• четврток, 20 јуни 2024

MIA analizë: Çfarë përmbajnë tre memorandumet që Greqia nuk i ka ratifikuar ende në Kuvend?

MIA analizë: Çfarë përmbajnë tre memorandumet që Greqia nuk i ka ratifikuar ende në Kuvend?

Athinë, 9 qershor 2024 (MIA) - Në mes të shtatorit të vitit 2020, disa muaj pasi Demokracia e Re erdhi në pushtet, në Parlamentin Grek u dorëzuan tre memorandumet me Maqedoninë e Veriut, por që atëherë, për tre vjet e nëntë muaj, procesi është ngrirë, memorandumet janë në sirtar, ndërsa 20 ditë më parë, SIRIZA opozitare i aktualizoi ato përsëri, duke i dorëzuar si propozim-ligje të reja, lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Në vitet e kaluara, derisa prisnin të vihen në rend dite në Kuvend, memorandumet përmendeshin herë pas here: në takimet e politikanëve maqedonas dhe grekë, në pyetjet parlamentare dhe kumtesat e SIRIZA-s opozitare, si dhe korrespondentes së MIA-s nga Athina, çështjen e ratifikimit u parashtronte vazhdimisht para zëdhënësve të Qeverisë në njoftimet e rregullta me gazetarët, ndërsa përgjigja ishte pothuajse identike se memorandumet do të vinin për votim në kohën përkatëse kur për këtë të vendosë Qeveria.

Pas inaugurimit të presidentes Gordana Siljanovska Davkova dhe pas aktualizimit të Marrëveshjes së Prespës në Greqi, SIRIZA opozitare, duke konsideruar se memorandumet do të avanconin bashkëpunimin, por edhe fakti që nuk janë ratifikuar dëmton interesat e vendit, më 15 maj, i ridorëzoi në Parlament në formën e propozim-ligjeve .

Nga ana tjetër, qëndrimi i Qeverisë aktuale greke është se memorandumet e paratifikuara janë “armë shtesë negociuese” për Greqinë, nga të cilat vendi nuk duhet të heqë dorë dhe njoftoi se “në këto rrethana, memorandumet nuk do të ratifikohen në Parlamentin grek”.

Në fund të majit, Presidentja Siljanovska Davkova, duke folur për marrëdhëniet me Greqinë, iu referua gjithashtu memorandumeve, duke vënë në dukje se për të, "memorandumi më i rëndësishëm është ai për ndihmë gjatë integrimeve evropiane".

MIA, ashtu si kur u miratuan për herë të parë në Kuvend, analizon saktësisht se çfarë përmbajnë tre protokollet midis dy vendeve, të nënshkruara në vitin 2019, respektivisht Memorandumin për përshpejtimin e procesit të integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE; Memorandumin për formimin e Komitetit Koordinues për Bashkëpunim Ekonomik dhe Marrëveshja Teknike për Mbikëqyrjen e FIR Shkup.

Këto janë tre marrëveshje ndërkombëtare, dy nga Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë, të cilat u nënshkruan gjatë sesionit të parë ndërqeveritar të mbajtur në prill të vitit 2019 në Shkup, dhe një nga Ministria e Mbrojtjes, e nënshkruar pesë muaj më vonë, ndërsa në Parlamentin grek janë propozim-ligjet nga ministrat kompetentë grekë .

Propozim-ligjet, të cilat SIRIZA tani i ka dorëzuar në formë identike dhe origjinale si në vitin 2020, kanë dy nene, në të parin janë memorandumet në tërësi, e në të dytin i referohet hyrjes në fuqi, respektivisht shpalljes së tij në Gazetëm Zyrtare të Greqisë, pasi të jetë ratifikuar paraprakisht nga Parlamenti.

Të gjitha propozim-ligjet u nënshkruan nga ministrat kompetentë të Qeverisë së atëhershme të Demokracisë së Re (në vitin 2020).

Pasi u (ri) dorëzuan, hapi i radhës është që të rishikohen nga komisioni kompetent për sigurinë kombëtare dhe çështjet e jashtme, ndërsa sapo anëtarët e komitetit të japin dritën jeshile, ratifikimi do të jetë në seancën plenare të Parlamentit.

Memorandum për përshpejtimin e procesit të integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE

Propozim-ligji i parë është "Ratifikimi i Memorandumit të bashkëpunimit midis Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë dhe Sekretariatit për Çështje Evropiane në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut për përshpejtimin e procesit të integrimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian", një memorandum i nënshkruar më 2 prill të vitit 2019 në Shkup nga kreu i atëhershëm alternativ i diplomacisë greke, Sia Anagnostopulu, dhe zëvendëskryeministri i atëhershëm përgjegjës për Çështjet Evropiane të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Në Raportin, kur u dorëzuan për herë të parë në Parlamentin grek, shkruante se memorandumi do të jepte kontribut vendimtar në avancimin e marrëdhënieve dypalëshe, "por edhe se ishte "në kuadër të kornizave të politikës greke për të promovuar në mënyrë aktive perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor".

Vetë memorandumi përmban pesë nene në lidhje me nxitjen e bashkëpunimit dypalësh; bashkëpunimi në aspektet politike, ekonomike, teknologjike dhe kulturore të procesit të integrimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian; formimi i Komitetit të përbashkët për shkëmbimin e ideve dhe propozimeve dhe përgatitjen e planeve të veprimit në semestrin e dytë të çdo viti; shqyrtimi i mundësive për financimin e programeve të bashkëpunimit dhe planeve të veprimit, dhe neni i fundit u referohet procedurave për hyrjen në fuqi dhe ndërprerjen e Memorandumit të bashkëpunimit .

