• петок, 28 јуни 2024

Bislimi: Kosova aspiron anëtarësimin në OKB, BE, NATO dhe Këshillin e Evropës

Bislimi: Kosova aspiron anëtarësimin në OKB, BE, NATO dhe Këshillin e Evropës

Prishtinë, 20 qershor 2024 (MIA) - Zëvendëskryeministri i Kosovës për Integrime Evropiane, Besnik Bislimi, deklaroi se Kosova synon anëtarësimin në Kombet e Bashkuara, Bashkimin Evropian, Këshillin e Evropës dhe NATO-n, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Në pritjen e organizuar nga ambasada britanike në Kosovë, me rastin e ditëlindjes së Mbretit Çarls i Tretë, Bislimi tha se beson se Kosova ka mbështetjen e Britanisë së Madhe në "aspiratat dhe ecjen përpara".

"Kosova është një vend që kërkon anëtarësimin në OKB, BE, NATO, Këshillin e Evropës dhe forcimin e themeleve të demokracisë dhe lirisë, të drejtave civile dhe sundimit të ligjit.Në aspiratat dhe rrugëtimin që kemi përpara, ne kemi besim se me mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar dhe aleatëve tanë perëndimorë, do t’i arrijmë qëllimet tona, teksa marrëdhëniet tona diplomatike, vizitat dypalëshe, bashkëpunimi dhe lidhja ndërnjerëzore po forcohen dita-ditës. Një lidhje më e thellë në politikë, kulturë, ekonomi, siguri dhe shumë fusha të tjera", deklaroi Bislimi, theksohet në kumtesën e sotme të shërbimit qeveritar për informim.

Zëvendëskryeministri thotë se Britania e Madhe ka një vend të veçantë "në zemrat dhe mendjet tona".

“Në rrugëtimin tonë për liri, Mbretëria e Bashkuar ka qenë gjithmonë një aleat i palëkundur – një komb që përkrah lirinë dhe vlerat demokratike, që na qëndruan pranë gjatë luftës dhe përpjekjeve tona për çlirim, dhe vitet pasuese të rindërtimit të vendit tonë. Javën e kaluar, pritëm ish-kryeministrin Toni Bler, për të shënuar së bashku 25 vjet nga çlirimi i Kosovës. Ne e vlerësojmë shumë dhe nuk do ta harrojmë kurrë mbështetjen e tij të palëkundur gjatë luftës", shtoi Bislimi. ls/

 

 

Остани поврзан