12:00 / 18 mars / 2026
Shkup - Me fluturimin e djeshëm, është përfunduar plotësisht evakuimi i të gjithë shtetasve të Maqedonisë nga vendet e Lindjes së Mesme që deri tani ishin regjistruar dhe kishin shprehur gatishmëri për evakuim, informoi Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme. "Me fluturimin e fundit, të pestin, i cili dje zbriti në aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, janë evakuuar gjithsej 147 udhëtarë, nga të cilët 119 janë shtetas të Maqedonisëdhe 28 shtetas të huaj. Me këtë, shteti tregoi gatishmërinë për të reaguar në kohë në situata krizash, për të siguruar mbrojtjen e qytetarëve të Maqedonisë, por edhe për të treguar solidaritet ndaj qytetarëve nga vendet mike të rajonit dhe më gjerë, theksohet në kumtesën e MPJdheTJ.
Shkup - Kryeministri dhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, me delegacionin partiak, prej sot deri më 20 mars, do të marrë pjesë në kongresin e Partisë Popullore Evropian në Bruksel, në të cilën janë të ftuar edhe kryetarja e Komisionit Evropian, Usurla fon der Lajen, dhe si kryetarja e Parlamentit Evropian, Roberta Mecola, kumtoi qendra e shtypit e VMRO-DPMNE-së. Nga aty theksojnë se prania në kongres është një konfirmim i vendosmërisë së fortë të Republikës së Maqedonisë ndaj integrimit evropian, si dhe se kjo mundësi do të shfrytëzohet për takime dypalëshe me presidentët, kryeministrat dhe liderët pjesëmarrës nga familja e Partisë Popullore Evropiane.
Shkup - Temperatura minimale më e ulët është matur këtë mëngjes në Kodrën e Diellit, tre gradë nën zero, informuan nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike. U regjistrua 0 gradë celsius në Hanet e Mavrovës, Krushevë, Lazaropolë, 1 në Berovë, 3 në Kriva Pallankë, Pretor, 4 në Manastir, Prilep dhe Vinicë, 5 në Ohër, Tetovë dhe Shtip, 6 në Kumanovë dhe Veles, 7 në Shkup-Zajçev Rid, si dhe në Shkup-Petrovec. Strumicë dhe Kavadar. si dhe 8 në Demir Kapi dhe Gjevgjeli.
Linkoln – Të paktën një person ka humbur jetën, ndërsa afro 800.000 hektarë tokë u dogjën në zjarre të mëdha pyjore të cilat e kapluan Nebraskën gjatë valës së të nxehtit në perëndim të vendit. Guvernatori i Nebraskës, Xhim Pilen, tha se katër zjarret e mëdha që kanë shpërthyer nga java e kaluar janë “zjarret më të mëdha pyjore në historinë e shtetit”, informon En-Bi-Si. Zjarret ishin nxitur nga lagështia e ulur dhe erërat e fuqishme të cilat arritën shpejtësinë deri 98 kilometra në orë gjatë fundjavës.
Vjenë - Një projektil mbrëmë goditi centralin bërthamor "Busher" në Iran, njoftoi Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore (ANEB). Agjencia, e cila është organi i Kombeve të Bashkuara për kontrollin dhe sigurinë e energjisë bërthamore, përmes një postimi të publikuan në platformën "Iks" kumtoi se në informacionin rreth sulmit i marrë nga autoritetet iraniane nuk kishte raportime për ndonjë dëmtim në vetë objektin apo lëndime të personelit.
Paris – Vizitorët e Kullës së Ajfelit prej tani mund të kalojnë përmes një urë të varur me litarë midis dy shtyllave të këtij atraksioni të famshëm parizian. Atraksioni i përkohshëm, i cili u hap dje, shtrihet në 40 metra midis niveleve të para të shtyllës lindore dhe perëndimore të kullës dhe varet në afro 60 metra mbi tokë. Deri dje pasdite ishte formuar një radhë e gjatë me banorë vendas dhe turistë të paduruar për ta provuar instalacionin, transmetoi DPA.
