• четврток, 19 март 2026
MIA Flesh

15:00/ 26 shkurt/ 2026

Shkup - Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi sot deklaroi se politika nuk duhet të përzihet në gjyqësi dhe se si i pari i shtëpisë ligjvënëse nuk do ta komentojë kthimin në vend të Artan grubit, ish-zëvendëskryeministër nga radhët e BDI-së i dyshuar për keqpërdorime, dhe si kjo do të reflektohej ndaj partive opozitare, por edhe në koalicionin VLEN. "Kuvendi dhe unë si kryetar i Kuvendit nuk është mirë të komentoj vendime politike, por atë që e kam deklaruar publikishst që është parimore dhe mund ta përsëris se është koha e fundit të ndalojmë së përzieri në gjyqëssi. Ai perceptim tek qytetarët se ka ndonjë marrëveshje, lë ndjenjë të keqe tek të gjithë qytetarët, kështu që porosia ime do të ihte përfundimisht secili institucion ta kryejë punën e vet, në këtë pjesë gjyqësori dhe prokuroria. Ka proces, le ta kryejnë punën e tyre me ndërgjegje dhe me profesionalizëm. Kjo do të mjaftojë që të gjithë qytetarët të jenë të kënaqur. Në fund të fundit e rëndësishme është drejtësia", deklaroi Gashi.

Shkup - Kryetari i Komunës së Çairit dhe njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti ka pritur sot në Shkup, presidentin e Shqipërisë Bajram Begaj, i cili ka nisur një vizitë zyrtare disa ditore në Maqedoninë e Veriut. Mexhiti ka qenë i shoqëruar nga zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai. “Mirë se erdhe vëlla, president i Shqipërisë Bajram Begaj”, ka shkruar Mexhiti në një postim në rrjetet sociale, duke shpërndarë fotografi nga momenti i pritjes së ngrohtë për kreun e shtetit shqiptar.

Shkup - Zëvendëskryeministri Arben Fetai ka njoftuar sot se ka pasur nderin dhe kënaqësinë e veçantë të jetë nikoqir kryesor në pritjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare. Në një postim në Fejsbuk, Fetai ka theksuar se gjatë gjithë vizitës do ta shoqërojë presidentin Begaj nga takimet institucionale e deri në ceremoninë e përcjelljes, me përkushtimin maksimal për ta bërë këtë vizitë sa më të frytshme dhe domethënëse për të dy vendet. Ai e ka konsideruar vizitën si një moment të rëndësishëm për forcimin e marrëdhënieve vëllazërore mes dy vendeve dhe për thellimin e bashkëpunimit në fusha kyçe si ekonomia, arsimi, kultura dhe integrimi evropian. “Besoj fuqishëm se përmes dialogut të hapur dhe partneritetit të sinqertë do të vazhdojmë të ndërtojmë ura të reja bashkëpunimi në të mirë të qytetarëve tanë dhe të gjithë rajonit”, ka shkruar Fetai, duke shprehur mirënjohje për vizitën dhe angazhimin e përbashkët drejt një të ardhmeje edhe më të afërt mes dy vendeve.

Shkup - Qeveria planifikon të ndërtojë autostrada të reja me qëllim të lidhjes më të mirë rajonale, njoftoi zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikoloski. Nikoloski thotë në podkastin e TV "Sitel" se planet përfshijnë ndërtimin e një autostrade të re nga Koçani deri në kufirin me Bullgarinë, një autostrade të re nga Radovishi në Strumicë dhe një lidhje të re të Korridorit 10 me Korridorin e Strumës përmes ndërtimit të një autostrade nga Smokvica nëpërmjet Strumicës deri në kufirin me Bullgarinë. Lidhur me segmentin nga Kumanova në Stracin, Nikoloski informoi se tashmë po punohet në procedurat e përbashkëta me Bashkimin Evropian, të cilat do të përfundojnë lidhjen me segmentin nga Stracin në Kriva Palankë, i cili u lëshua në qarkullim vitin e kaluar.

Shkup - Edhe pas vitit 2028, VMRO-DPMNE dhe partnerët e saj të koalicionit do të formojnë qeverinë e ardhshme dhe nuk e shoh se si ju me politika kaq jopopullore dhe duke përfaqësuar inde të buta do të jeni në gjendje të ktheni disa nga votuesit e humbur, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski në përgjigjen e pyetjes së deputetit dhe kryetarit të LSDM-së, Venko Filipçe. Filipçe e ka pyetur kryeministrin se kush është Dushan Adamoviqi, pse është emëruar konsull në Beograd dhe nëse ka një marrëdhënie personale me të, ndërsa dha kritika me nënpyetje mbi kërkesat për rritje të pagave, duke shpjeguar se ka thënë se ligjet duhet të respektohen, por bëri një rritje lineare të pensioneve. Ai kritikoi gjithashtu situatën në bujqësi, energjetikë, ligjin e ri për arsimin e lartë, integrimet evropiane...

