• среда, 06 ноември 2024
MIA FLESH

18:00 / 5 nëntor / 2024

Shkup - Ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska sot mbajti fjalim në Konferencën e nivelit të lartë për bashkëpunim ndërmjet policisë dhe doganave për luftën kundër përhapjes së armëve të vogla dhe të lehta, dhe kontrabandimin e emigrantëve në EJL, organizuar nga OSBE-ja, me ç ‘rast ajo dërgoi porosi për luftën sistematike kundër krimit dhe korrupsionit.

Shkup – Qyteti i Shkupit në kumtesën e sotme për media i bën thirrje kryetarit të Këshillit, Trajko Sllaveski që menjëherë ta vendosë nismën për kërkesën e transportuesve privatë për shqyrtim para këshilltarëve me qëllim të zhbllokimit të këtij segmenti nga transporti publik në kryeqytet. “Pas konferencës së djeshme për media të transportuesve privatë është evidente që politika joparimore, interesat personale dhe prioritetet e partisë ende janë taktikë e shumicës në Këshillin e Qytetit të Shkupit i kryesuar nga koalicioni i VMRO-DPMNE-së për të cilin çmimin e paguajnë qytetarët e qytetit të Shkupit”, bëhet e ditur në kumtesën e Qytetit të Shkupit.

Shkup - Në SPB-Shkup është raportuar se gjatë kryerjes së punëve ndërtimore në një objekt në ndërtim në rajonin Qendër, me lëndime të rënda trupore L.SH (27) nga fshati Gjermë në Tetovë, u dërgua në kompleksin e klinikave "Nënë Tereza" në Shkup, ku pastaj ka ndërruar jetë. Siç theksohet në buletinin e MPB-së, rasti u denoncua më 2 nëntor të vitit 2024.

Shkup - Ministri Borko Ristovski në emër të Ministrisë së Sportit dhe drejtorit të përgjithshëm të Videolotarisë Shtetërore të Maqedonisë - Kasinos Austria SHPK Shkup, Kostadin Karakabakov, sot nënshkruan memorandum për bashkëpunim në fushën e sportit. Sipas memorandumit, në të ardhmen nuk do të ketë personazhe sportive në reklamat e basteve.

Shkup - Pas ndërprerjes disaorëshe, komunikacioni në rrugën magjistrale Shkup - Vendkalimi kufitar Bllacë është normalizuar, informojnë nga Lidhja Automote e Maqedonisë. Nga LAMM sot në mëngjes njoftuan se komunikacioni drejt vendkalimit "Bllacë" rikahëzohet te pompa e benzinës "Dizel", për shkak të një problemi teknik në terminalin nga ana kosovare në vendkalimin kufitar. 

Shkup - Një tetëdhjetë e pesë vjeçar nga Shkupi dje në SPB-Shkup ka denoncuar se është mashtruar nga një person për shumën prej 50.000 denarë. Siç kumtoi sot MPB-ja, sipas denoncimit, mashtrimi ka ndodhur më 1 nëntor 2024, kur persona është paraqitur si punëtor në MPB dhe i ka thënë se do ta ndihmojë ta shërojë djalin e tij, ndërsa më pas edhe ta punësojë, për çka edhe ia ka kërkuar paratë.

Shkup – Në kuadër të vizitës së punës në Çeki, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski ka realizuar takim me ministrin çek të punëve të jashtme, Jan Lipavski. Vizita, thonë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, e pasqyron përkushtimin tonë drejt ndërtimit të partneritet të fuqishëm, të bazuar në respekt të ndërsjellë dhe vlera të përbashkëta. Në takim të dyja palët e përshëndetën dialogun politik dinamik dhe të vazhdueshëm ndërmjet të dyja vendeve dhe bashkëpunimin e shkëlqyer dypalësh i cili zgjat tashmë 30 vjet.

Shkup - Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi sot dërgoi urim me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Rome. "Në emër të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emrin tim personal, ju uroj 5 Nëntorin - Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Rome. Festimi i kësaj date nënkupton promovim shtesë të diversitetit kulturor dhe gjuhësor në shtetin tonë, si shoqëri multietnike dhe multikulturore, e formuar nga karakteristikat që krijojnë sinergji", shkroi Gashi në urim.