Bruksel – Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen në fund të këtij muaji do ta vizitojë Australinë, në takim me kryeministrin Antoni Albaneze me qëllim arritjen e marrëveshjes tregtare ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Australisë. Të dyja palët para pak kohësh sinjalizuan përparim në bisedimet tregtare, pas mossuksesit të rrethit të parë të bisedimeve në vitin 2023, kryesisht për shkak të mosmarrëveshjeve rreth qasjes në produkte bujqësore.
Tel Aviv - Të paktën dy persona u vranë në një sulm me raketa iraniane ndaj Izraelit, kumtuan mediat lokale herët këtë mëngjes. Viktimat u plagosën rëndë në sulmin në qytetin Ramat Gan në afërsi të Tel Avivit, ndërsa më vonë ndërruan jetë nga plagët e marra, transmetuan gazetat "Haarec" dhe "Tajms of Izrael", duke cituar informacione nga shërbimi i emergjencës "Magen David Adom". Dy persona të tjerë pësuan lëndime të lehta në sulmet në lagjet Bnei Brak dhe Petah Tikva, në lindje të Tel Avivit.
Bejrut - Izraeli sot i intensifikoi sulmet ajrore ndaj pjesës qendrore të Bejrutit, me ç'rast jetën e kanë humbur të paktën 12 persona, rreth 30-të janë lënduar dhe është shkatërruar një ndërtesë 10-katëshe, kumtuan autoritetet libaneze. Bejruti ishte cak i sulmeve gjatë natës, të cilat vazhduan edhe në mëngjes, posaçërisht në paralagjet jugore, të cilat janë nën kontrollin e grupit militant libanez Hezbollah dhe të cilat Izraeli vazhdimisht i bombardon, prej se Hezbollahu, me përkrahje të Iranit, ka hyrë në luftë në Lindjen e Mesme si shenjë përkrahjeje për Teheranin.
Teheran – Vrasja e Ali Larixhanit nuk do të ndikojë mbi stabilitetin e Iranit. Sistemi politik në Iran është i fuqishëm dhe rezistues, deklaroi ministri iranian i Punëve të Jashtme, Abas Aragçi. “Nuk e di pse amerikanët dhe izraelitët ende nuk e kuptuan atë gjendje faktike: Republika Islamike Iran ka strukturë të fuqishme politike me institucione politike, ekonomike dhe shoqërore”, tha Aragçi. Ai edhe theksoi se “prania ose mungesa e një individi nuk ndikon mbi atë strukturë”.
Teheran – Qëndrimi i Iranit për të mos zhvilluar armë bërthamore me shumë gjasa nuk do të ndryshojë dukshëm. Këtë e deklaroi ministri i Punëve të Jashtme të iranit, Aras Aragçi, i cili gjithashtu theksoi se lideri i ri suprem ende nuk e ka shprehur publikisht qëndrimin e tij për këtë çështje. Ish-lideri suprem, ajatollahu Ali Hamnei, i cili vdiq në fillim të sulmeve amerikano-izraelite ndaj Iranit, që në vitin 2000 me fetva ose dekret fetar u deklarua kundër aktiviteteve për të zhvilluar armë për shkatërrim masiv.
Dakar - Federata senegaleze e futbollit ka për qëllim të ankohet deri te Gjykata e arbitrazhit për sport (CAS) për vendimin e Konfederatës së futbollit afrikan (CAF) për ndarjen e Kupës afrikane të kombeve për vitin 2025 për Marokun. "Federata senegaleze e futbollit e dënon këtë vendim jo të drejtë, pa precedent dhe të papranueshëm, i cili sjell turp për futbollin afrikan. Për t'i mbrojtur të drejtat e veta dhe interesat e futbollit senegalez, Federata do të parashtrojë ankesë deri te Gjykata e arbitrazhit për sport në Lozanë sa më shpejtë", thuhet në kumtesën e Federatës.