• сабота, 21 декември 2024
MIA Flesh

09:00/9 tetor/2024

Shkup - Në Kuvend sot mbledhje do të mbajnë katër komisione - Komisioni për transport, transformim digjital, mjedis jetësor dhe planifikim hapësinor, Komisioni ligjvënës juridik, Komisioni për mbrojtje dhe siguri dhe Komisioni për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve. Propozim ligji për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për mediume në lexim të dytë është pika e vetme e rendit të ditës të Komisionit për transport, transformim digjital, mjedis jetësor dhe planifikim hapësinor dhe Komisionit ligjvënës juridik. Anëtarët e Komisionit për mbrojtje dhe siguri do ta shqyrtojnë Informatën për nevojën për ndryshim të Marrëveshjes për sigurim të shërbimeve - remonti i helikopterëve Mi-8T të Ministrisë së Mbrojtjes, me tekst të harmonizuar të Aneksit nr.1 drejt Marrëveshjes.

Shkup - Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, sot do të mbajë brifing me gazetarët me rastin e 100 ditëve të punës së Ministrisë së Transformimit Digjital. Siç njoftuan nga Ministria, brifingu do të mbahet në ambientet e reja të Ministrisë, ndërsa pas përfundimit të tij ministri Andonovski do të japë deklaratë për media. Andonovski në një deklaratë pas marrjes së detyrës theksoi se misioni i tij kryesor në mandatin katërvjeçar është të udhëheqë transformimin digjital të Maqedonisë së Veriut përmes politikave inovative, investimeve strategjike si dhe partneriteteve për bashkëpunim, forcim të qytetarëve, bizneseve dhe institucioneve me mjete dhe njohuri digjitale, duke inkurajuar shoqërinë e përparuar teknologjikisht, gjithëpërfshirëse dhe pa korrupsion.

Shkup - Në hapësirat e INNO FEIT sot në organizim të Forumit për ndryshime arsimore dhe platforma për digjitalizim të universiteteve shtetërore #DigiU, do të mbahet ngjarje me titull "Rruga drejt transformimit digjital të universiteteve shtetërore - Dialog ndërmjet institucioneve kompetente, universiteteve dhe kuvendeve studentore". Qëllimi i ngjarjes, siç kumtuan organizatorët, është t'i mbledhë rektorët e të gjitha universiteteve shtetërore, përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Komisionin për Arsim dhe Shkencë pranë Kuvendit, si dhe përfaqësues të kuvendeve studentore, për të diskutuar së bashku për sfidat e digjitalizimit dhe të propozojnë rekomandime për përshpejtimin e këtij procesi.

Shkup - Gjykata kushtetuese sot në mbledhje do të duhet të sjellë vendim përfundimtar rreth propozim-procedurës për vlerësim të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së "balancuesit" - veglës për punësim sipas përkatësisë nacionale në institucionet shtetërore. Në rend dite të Mbledhjes së 27-të të Gjykatës kushtetuese të caktuar për më 9 tetor janë paraparë gjashtë nisma për vlerësim të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, si dhe votim rreth gjashtë propozimeve për sjellje të vendimeve përfundimtare dhe të konstatojë pesë projekt-zgjidhje.

Shkup - Në organizim të Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale dhe Komunës së Ohrit sot do të prezantohen rezultatet e mbështetjes infrastrukturore për avancimin e shërbimeve shëndetësore dhe turizmit shëndetësor. Prezantimi përfshin pajisjen e qendrës moderne për terapi fizikale në spitalin "Shën Erazmo" dhe rikonstruimin në ISHP  Kardiologjia "Shën Stefan"-Ohër, arritje të mundësuara në kuadër të projektit "Zhvillim rajonal i barabartë gjithëpërfshirës dhe i qëndrueshëm", të cilat i realizonte Ministria e Vetëqeverisjes Lokale me mbështetjen e Qeverisë së Zvicrës.

Shkup - Instituti për Media dhe Analitikë (IMA) sot organizon panel diskutim me temë "Si raportuan mediat për integrimet evropiane para dhe pas zgjedhjeve?". Panelistë janë Sllobodanka Jovanovska, gazetare dhe redaktore e politikës së jashtme, prof. Sefer Tahiri, profesor universitar i gazetarisë dhe komunikimit publik dhe Zharko Trajanoski, udhëheqës i kërkimit në IMA. Ata do të paraqesin konstatimet kryesore të analizave të tyre nga monitorimi i IMA-s për rportim mediatik në këtë temë. Moderator i ngjartjes është Petrit Saraçini.

Shkup - Universiteti "Shën Kirili dhe Metodi" në Shkup sot do të prezantojë platformën e re digjitale të bazuar në intelegjencën artificiale për transkiptimin e të folurit në gjuhën maqedonase - "Buki". UKIM njoftoi se duke ndjekur trendet moderne për kultivimin dhe përdorimin e gjuhës maqedonase, modeli digjital është krijuar nga Dejan Porjazovski, ekspert i teknologjive të intelegjencës artificiale për njohjen e të folurit nga Universiteti "Aalto" në Finlandë, si pjesë e aktiviteteve të Qendrës për Hulumtime Ndërdisiplinore të Avancuara (CeNIIs) pranë UKM-së, i udhëhequr nga prof.dr. Ordan Çukaliev.

