• четврток, 19 март 2026
MIA Flesh

09:00/26 shkurt/2026

Shkup - Në Kuvend sot do të mbahet seanca e 86-të plenare, në rend dite të së cilës janë pyetjet parlamentare. Seanca e pyetjeve parlamentare mbahet çdo të enjte të fundit të muajit, ndërsa kryeministrit dhe ministrave u drejtohen pyetjet e para nga deputetët e partive opozitare.

Shkup - Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, do të vizitojë vendin sot dhe nesër. Begaj do të takohet sot me kryetarin e Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ndërsa nesër do të pritet nga presidentja Gordana Siljanovska-Davkova dhe do të zhvillojë takime me përfaqësues të kreut shtetëror.

Shkup - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski sot pasdite dhe nesër do të jetë nikoqir i ministrit kroat të punëve të jashtme dhe evropiane Gordan Grliq Radman, i cili do të qëndrojë për vizitë zyrtare në vend. Të dy ministrat do të bisedojnë për marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimin ekonomik dhe sektorial, si dhe për integrimin evropian të vendit dhe mundësitë për shfrytëzimin e përvojës kroate në procesin e inkuadrimit në Bashkimin Evropian. Në fokus të bisedave do të jenë edhe bashkëpunimi në kuadër të NATO-s, çështjet rajonale dhe ngjarjet ndërkombëtare aktuale.

Shkup - Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, dhe euro-ambasadori Mihalis Rokas sot do të mbajnë fjalim në ngjarjen përmbyllëse të projektit "Mbështetja e BE-së për zhvillimin e kapaciteteve për siguri kibernetike në Maqedoninë e Veriut". Në ngjarjen, e cila do të mbahet në Ministrinë e Transformimit Digjital, do të prezantohen reformat e realizuara në fushën e sigurisë kibernetike, do të theksohet mbështetja e Bashkimi Evropian dhe do të prezantohen drejtimet e ardhshme të bashkëpunimit, duke përfshirë edhe kontributin e programit "Cyber Balkans".

Shkup - Para njëzet e dy viteve, më 26 shkurt në Rotimlje afër Mostarit në një aksident aeroplani humbën jetën ish presidenti Boris Trajkovski, anëtarët e kabinetit të tij dhe ekuipazhi i aeroplanit. Përvjetori i vdekjes së presidentit Boris Trajkovski do të shënohet sot në Shkup, në qytetin e tij të lindjes, Strumicë, dhe në Rotimlje.

Shkup - Në Komisionin për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve, sot në rend dite është Diskutimi Publik për prezantimin e kandidatëve që përmbushin kushtet sipas Thirrjes për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit Gjyqësor, i cili zgjidhet nga Kuvendi.

Shkup - Për shkak të punëve në rrjetin elektroshpërndarës sot nga ora 04:00 deri në 08:00, pa energji elektrike mbetën shfrytëzuesit e lagjeve të Shkupit: Butel dhe Veri në komunën e Butelit, Fushë Tophanë dhe një pjesë e Çairit në komunën e Çairit dhe Shuto Orizarja dhe Vizbegu në komunën e Shuto Orizares.

Shkup - Moti sot do të jetë me diell me vranësira lokale të lehta deri mesatare. Do të fryjë lehtë deri mesatare, ndërsa në disa pjesë përgjatë lumit Vardar kohëpaskohe erë e fortë nga veriu, veçanërisht në mëngjes. Temperatura minimale do të luhatet nga -4 deri në 5, ndërsa temperatura maksimale do të arrijë nga 9 deri në 16 gradë.

Bruksel - Raportuesi i Parlamentit Evropian për Maqedoninë, eurodeputeti Tomas Vajc sot para Komitetit të Punëve të Jashtme të PE-së (AFET), do ta prezantojë draft-raportin vjetor për përparimin e vendit. Në raportin vjetor Vajc, ndër të tjera thekson se me rëndësi thelbësore për eurointegrimin e shtetit, posaçërisht në kontekst të realitetit të ri gjeopolitik, është që të gjithë aktorët politik, posaçërisht Qeveria, të japin rezultate të prekshme në fushat kyçe, ndërsa në të njëjtën kohë BE-ja dhe shtetet anëtare duhet të përmbushin detyrimet e tyre, duke e mbështetur plotësisht vendin, përfshirë edhe përmes angazhimit aktiv diplomatik, për ta ndihmuar atë të bëjë përparim në përmbushjen e angazhimeve të veta.

Gjenevë - Irani dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës hyjnë sot në një raund vendimtar bisedimesh, me ç'rast delegacionet e dy vendeve do të takohen sërish në Gjenevë. Ky është raundi i tretë i bisedimeve indirekte këtë vit, përsëri të ndërmjetësuara nga shteti i Gjirit Persik, Oman. Një ekip i udhëhequr nga ministri i Punëve të Jashtme, Abas Aragçi negocion për Iranin, ndërsa pala amerikane përfaqësohet nga i dërguari special Stiv Vitkof dhe Xhared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Tramp.

Brazilia - Numri i të vdekurve si pasojë e shirave të rrëmbyeshëm në shtetin federativ juglindor të Brazilit, Minas Zherais, është rritur në 46, sipas të dhënave të publikuara dje nga shërbimi shtetëror i zjarrfikësve. Përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës detyruan rreth 3.600 persona të lënë shtëpitë e tyre në qytetet Zhuiz de Fora dhe Uba, të cilat ndodhen rreth 110 kilometra larg njëra-tjetrës, ndërsa 21 persona konsiderohen si të zhdukur, shtoi shërbimi i zjarrfikësve.

Остани поврзан