Tetovë - Shoferi dhe bashkëshoqëruesja janë lënduar në aksidentin e trafikut që ka ndodhur sot rreth orës 14 në qarkoren për në Tetovë. Automjeti ka dalë nga rruga dhe është përmbysur. "Në orën 14:05 në SPB Tetovë është raportuar se në autostradën Gostivar-Tetovë në afërsi të mbikalimit për Tetovë- Bërvenicë, makina "Seat leon" me targa të Shkupit i drejtuar nga V.M (22) nga Shkupi ka dalë nga rruga. Në aksident lëndime të rënda trupore ka marrë udhëtarja J.P.(22) nga Shkupi, ndërsa shoferi ka pësuar lëndime të lehta, të konstatuara në Spitalin klinik të Tetovës", informoi Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë.

Prishtinë - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim ambasadorin e Bashkimit Evropian në vend, Aivo Orav, i cili i dorëzoi Raportin e Komisionit Evropian për progresin e Kosovës, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. Në kumtesën nga shërbimi për informim i Presidencës kosovare thuhet se Osmani ka vlerësuar se "raporti i sivjetshëm vlerëson pozitivisht progresin e Kosovës në disa fusha dhe identifikon sfidat në disa fusha të tjera".

Prishtinë - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë sot kumtoi se 11 dhjetori është afati i fundit për paraqitjen e subjekteve politike për dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë për zgjedhjet në Kuvendin e Kosovës që do të mbahen më 9 shkurt të vitit 2025. Kërkesat për konfirmimin e subjekteve politike duhet të dorëzohen në KQZ, gjegjësisht në Administratën për regjistrim, vërtetimin dhe kontrollin financiar të subjekteve politike.

Tiranë - Sot dhe dy ditët në vijim Shqipëria do të jetë nikoqire e Takimit të Ministrave të Mbrojtjes të Evropës Juglindore (SEDM). "Në takimin, i cili fillon sot, do të marrin pjesë përfaqësues të vendeve anëtare të SEDM, duke përfshirë Shqipërinë, Bosnje e Hercegovinën, Bullgarinë, Greqinë, Italinë, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Rumaninë, Turqinë, Slloveninë, Serbinë, Ukrainën, Moldavinë, Gjeorgjia dhe SHBA-në. Do të marrin pjesë edhe përfaqësues nga organizata të tilla si Qendra për Bashkëpunim të Sigurisë (RACVIAC), UNDP/SEESAC", njoftoi ATA.

Athinë - Arsenal të madh të armës së zjarrit të llojit të ndryshëm, plumba, material shpërthyes, mes tjerash ka zbuluar policia greke gjatë bastisjeve në tre banesa dhe dy bodrume në pjesën perëndimore të rajonit Atika, rajon më i gjerë i Athinës dhe arrestoi pesë persona - anëtarë të rrjetit kriminel, aktiv për posedimin, furnizimin dhe tregtinë me armë dhe material shpërthyes, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Romë - Kryeministrja e Italisë, Xhorxha Meloni në takimin e sotëm me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rute biseduan për përkrahjen e Ukrainës në luftën kundër pushtimit rus. "Qëllimi i përbashkët mbetet të ndërtohen kushtet më të mira të mundshme për paqe të drejtë, si dhe koordinimin e rolit që NATO-ja mundet dhe duhet ta luajë lidhur me ndihmën që Ukraina e pret", tha Meloni.

Romë - Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve të G7-ës dhe tre aleatët kyç kanë shprehur shqetësimin për shkak të dërgimit të trupave koreanoveriore në Rusi dhe mundësinë që ato trupa të përdoren në luftën kundër Ukrainës. Në një deklaratë të përbashkët, ministrat kanë vënë në dukje se "mbështetja e drejtpërdrejtë e Koresë së Veriut për luftën e Rusisë kundër Ukrainës, përveçse tregon përpjekjet e dëshpëruara të Rusisë për të kompensuar humbjet e saj, paraqet një përshkallëzim të rrezikshëm të konfliktit".

