• сабота, 21 декември 2024

MIA Flesh

MIA Flesh

9:00/ 4 tetor/ 2024

Shkup - Kryeministri Hristian Mickoski, ambasadorja e SHBA-së në Republikën e Maqedonisë, Anxhela Ageler, ministri i Mbrojtjes Vllado Misajllovski dhe shefi i Shtatmadhorisë së Armatës, gjeneral majori Sashko Lafçiski do të marrin pjesë në stërvitjen e sotme metodike-treguese në poligonin e armatës "Krivollak". Siç informojnë nga Ministria e Mbrojtjes, pjesëtarët e Armatës nga grupi i këmbësorisë do të realizojnë stërvitje apo demonstrim të kapaciteteve dhe aftësive.

Shkup – Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhiti sot do ta vizitojë Haraçinën, ku do të kryejë mbikëqyrje në rregullimin e një pjese të kanalit anësor. Ky kanal ka rol në mbrojtjen e sipërfaqeve banesore dhe sipërfaqeve të përpunuara nga vërshimet në katër komuna, Haraçinë, Gazi Babë, Ilinden dhe Petrovec, dhe është në gjatësi të përgjithshme prej 27 kilometra. Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor paralajmëroi se është paraparë që gjatë vizitës Mexhiti të japë deklaratë për mediat.

Shkup - Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe i bëri thirrje kryeministrit Hristian Mickoski që të thirr seancë të mbyllur për hapat e ardhshëm për procesin e eurointegrimeve. Nëse nuk e bën këtë, atëherë, siç tha Filipçe gjatë emisionit të mbrëmshëm në “Klik plus” në TV 21, LSDM si grup parlamentar në Kuvend do të iniciojë seancë të mbyllur në të cilën VMRO DPMNE dhe shumica qeveritare, duhet të sqarojnë nëse kanë plan dhe si do të vazhdojë procesi eurointegrues. "VMRO-DMNE dhe shumica qeveritare, ka obligim të thotë se si të vazhdohet në atë rrugë. Kuptohet se partneri i tyre strategjik Hungaria ka thënë se nuk mund të përzihet dhe se nuk mund të ndihmojë më, prandaj qeveria ka përgjegjësi. Unë besoj se kryeministri e ka një obligim të madh, tani duhet të tregojë planin e tij dhe planin e qeverisë. Si do të vazhdojmë, a kanë plan dhe në çfarë harku kohor do ta bëjmë këtë. A po mendojnë ndoshta të jenë pjesë e ndonjë aleance tjetër, a po mendojnë të na lënë të jemi zorrë qore në Ballkan dhe të jetojmë të vetëm, të izoluar dhe pa ndihmë", tha Filipçe.

Shkup - Në Kuvend sot ambasadorja e Suedisë, Ami Larson Xhein do të ketë takim me Grupin parlamentar të Kuvendit për bashkëpunim me Parlamentin e Mbretërisë së Suedisë. Deputetët e së Majtës, Rexhep Ismail dhe Dimitar Apasaiev, nga ana tjetër, do të realizojnë takim me ambasadorin rus, Sergej Bezdnikin.

Shkup – Lidhja e Punëtorëve të Arsimit, me rastin e 5 Tetorit – Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve të Arsimit, sot do ta ndajë mirënjohjen “Mësimdhënësi i vitit” për vitin shkollor 2023/24, nga të gjitha nivelet e arsimit. Në ngjarjen në IPKF “Gëzimi i fëmijëve” në Shkup, siç paralajmëruan organizatorët, fjalime do të kenë ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, kryetari i Komunës së Gazi Babës, Boban Stefkovski dhe kryetarja e Lidhjes së Punëtorëve të Arsimit, Lidia Nikollovska Georgievska.

Shkup - Fondacioni Konrad Adenauer, Qendra për studime evropiane, Villfrid Martens nga Brukseli në bashkëpunim me Fakultetin Juridik "Justiniani i parë" dhe Akademinë për integrime evropiane nga Shkupi, në kuadër të Katedrës së sivjetme Adenauer, sot organizojnë panel diskutim me temën "Përballja me rreziqet" - globalizimi dhe përforcimi i politikës së jashtme evropiane.  Panel diskutimi do të mbahet në leximoren e Fakultetit Juridik "Justiniani i parë" - Shkup, ndërsa fjalime do të mbajnë Peter Baer - deputet në Bungestagun gjerman, Viktorija Trajkov - zëvendësministër për çështje evropiane, Gordan Georgiev nga Forumi për politika të arsyeshme dhe profesorët universitar Hristina Runçeva Tasev dhe Vasko Naumovski.

Shkup - Në katër vitet e fundit numri i vdekjeve nga kanceri i gjirit në vend është në rritje, tregojnë statistikat e Institutit për Shëndet Publik në raportin e ri “Mortaliteti dhe morbiditeti nga kanceri i gjirit te gratë në Republikën e Maqedonisë së Veriut" me rastin e shënimit të Tetorit - muajit ndërkombëtar të luftës kundër kancerit të gjirit. Në raportin theksohet se në vend shkaku më i shpeshtë i vdekjeve nga neoplaznat malinje tek gratë në periudhën 2010-2023 është kanceri i gjirit. Nga kanceri i gjirit në vitin 2010 kanë ndërruar jetë 310 gra me një shkallë mortaliteti 30,0/100000 gra, në vitin 2021- 337 gra me një shkallë prej 32,6, në vitin 2022-356 gra me shkallë prej 38,5 dhe në vitin 2023 - 346 gra me shkallë prej 37,5 në 100000 gra. Në periudhën e analizuar vihet re një tendencë e rritjes të numrit të rasteve të vdekjes tek gratë me kancer të gjirit", theksojnë nga ISHP.