Shkup - Deputetët Sanja Llukarevska, kryetare e Komisionit për Financim dhe Buxhet, dhe Toni Jarevski, zëvendëskryetar i Komisionit për Çështje Ekonomike, Punë dhe Politikë Energjetike, morën pjesë në Konferencën Ndërparlamentare kushtuar stabilitetit, koordinimit ekonomik dhe qeverisjes në BE. Konferenca u mbajt më 23 dhe 24 shkurt 2026 në Bruksel, Belgjikë, e organizuar nga Parlamenti Evropian dhe Dhoma e Përfaqësuesve të Republikës së Qipros, në kuadër të Kryesimit të Qipros me Këshillin e Ministrave të BE-së. Përveç delegacionit të Kuvendit, në Konferencë morën pjesë edhe përfaqësuesit e parlamenteve kombëtare të vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve kandidate për anëtarësim në BE, përfaqësuesit e Parlamentit Evropian dhe përfaqësuesit e disa institucioneve evropiane.

Shkup– Këshilli për vlerësimin e aktakuzës në kuadër të Gjykatës Penale Themelore Shkup mori vendime me të cilat në tërësi i aprovoi dy aktakuzat e parashtruara nga Prokuroria Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit pas çka janë formuar edhe dy lëndë penale – juridike, në lidhje me zjarrin në Koçan dhe me programin IPARD.  Lënda e parë ka të bëjë me 13 nëpunës policorë, të cilët akuzohen për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme, në lidhje me zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan.  “Me vendimin aprovohet në tërësi aktakuza kundër 13 nëpunësve policorë, të cilët akuzohen se kanë kryer vepër penale – vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme, në lidhje me zjarrin, i cili më 16 mars të vitit 2025 shpërtheu në objektin ‘Puls’ në Koçan”, bëhet e ditur në kumtesën e gjykatës. 

Shkup – Qeveria në seancën e saj të fundit e konfirmoi tekstin e harmonizuar të ndryshimeve në Ligjin për komunikime elektronike dhe do ta dërgojë të njëjtën në Bashkimin Evropian për shqyrtim, me çka do të jemi ndër vendet e para që do të përmbushin plotësisht kërkesat e përcaktuara në programin “Roaming si në shtëpi” në mënyrë që qytetarët dhe bizneset nga Maqedonia e Veriut të mund të përdorin shërbime mobile në BE pa kosto shtesë, tha ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski. Informacioni nga Komisioni Evropian nga dje, siç theksoi Andonovski, tregon se procesi është i gjallë dhe ne jemi të përfshirë në realizimin e tij.

Shkup - Komisioni kuvendor për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve sot në seancë unanimisht e miratoi vendimin për përcaktimin e koeficientëve për përcaktimin e pagës së Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, deputetëve të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe funksionarëve të zgjedhur dhe të emëruar nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në përputhje me këtë vendim, koeficienti për përcaktimin e pagës së Presidentit të Shtetit, kryetarit të Parlamentit dhe Kryeministrit është 3,17, më pas i nënkryetarit të Kuvendit, kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, kryerevizorit shtetëror të Entit Shtetërore të Revizionit dhe drejtorit të Agjencisë Operative-Teknike - 2,81.

Shkup - Për BE-në nuk do të zhvillojmë politikë butakësh, njëqind herë ju thashë, i tha kryeministri Hristijan Mickoski, liderit të LSDM-së Venko Filipçe në seancën e sotme për pyetje deputetësh. Mickoski i tha Filipçes se ai është indi i butë i identitetit kombëtar maqedonas. "Ne nuk do të udhëheqim politikë butakësh. Ju jeni indi i butë dhe përderisa bëni deklarata të tilla, do të kemi politikanë nga Bullgaria që do ta dinë se ekziston një ind i butë në identitetin kombëtar maqedonas dhe gjithmonë do të përpiqen të luajnë me kartën e rezistencës më të vogël. Me këtë nuk mund të arrini asgjë. Do të mbaheni mend në histori si njeriu që ishte indi i butë dhe si partia që ishte indi i butë i identitetit kombëtar maqedonas. Nuk jua rekomandoj këtë. Ju e dini se çfarë do të thotë të mbaheni mend në histori, ju jeni nga Ohri, e dini se kush i ka tradhtuar dhe si i ka tradhtuar eshtrat", ka thënë Mickoski.

