga Libani drejt Izraelit janë gjuajtur rreth 20 raketa. Raketa janë gjuajtur kundër zonave izraelite Haifa dhe Galilea, prej të cilave numri më i madh ishin kapur, ndërsa të tjerat kishin goditur zonë të pabanueshme. Izraeli kryen sulme ajrore ndaj caqeve të Hezbollahut, ndërsa më 1 tetor filloi edhe operacion tokësor në pjesën jugore të Libanit.
Bejrut - Armata izraelite bëri thirrje për evakuim urgjent të banorëve në më shumë se 30 fshatra në jug të Libanit. Zëdhënësi i forcave izraelite të mbrojtjes u tha që t'i lëshonin shtëpitë e tyre "menjëherë" dhe "të drejtohen në veri të lumit Avali". "Çdokush i cili është në afërsi të elementeve, infrastrukturës dhe pajisjeve luftarake të Hezbollahut, vë në rrezik jetën e tij", ka shkruar Aviçai Adri në postimin në "X", duke shtuar se "çdo lëvizje drejt jugut mund të çojë deri në rrezik".
Kinshasa - Të paktën 78 persona u mbytën pasi një varkë me 278 pasagjerë u përmbys në liqenin e Kivit në Republikën Demokratike të Kongos, kumtoi guvernatori i provincës së Kivit jugor, Zhan Zhak Purisi. Anija e mbingarkuar u përmbyt vetëm disa metra larg nga porti në Kituku. "Janë të nevojshme të paktën tre ditë për të marrë numrat e saktë, ende nuk janë gjetur të gjithë trupat", potencoi Purisi.
Port-o-Prens - Të paktën 11 persona humbën jetën, ndërsa dhjetëra u plagosën në një sulm të bandës së armatosur Gran Grif në qytetin Pond-Sonde të Haitit. Bandat e Haitit po përpiqen të zgjerojnë ndikimin e tyre jashtë kryeqytetit Port-o-Prens ndaj Pont-Sondes. Për shkak të dhunës pothuajse mijëra banorë u larguan nga qyteti. Pont-Sonde gjendet në rajonin Artibonit ku prodhohet orizi, duke përkeqësuar kësisoj krizën e urisë.
Nju Jork - Incidenti në konferencën për media me ministren gjermane të Punëve të Jashtme, Analena Berbok gjatë mbledhjes së 79-të të Asamblesë së përgjithshme të KB-së në Nju Jork javën e kaluar çoi në kufizimin e qasjes së gazetarit rus, raporton DPA. "Gazetari i Kanal 1 të televizionit shtetëror rus është munduar ta takojë Berbokin gjatë rrugës për takim me gazetarët gjermanë. Më pas ai u përpoq të qëndronte pranë ministres së Jashtme gjermane përpara se ajo të fillonte fjalimin e saj.
Los Anxhelos - Aktori i njohur amerikan Xhon Amos ka ndërruar jetë me 21 gusht, por këtë javë u bë e ditur për vdekjen e tij. Vdekjen e Xhonit e bëri të ditur djali i tij Keli Kristofer K. Amos. Përveç adhuruesve për lajmin e hidhur përmes mediave e kuptoi dhe vajza e tij, Shanon Amos. "Mbeta pa fjalë. Familja jonë mori lajmin e rëndë se babai im Xhon Alen Amos, ndërroi jetë me 21 gusht. Ne jemi të shkatërruar dhe kemi kaq shumë pyetje se si ndodhi kjo 45 ditë më parë, ndërsa e kuptuam përmes mediave si shumica prej jush. Kjo duhet të jetë një kohë për ta respektuar jetën e tij, ndërsa ne po luftojmë me emocionet e përziera dhe pasigurinë rreth vdekjes së tij", deklaroi vajza në faqen e saj të internetit.
Uashington - Ish kongresmenja e Partisë Republikane, Liz Çejni mbrëmë mori pjesë në tubimin parazgjedhor në Ripon të Viskonsinit në mbështetje të kandidates së Partisë nga radhët e demokratëve, Kamala Haris. Çejni deklaroi se ish presidenti i SHBA-së dhe kandidati republikan për president Donald Tramp "nuk është i aftë ta udhëheq SHBA-në". Liz është vajza e ish nënpresidentit të SHBA-së, Dik Çejni në mandatin e Xhorxh Bushit të ri.
Uashington - Pentagoni kumtoi se NATO nuk do t’i “presë” raketat dhe dronët rusë mbi Ukrainë, ashtu siç bën mbi Izraelin, sepse janë "dy fushëbeteja krejtësisht të ndryshme". Zëvendësja për media e Pentagonit, Sabrina Sing, theksoi se Ukraina ka qenë shumë e suksesshme në shfrytëzimin e mbrojtjes ajrore. Ajo, gjithashtu, raportoi për një bisedë midis shefit të Pentagonit, Llojd Ostin dhe ministrit të Mbrojtjes së Ukrainës, Rustem Umerov. Presidenti amerikan Xho Bajden ka premtuar se SHBA nuk do të ndërhyjë drejtpërdrejt në luftë, por do të vazhdojë të mbështesë Kievin në përpjekjet e tij për të rimarrë territorin e tij.
Uashington - Numri i viktimave nga uragani "Helena" në pjesën juglindore të SHBA-së ka arrit të paktën në 215 persona. Ekipet e shpëtimit dhe vullnetarë, të cilët ballafaqohen me pengesa në çdo hap në pyjet e largëta të shtetit federal amerikanë të Karolinës së Veriut, po lundrojnë në lumenj të përmbytur me kano dhe po përdorin kuajt për të ecur në përpjekje për të arritur më shpejt tek njerëzit të cilët janë bllokuar. Një javë pasi stuhia goditi për herë të parë bregun e Gjirit të Floridës, vazhdon kërkimi për personat të cilët ende nuk janë gjetur në zonat ku shërbimi telefonik dhe energjia elektrike është ndërprerë. Apelet për ndihmë vijnë nga banorët vendas të cilëve u mungojnë ilaçet ose kanë nevojë për karburant për gjeneratorët e tyre.
Dortmund – Karim Adejemi i cili shënoi het-trik në fitoren bindëse 7-1 të Borusia Dortmundit kundër Seltikut në Ligën e kampionëve, do të jetë jashtë terrenit tre deri në katër javë për shkak të lëndimit. Mediat gjermane publikuan se bëhet fjalë për lëndim në muskuj, por ende nuk e kanë konfirmuar natyrën e dëmtimit të sulmuesit. Sipas të gjitha vlerësimeve, Adejemi me gjasë do të mungojë në ndeshjen e së shtunës në Bundesligë kundër Union Berlint, si dhe duelin e planifikuar për më 18 tetor, pas pauzës me reprezentacionin ku Dortmundi pret St. Paulin.
Amsterdam – Ish lojtari i njohur i kombëtares holandeze dhe lojtar i Interit dhe Real Madridit, Uesli Snajder, ka paralajmëruar se planifikon ta fillojë karrierën si trajner. “Jam vetëm 40 vjeç, kam shumë kohë. Ende nuk e kam filluar kursin, por është në planet e mia. Me të vërtetë kam për qëllim të filloj karrierën si trajner, por për momentin janë disa probleme personale”, tha Snajder për mediat holandeze. Snajder përfundoi karrierën e tij si futbollist në gusht të vitit 2019.