Propozim-ligji për BE perspektivën e Maqedonisë së Veriut nga viti 2020 u nënshkrua nga ministrat e atëhershëm të financave, të jashtëm dhe të brendshëm të Greqisë, si dhe nga kreu alternativ i diplomacisë greke nga qeveria Demokracia e Re, ndërsa tani, tekstin e njëjtë e nënshkruajnë anëtarët e grupit parlamentar të SIRIZA-s.

Memorandum për formimin e Komitetit koordinues për bashkëpunim ekonomik

Propozimi i dytë është “Ratifikimi i Memorandumit të mirëkuptimit midis Qeverisë së Republikës së Greqisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për formimin e Komitetit koordinues për bashkëpunim ekonomik”.

Sipas raportit për propozim-ligjin, memorandumi “do të kontribuojë në avancimin e marrëdhënieve dypalëshe ekonomike”.

Memorandumi konkret u nënshkrua më 2 prill të vitit 2019 në Shkup nga zëvendëskryeministri i atëhershëm dhe ministër i Financave të Greqisë, Janis Dragasakis, dhe zëvendëskryeministri i atëhershëm kompetent për çështjet ekonomike, Koço Angjushev, ndërsa ka tetë nene që kanë të bëjnë me funksionimin e komitetit konkret.

Në përputhje me memorandumin e nënshkruar, Komiteti i bashkëpunimit ekonomik do të ketë 18 anëtarë, nëntë nga secila palë, nga të cilët të paktën tre duhet të jenë zyrtarë qeveritarë dhe të paktën pesë përfaqësues institucionalë të sektorit privat, dhe Komiteti do të kryesohet bashkërisht nga zëvendëskryeministrat ose ministrat e dy vendeve përgjegjës për temat ekonomike.

 

Komiteti, siç transmeton MIA, do të ketë për qëllim që të koordinojë bashkëpunimin ekonomik dypalësh dhe të nxisë bashkëpunim më të ngushtë midis odave ekonomike të të dy vendeve, dhe takimi i parë do të duhet të thirret nga Zëvendëskryetari i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e memorandumit.

Propozim-ligji i vitit 2020 për bashkëpunimin ekonomik u nënshkrua nga ministrat e atëhershëm të Financave, Zhvillimit dhe Investimeve dhe Punëve të Jashtme të Greqisë.

Marrëveshja teknike për mbikëqyrjen e FIR Shkup

Propozim-ligji i tretë është "Ratifikimi i marrëveshjes teknike midis Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare të Republikës së Greqisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Maqedonisë së Veriut në lidhje me er polising të FIR Shkup (LWSS)", duke iu referuar mbikëqyrjes së hapësirës ajrore të vendit tonë nga avionët ushtarakë grekë dhe u nënshkrua më 30 shtator të vitit 2019 në Shkup.

Parashikohet që mbikëqyrja të kryhet nga avionët F-16 dhe M-2000 të aviacionit ushtarak grek.

Edhe ky propozim-ligj, ashtu si dy të mëparshmit, u dorëzua nga SIRIZA pikërisht ashtu siç u dorëzua nga Qeveria e Demokracisë së Re dhe u nënshkrua nga ministrat e atëhershëm të financave, punëve të jashtme, sigurisë dhe drejtësisë së Greqisë.

Qëllimi i marrëveshjes teknike, siç shkruan, është "të përcaktojë procedurat e koordinimit që do të zbatohen nga të dyja palët, me qëllim që të ruhet mbikëqyrja e suksesshme për trajtimin e kërcënimeve Renegade në hapësirën ajrore (FIR) Shkup".

Marrëveshja, e cila përmban 13 nene dhe shtatë anekse, përshkruan në detaje të gjitha aktivitetet brenda polisingut ajror të avionëve nga aviacioni ushtarak grek.

Por, nuk janë vetëm memorandumet detyrim i Greqisë, por siç ka shkruar disa herë në të kaluarën MIA, në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes së Prespës nga pala greke, ka disa vonesa, duke përfshirë mbajtjen e Këshillit të dytë të nivelit të lartë.

Në përputhje me Marrëveshjen, Këshilli i Bashkëpunimit i Nivelit të Lartë, i udhëhequr nga kryeministrat e të dy vendeve, “do të mblidhet të paktën një herë në vit dhe do të jetë organi kompetent për zbatimin e duhur dhe efektiv të kësaj Marrëveshjeje dhe Planit të veprimit që rezulton prej saj”.

Seanca e parë dhe e vetme ndërqeveritare u mbajt në Shkup në prill të vitit 2019, gjatë vizitës së kryeministrit të atëhershëm grek Aleksis Cipras, ndërsa nikoqir i seancës së dytë duhet të jetë Greqia.

Paralelisht, Kryeministri grek ende nuk ka bërë vizitë zyrtare, pune ose joformale në Shkup dhe as nuk është dakorduar vizitë kthyese e Presidentes greke Katerina Sakellaropulu, pas vizitës zyrtare të Presidentit të mëparshëm Stevo Pendarovski në Athinë.

Sanja Ristovska

Остани поврзан