• петок, 28 јуни 2024

Fjalimi i kryetarit të Kuvendit Gashi në Sesionin e 11-të të Asamblesë parlamentare të PBEJL-së

Fjalimi i kryetarit të Kuvendit Gashi në Sesionin e 11-të të Asamblesë parlamentare të PBEJL-së

Shkup, 20 qershor 2024

Fjalimi i kryetarit të Kuvendit Gashi në Sesionin e 11-të të Asamblesë parlamentare të PBEJL-së

Të nderuar kolegë deputetë të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore,

Të nderuar mysafirë,

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Zonja dhe zotërinj,

Sesioni i 11-të Plenar i Asamblesë Parlamentare të Procesit për Bashkëpunim në Evropën Juglindore është ngjarja e fundit, në kuadër të kryesimit tonë me Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore, i cili ishte nën moton "Tejkalimi i ndarjeve, ndërtimi i besimit" dhe me të cilin në periudhën e kaluar bëmë përpjekje për përforcimin dhe avancimin e bashkëpunimit në rajonin tonë.

Pres që në vitet e ardhshme, vendet e rajonit tonë të bashkëpunojnë edhe më shumë me njëri-tjetrin dhe përmes shkëmbimit të përvojave dhe mendimeve, të kontribuojnë në avancimin e rajonit, i cili ka vendosur synimin e tij përfundimtar, që është integrimi i plotë i rajonit në Bashkimin Evropian.

Megjithatë, që nga viti 1996, kur ka filluar ky Proces për bashkëpunim, pas 28 viteve të kaluara, mund të thuhet se përpjekjet e përbashkëta kanë dhënë rezultate konkrete - përkatësisht, disa pjesëmarrës janë bërë anëtarë të plotë, të tjerët kanë filluar negociatat për anëtarësim, dhe të tjerët janë kandidatë ose kanë paraqitur kërkesë për anëtarësim.

Apeloj te Ju kolegë të nderuar, që njëkohësisht jeni edhe anëtarë të Bashkimit Evropian, të bëheni promotorët kryesorë të procesit të zgjerimit dhe integrimit të gjithë rajonit në Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore me përmirësimin e procesit të aderimit, që i njëjti të jetë më efektiv, më i parashikueshëm, i besueshëm dhe i prekshëm. Sepse, si pasojë e pritjes tepër të gjatë para dyerve të BE-së, humbet edhe kredibiliteti i BE-së, si dhe zbehet edhe mbështetja për integrim në BE te qytetarët.

Të dashur miq,

Më duhet të them se pavarësisht përpjekjeve tona, ka një ngadalësim në bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian. Mendoj se duhet t'i qasemi më seriozisht zbatimit të proceseve reformuese në vendet tona, si lufta kundër korrupsionit, reforma në sistemin e drejtësisë, ndërlidhje më e madhe energjetike dhe infrastrukturore dhe zhvillim i strategjive për të mbajtur të rinjtë në rajonin tonë.

Nuk është e rastësishme që tema kryesore e seancës së sotme është “Përforcimi i bashkëpunimit rajonal, duke promovuar zhvillimin ekonomik – Strategjia 2030 e Evropës Juglindore”. Domethënë, fokusi do të jetë në implementimin e fuqishëm të Strategjisë, si plan gjithëpërfshirës, në të cilin të gjitha prioritetet dhe aktivitetet janë harmonizuar me politikën e Evropës Juglindore dhe përforcimin e bashkëpunimit rajonal.

Dua të theksoj se rruga e vetme drejt avancimit më të shpejtë ekonomik të rajonit është tregu rajonal, respektivisht vendet e Evropës Juglindore të bëhen pjesë e

rëndësishme e zinxhirëve globalë të prodhimtarisë. Në këtë drejtim, të gjithë ne, si ekonomi, duhet të përpiqemi të punojmë në krijimin e politikave konzistente ekonomike. Besoj se marrëdhëniet e mira ekonomike në rajon doemos duhet të shoqërohen me marrëdhënie të mira politike, sepse vetëm në atë mënyrë rajoni do të përparojë.

Nuk duhet të harrojmë se Evropa, pjesë e së cilës jemi edhe ne, po kalon krizën më të madhe të sigurisë pas Luftës së Dytë Botërore dhe se agresioni rus kundër Ukrainës është kërcënim për paqen dhe stabilitetin evropian dhe botëror. Të gjithë ne, në pajtim me mundësitë dhe kapacitetet tona, duhet ta ndihmojmë Ukrainën në mbrojtjen e territorit të saj, sepse vetëm në këtë mënyrë ndërtojmë kontinent evropian me prosperitet, të sigurt dhe demokratik.

Që rajoni të bashkëpunojë më mirë dhe në mënyrë më efikase, ne të gjithë duhet të ndërtojmë një lidhshmëri rajonale, përfshirë të gjitha proceset tjera, siç është procesi i Berlinit, të cilat mund të na ndihmojnë ta mbajmë dhe çojmë përpara zhvillimin e vendeve tona. Megjithatë, mënyra më e mirë për ta arritur këtë është fillimi i negociatave me Bashkimin Evropian, me qëllim integrimin e gjithë rajonit. Pres që zgjerimi i BE-së të vazhdojë sepse është një investim në paqen, prosperitetin dhe stabilitetin e Evropës.

Ju faleminderit për vëmendjen!

Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut

_________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit. 

Остани поврзан