Shkup – Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi sot se ish zëvendëskryeministri Artan Grubi është siguruar nga ana e organeve të rendit dhe e gjithë procedura e mëtutjeshme është vendim i pushtetit gjyqësor.  “I arratisuri është siguruar nga forcat e rendit. Çdo gjë tjetër është një vendim i një pushteti tjetër - pra gjykatës. Nuk ka të bëjë fare me Qeverinë. Por nënndërgjegjja është e çuditshme dhe tani secili prej tyre po vë në dyshim atë që di ky person. Dhe kjo i ‘stërvit’. Le të mos e zgjerojmë çështjen nga ‘Lotaria’, kështu që le të kalojmë te Shëndetësia ose ndoshta diçka që lidhet me pjesën e dytë të pyetjes suaj - me kanabisin. Tani ata janë ulur dhe në ankth. Dhe po mendojnë, dhe ndërgjegjja e tyre po punon. Ata janë të shqetësuar se si mund të përfundojë e gjithë kjo sepse Lupço Kocevski nuk është më aty, njerëzit që ishin mburoja e tyre e fundit nuk janë më aty. Tani do të vijë një prokuror i ri i pavarur, do të shohim si do të jetë, dhe këtu presim që drejtësia të mbrohet. Dhe ata që ndërgjegjja e të cilëve tani po punon, janë të shqetësuar, kanë vështirësi të flenë, janë nervozë - mund ta shihni në konferencat për media. Shqetësimi po lë gjurmët e veta. Tani thonë se po vjen fundi. Dhe kur vjen fundi, ata përpiqen si një mace të zhduken para syve të tyre. Por ata harruan se ne jemi luanë dhe njerëz si ata do të mbahen përgjegjës. Dhe ajo nënndërgjegje do të vazhdojë t'u shkaktojë trazira në periudhën që vjen”, tha Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes nga deputeti Lupço Prenxhov në lidhje me paraburgimin dhe arrestin shtëpiak të Grubit.

Shkup – Pajisje në vlerë prej 150 mijë euro, si dhe mbështetje këshillimore dhe trajnim i ekspertëve për Ekipin Qeveritar për reagim ndaj incidenteve kibernetike MKD-CIRT, të siguruara në kuadër të projektit “Mbështetja e BE-së për zhvillimin e kapaciteteve për siguri kibernetike në RMV”, u promovuan sot në Ministrinë e Transformimit Digjital.  Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, në fjalimin e tij në promovim, theksoi se projekti përfaqëson një shembull të fortë se si partneriteti me Bashkimin Evropian sjell rezultate konkrete për vendin, nëpërmjet përforcimit të kapaciteteve nacionale të sigurisë kibernetike dhe përmirësimit të qëndrueshmërisë së institucioneve. “Qëllimi ynë është një shtet digjital i qartë, i sigurt, i lidhur dhe evropian”, deklaroi Andonovski.

Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi sot se deri tani janë marrë gjashtë licenca ndaj kompanive për kultivimin e kanabisit dhe pret që ky numër të rritet në periudhën e ardhshme. "Kjo qeveri tashmë ka hequr gjashtë licenca dhe nga informacionet që kam - disa të tjera do të revokohen në periudhën e ardhshme, kontrollet vazhdojnë, pres që një numër i madh licencash të revokohen. Por, gjithashtu, për mua, ajo që është bërë vitet e fundit pasi politika kryesore ekonomike e qeverisë së mëparshme bazohej në dhënien e licencave dhe kultivimin e luleve të kanabisit dhe të mos harrojmë abonimin prej 150 denarësh për RTM-në, të cilin më pas pesë herë e paguan. Kjo ishte politika kryesore ekonomike e qeverisë së mëparshme dhe është normale të përhapet histeri këtë tani që e bëjnë nga opozita, pa ofruar asnjë zgjidhje", theksoi Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetëve nga deputeti Lupço Prenxhov në lidhje me hetimet për koncesionet e kanabisit.

Shkup – Gjatë muajit të parë të zbatimit të sistemit “Qyteti i sigurt” në Gjykatën Themelore Penale Shkup janë parashtruar gjithsej 476 ankesa (kërkesa për fillimin e procedurës për kundërvajtje para gjykatës), prej të cilave 431 ankesa nga persona juridikë dhe 45 ankesa nga persona fizikë, për të cilat po veprojnë 16 gjykatës nga departamenti për kundërvajtje në kuadër të Gjykatës Themelore Penale.  Nga Gjykata Themelore Penale Shkup informojnë se qytetarët dhe personat juridikë të cilët nuk e pranojnë përgjegjësinë për shkeljen e bërë kanë të drejtë ligjore të parashtrojnë ankesë në gjykatën kompetente. 