Shkup - Shoqata e juristëve të rinj të Maqedonisë dhe Shoqata penologjike e Maqedonisë sot organizojnë ngjarje me temën "Lirimi me kusht, mbikëqyrja elektronike dhe trajtimi në funksion të risocializimit dhe riintegrimit të suksesshëm të personave të dënuar". "Në këtë ngjarje do të marrin pjesë drejtori i Drejtorisë për kryerjen e sanksioneve, gjyqtarë, profesorë të së drejtës penale, përfaqësues të Drejtorisë për kryerjen e sanksioneve, zyrës së provës, drejtorë të institucionit ndëshkues përmirësues dhe të sektorit joqeveritar", thuhet në kumtesë.

Shkup – Moti sot do të jetë i ndryshueshëm me vranësira me reshje të kohëpaskohshme të shiut, në disa vende më të rrëmbyeshme, lokalisht në formë të motit të keq, të shoqëruara me bubullima dhe erë të fuqishme. Reshjet do të vazhdojnë edhe gjatë natës kur edhe më tutje moti do të jetë me erë. Temperatura minimale do të jetë në interval prej 9 deri 16, ndërsa ajo maksimale do të lëvizë prej 22 deri 28 gradë Celsius. Në Shkup moti do të jetë i ndryshueshëm me vranësira, pasdite dhe në fund të ditës me reshje të kohëpaskohshme të shiut. Në disa pjesë të luginave reshjet do të jenë më të rrëmbyeshme, të shoqëruara me bubullima dhe erë të fuqishme. Temperatura minimale do të bie deri në 14, ndërsa ajo maksimale do të arrijë deri 28 gradë.

Ramallah - Të paktën 18 persona kanë humbur jetën mbrëmë në sulmin ajror izraelit në një kafene në qytetin Tulkarm në pjesën veriore të Bregut Perëndimor, kumtoi Ministria e Shëndetësisë së Palestinës në qytetin Ramallah. Ende nuk dihet numri i të lënduarve nga sulmi. Sipas raportimeve, shumë persona janë ende të bllokuar nën rrënoja. Ushtria izraelite konfirmoi sulmin ajror, duke thënë se kishte në shënjestër figura të larta në rrjetet lokale militante palestineze, duke përfshirë edhe shefin e rrjetit të lëvizjes islamike palestineze Hamas në Tulkarm, Zahi Jaser Abd al-Razek Ufi dhe anëtarë të grupit terrorist të "Xhihadit islamik".

Bejrut – Armata izraelite (IDF) mbrëmë kreu 11 sulme në periferinë jugore të kryeqytetit të Libanit, Bejrut, që është bastion i Hezbollahut.  Sulmet ishin kryer kundër periferisë Dahia, ndërsa cak i sulmeve ishte Hashem Safiedin, gjoja trashëgimtari i liderit të vrarë të Hezbollahut Hasan Nasralla. Nuk dihet fati i Safiedinit.  Ai ishte një nga sulmet më të fuqishme nga 23 shtatori pasi IDF i intensifikoi sulmet ndaj caqeve në Liban. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit gjatë 24 orëve të kaluara në sulmet izraelite janë vrarë 37 persona, ndërsa 151 janë plagosur, ndërsa nga 23 shtatori janë vrarë afërsisht 1.000, ndërsa 1,2 milionë njerëz janë zhvendosur. 

Nju-Jork - Këshilli i Sigurimit i OKB-së mbrëmë shprehu mbështetje të plotë për sekratarin e përgjithshëm Antonio Guteresh, pasi ministri izraelit i Punëve të Jashtme, Izrael Kac e shpalli për "persona non grata" në Izrael.  Në kumtesën zyrtare të Këshillit prej 15 anëtarëve theksohet se "çdo vendim për të mos bashkëpunuar me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së apo Organizatën e Kombeve të Bashkuara është kundërproduktiv, veçanërisht në kontekstin e rritjes së tensioneve në Lindjen e Afërt".

Phenian – Lideri i Koresë së Veriut, Kim Xhong-un, ka thënë se vendi nuk do të hezitojë të përdorë të gjitha forcat sulmuese të disponueshme, përfshirë ato bërthamore, nëse armiku përpiqet të kërcënojë sovranitetin e tij, njoftoi agjencia koreanoveriore e lajmeve KCTA. Kim e kritikoi presidentin koreanojugor Jun Suk – Jol për kërcënimet e dërguara ndaj Koresë së Veriut, duke thënë se ato tregojnë se kush e rrezikon sigurinë dhe paqen rajonale.

Teheran - Lideri suprem i Iranit, Ajetollahu Ali Hamnei sot do të udhëheqë namazin e xhumasë dhe do të mbajë predikim publik.  Ky do të jetë predikimi i tij i parë publik pas gati pesë vjet, ndërsa do të mbahet tre ditë para përvjetorit të fillimit të luftës midis Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës. Ajetollahu, i cili e ka pushtetin më të lartë në Iran, predikimin do ta mbajë në Xhaminë Mosalla e Madhe e Imam Homeinit në qendër të Teheranit.  Lutja do të pasojë pas komemoracionit për liderin e vrarë të Hezbollahut, Hasan Nasrallah.

Uashington – Presidenti amerikan Xho Bajden tha se nuk do të negociojë publikisht kur e pyetën nëse i ka bërë thirrje Izraelit që të mos i sulmojë stacionet iraniane të naftës.  Izraeli, njëherësh, vendos si të përgjigjet në sulmin e madh me raketa të cilin Teherani e ka kryer kundër tij të martën. Burime jozyrtare të afërta me qeverinë izraelite thonë se cak mund të jenë stacionet iraniane të naftës. 

Остани поврзан