Shkup - Regjim të përkohshëm të komunikacionit nga data 08.10.2024 deri më 31.12.2024 do të ketë në autostradën A1 aksi Veles - Negotinë për shkak të ndërtimit të aksit Gradsko - Drenovë. Siç njoftojnë nga LAMM pas njoftimit nga STRABAG AG Shkup, komunikacioni do të zhvillohet nën regjim të përkohshëm me sinjalistikë të vendosur të komunikacionit. Në autostradën Shkup - Kumanovë, më saktë autostrada A1/A2 aksi nga qarkorja ZZHTI Bunarxhik deri para pikë-pagesës Milladinovci, 04.10 - 10.10.2024 prej orës 7:00 deri në orën 19:00 do të zhvillohen aktivitete ndërtimore për rehabilitim dhe riparim të korsisë së majtë (të shpejtë) e cila do të jetë e mbyllur për qarkullim dhe komunikacioni do të zhvillohet në korsinë e djathtë dhe ndihmëse ku është vendosur sinjalizim adekuat rrugor, njoftojnë nga DSHTSH Eskavatori - MK SHPKNJP

Shkup - Moti sot do të jetë me vranësira të ndryshueshme, paradite me shi të kohëpaskohshëm lokal dhe me kushte për paraqitjen e bubullimave të rralla.  Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare, ndërsa në vende-vende në pjesët  perëndimore herë pas here erë e fortë nga drejtimi jugor. Temperatura minimale do të jetë në interval prej 4 deri në 12, ndërsa maksimalja do të arrijë nga 20 deri në 26 gradë. Në Shkup moti do të jetë me vranësira të ndryshueshme, paradite në pjesë të luginës me shi të kohëpaskohshëm. Do të fryjë erë e lehtë nga drejtimi jugor. Temperatura minimale do të zbresë deri në 10, ndërsa ajo maksimale do të arrijë deri në 23 gradë.

Dubrovnik - Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski sot për herë të parë do të mbërrijë në Kroaci për të marrë pjesë në samitin Ukraina-Evropa Juglindore në Dubrovnik, të cilin e organizon së bashku me kryeministrin kroat, Andrej Plenkoviq. Ky është samiti i tretë në këtë format - i pari u mbajt në gusht të vitit 2022 në Athinë, i dyti në shkurt të vitit 2024 në Tiranë - ndërsa qëllimi kryesor i mbledhjes në Dubrovnik është të shprehet solidaritet dhe mbështetje e vendeve të Evropës Juglindore për Ukrainën, e cila po përballet me agresionin rus. Pjesëmarrja e zyrtarëve të lartë nga vendet e rajonit në samitin e tretë me radhë Ukraina-Evropa Juglindore është më i madh deri tani.

Tel-Aviv - Militantët e Hezbollahut sot gjuajtën predha artilerike dhe raketa ndaj ushtarëve izraelitë në afërsi të fshatit kufitar libanez Labuneha, kumtoi grupi, një ditë pasi që Izraeli kumtoi se ka vrarë dy trashëguesit e liderit të vrarë të Hezbollahut. Sirenat u aktivizuan në pjesën veriore të Izraelit, sot, kumtoi ushtria izraelite, duke shtuar se tre ushtarë izraelitë janë lënduar rëndë gjatë luftimeve në Libanin jugor këto dy ditë. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu dje deklaroi se dy trashëguesit e liderit të vrarë të Hezbollahut ishin vrarë në sulmet ajrore izraelite.

Nju Jork - Një propozim-ligj në Parlamentin izraelit do të ndalojë punën e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ndihmë dhe Punë për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Mesme (UNRVA), paralajmëroi dje sekretari i përgjithshëm Antonio Gutereshi. "Prandaj i kam shkruar drejtpërdrejt kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu për të shprehur shqetësimin e thellë për propozim-ligjin që mund të pengojë UNRVA-n të vazhdojë punën e saj thelbësore në territorin e pushtuar palestinez", tha Gutereshi. Ai tha se propozim-ligjet po tentojnë ta dëbojnë agjencinë nga ambientet e saj në territoret e kontrolluara nga Izraeli dhe t'i pezullojnë privilegjet dhe imunitetet e saj.

Uashington - Presidenti amerikan Xhozef Bajden sot planifikon bisedë telefonike me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu me të cilin do të bisedojë për veprimet potenciale ushtarake kundër Iranit, publikoi Aksios, duke cituar tre përfaqësues amerikan. Sipas burimeve anonime në të cilat referohet portali amerikan, SHBA dëshiron ta shfrytëzojë këtë bisedë për të bërë përpjekje të ndikojnë në përgjigjen e Izraelit ndaj provokimeve iraniane. "Duam të bindemi se Izraeli sulmon objektiva në Iran të cilat janë të rëndësishme, por jo në mënyrë disproporcionale", tha një funksionar amerikan.

Madrid - Në Real Madrid përgatiten për festë duke besuar se Topi i Artë do t'i jepet Vinisius Xhuniorit. Klubi caktoi se cili delegacion do të udhëtojë në ceremoninë në Paris. Sipas "Relevo", klubi beson që me siguri Vinisius do ta fitojë çmimin në vitin 2024. Fitorja e mundshme e brazilianit konsiderohet një triumf i vlerave të Real Madridit, sepse zhvillimi i lojtarit zhvillohej në klubin e Madridit. Ceremonia e ndarjes së Topit të Artë do të mbahet më 28 tetor. 

 

Остани поврзан