Moskë - Shefi i diplomacisë ruse, Sergej Lavrov deklaroi se Rusia vlerëson se zgjidhja e sfidës për zgjidhje paqesore në Ukrainë është kyçe dhe se nuk përqëndrohet në kurrfarë afate. "A keni dëgjuar diçka nga ne për afate? Nuk kemi afate, kemi qëllime. Punojmë në to", tha Lavrov, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, të transmetuar nga mediat ruse. Ai, po ashtu, deklaroi se "eskalimi i retorikës bërthamore para bisedave për Ukrainën del nga mohimi se nuk ka mënyrë që Rusia të humb në sitatën aktuale". "Me siguri jeni të shqetësuar se asgjë nuk shkon për vullnetin e tyre, mendoj. Ndërsa qëllimi është që Rusia përsëri të humb. Ata thonë: 'Ukraina fiton'. Pra, nëse ashtu e shohin këtë", u tha gazetarëve ministri rus i Punëve të Jashtme.

Uashington - Këshilltarët e lartë të presidentit të SHBA-së, Donald Tramp, angazhohen për atë që Izraeli ta kryejë sulmin e parë ndaj Iranit para aksionit eventual amerikan, me qëllim që të sigurohet përkrahje më e madhe nga opinioni amerikan për hyrjen e SHBA-së në konflikt, deklaruan burime nga Shtëpia e Bardhë për "Politiko". Sipas infromatave të dy burimeve, një pjesë e ekipit të Trampit beson se sulmi izraelit do të shkaktonte hakmarrje iraniane, që pastaj do ta lehtësonte mobilizimin e përkrahjes së votuesve për sulmin amerikan ndaj Iranit. Vlerësimi, siç thuhet, është se qytetarët amerikanë më lehtë do të pranonin luftë nëse SHBA-ja ose aleati i saj sulmohen. Këto burime njoftojnë se, edhe krahas mendimeve të tilla, skenari më i sigurt është operacioni i përbashkët amerikano-izraelit.

Madrid - Portieri i Real Madridit, Tibo Kurtoa, është autokritik pas ndeshjes së mbrëmshme me Benfikën (2:1) në ndeshjen e dytë të plejofit të Ligës së Kampionëve. "Real Madridi pati vështirësi në pjesën e parë. Patëm probleme në mbrojtje dhe nuk kontrolluam mirë shumë zona, prandaj pësuam gol. Në pjesën e dytë, i zvogëluam ato zona dhe loja jonë u përmirësua. Kur e mbajmë topin për një kohë të gjatë pa e lëvizur shpejt dhe drejtpërdrejt, i jep kundërshtarit mundësinë të përshtatet dhe të mbrohet në mënyrë efektive. Duhet të veprojmë më shpejt", tha Kurtoa për "Movistar". "Ekipi mbretëror" fitoi ndeshjen e parë 1:0, duke u kualifikuar për raundin e 16-të të Ligës së Kampionëve, ku do të përballen ose me Mançester Sitin ose Sportingun. Shorti për raundin e 16-të në garën elitare të futbollit do të mbahet nesër duke filluar nga ora 13:00 në selinë e UEFA-s në Nion.

Madrid - Sulmuesi i ekipit saudit Al-Nasër, Kristiano Ronaldo u bë bashkëpronar i klubit spanjoll në Ligën e dytë, Almeria. Sipas kumtesës zyrtare të portugezit, kontrata është lidhur përmes kompanisë së tij "CR7 Sports Investments". Vlera e marrëveshjes nuk u publikua. "Kristiano Ronado e publikon pronësinë e 25 për qind nga aksionet në klubin spanjoll të Ligës së dytë, Union Deportivo Almeria, që është hap i rëndësishëm në zgjerimin e vazhdueshëm të portofolios së tij investuese globale", thuhet në kumtesë. Kryetari i Almerias është biznesmeni saudit, Mohamed Al-Kereji. "CR& Sports Investments" është degë e sapothemeluar e grupacionit "CR7 SA", e formuar për t'i konsoliduar dhe menaxhuar investimet e sulmuesit. Zgjedhja ra në klubin andaluzian, shtëpi e lojtarëve portugezë, duke përfshirë edhe ish bashkëlojtarin e Ronaldos në Sporting, Migel Anhel.

Остани поврзан