Berlin – Policia gjermane sot arrestoi tetë anëtarë të organizatës militante të djathtë ekstreme, njoftoi prokurori publik. Të dyshuarit, një pjesë e tyre të mitur, supozohet se janë pjesë e grupit Separatistë saksonë (Sachsische Separatisten), i cili karakterizohet me ide raciste dhe antisemitike, thuhet në kumtesën e prokurorisë. “Anëtarët e grupit janë të bashkuar në refuzimin e tyre ndaj rendit liberal-demokratik dhe besojnë se Gjermania po i afrohet ‘kolapsit’”, thuhet në kumtesë.

Gjenevë - Organizata Botërore e Shëndetësisë sot kumtoi se gjatë kësaj jave është planifikuar evakuim i madh mjekësor nga Gaza, i mbi 100 pacientëve të sëmurë rëndë dhe të lënduar, të cilët do të largohen nga territori i shkatërruar nga lufta. OBSH kumtoi se së bashku me partnerët e saj nesër do të evakuojnë deri në 113 pacientë, ku shumica e tyre do të shkojnë në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe disa në Rumani për kujdes të specializuar.

Kiev - Përfaqësuesit e koncernit shtetëror ukrainas të armëve "Ukroboronprom" dhe Lituanisë diskutuan për bashkëpunimin e mëtejshëm në fushën e industrisë së mbrojtjes, deklaroi ministri ukrainas i Industrive Strategjike, Herman Smetanin. "Pjesëmarrësit e takimit diskutuan për statusin e realizimit të projekteve aktuale të përbashkëta dhe fushat e mundshme të bashkëpunimit. Ata diskutuan gjithashtu për aftësitë në rritje të industrisë së mbrojtjes ukrainase dhe zhvillimin e armëve me precizion të lartë me rreze të gjatë", tha Smetanin.

Tel Aviv - Një përfaqësues anonim izraelit sot deklaroi se Hamasi palestinez e refuzoi propozimin për marrëveshje për një armëpushim afatshkurtër në luftën në Gazë dhe lirimin e pengjeve. "Asgjë nuk ndodh në terren derisa të dimë rezultatet e zgjedhjeve në SHBA", deklaroi përfaqësuesi, transmetuan mediat izraelite. Ai i konfirmoi lajmet e mëparshme në mediat izraelite se qeveria e kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu u ofronte pengjeve para dhe kalim të sigurt në këmbim të lirimit të tyre.

Moskë - Shefi rus i diplomacisë, Sergej Lavrov sot paralajmëroi se nëse NATO ose ndonjë nga anëtaret e Aleancës veprojnë në mënyrë agresive drejt Moskës, Rusia do të përgjigjet në mënyrë adekuate. "Kundërshtarët tanë nuk duhet të mashtrohen. Në rast të veprimeve agresive të NATO-s ose disa shteteve-anëtare kundër vendit tonë, do të ndërmerren masat e duhura hakmarrëse në përputhje me Kartën e KB-së, e cila garanton të drejtën sovrane të Rusisë për vetëmbrojtje dhe përdorimin e të gjitha mjeteve për të garantuar sigurinë e saj. Dhe askush nuk do të jetë në gjendje të fshihet as përtej Oqeanit Atlantik, as përmes La Manshit", theksoi Lavrov në intervistë për RIA Novosti.

Madrid - Kryeministri spanjoll Pedro Sançez sot paralajmëroi një plan urgjent për ndihmë në vlerë prej 10,6 miliardë euro për qytetarët dhe kompanitë të goditura nga përmbytjet vdekjeprurëse që e shkatërruan pjesën juglindore të vendit. "Investimet totale nga të gjitha këto masa të para do të kalojnë 10,6 miliardë euro", tha kryeministri socialist dhe prezantoi një sërë masash për ndihmë, të miratuara në seancën e qeverisë.

Остани поврзан