Mexhiti paralajmëroi padi penale për Arsovskën: Ky është tentimi i fundit i Ahmetit për destabilizim përmes komunave
- Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, edhe sot i kërkoi kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, të merret me kompetencat e saj. Ai paralajmëroi edhe padi kundër saj, për, siç tha, pretendimet e rreme në lidhje me objektin në Çair, para të cilit ajo bëri foto dhe e publikoi atë. Mexhiti këtë rast e cilëson si "përpjekjen e fundit dhe plan të Ahmetit për destabilizim përmes komunave".
Shkup, 29 maj 2025 (MIA) - Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, edhe sot i kërkoi kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, të merret me kompetencat e saj. Ai paralajmëroi edhe padi kundër saj, për, siç tha, pretendimet e rreme në lidhje me objektin në Çair, para të cilit ajo bëri foto dhe e publikoi atë. Mexhiti këtë rast e cilëson si "përpjekjen e fundit dhe plan të Ahmetit për destabilizim përmes komunave".
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas fillimit të konferencës për mbeturinat, Mexhiti lidhur me propozimet për ministra dhe zëvendës të tyre, përsëriti se Qeveria do të kompletohet sa më shpejt të jetë e mundur, pasi "nuk ka kohë për të humbur dhe është e përkushtuar në realizimin e programit dhe projekteve".
Ministri pret edhe të rritet numri i deputetëve të VLEN-it, për të cilin mendon se tashmë është rritur.
Lidhur me zgjedhjet lokale, informoi se bisedimet janë duke u zhvilluar, por edhe priten anketat nga agjenci të ndryshme që VLEN-i t'i propozojë kandidatët më të mirë dhe më të përshtatshëm.
"Mirë që u paraqit Danella, pasi katër vite nuk e kemi parë. Dhe kur prisnim se do të thotë diçka për punën e premtuar, por të parealizuar në Çair dhe Shkup, ajo luan rolin e inspektorit, kontrollores, por harron se ndërmarrjet publike janë në prag të falimentimit dhe ky është menaxhimi më i keq i Shkupit që e mban mend historia, së bashku me BDI-në dhe Të Majtën", theksoi Mexhiti.
Sipas tij, nuk duhet harruar përpjekja e BDI-së dhe Ali Ahmetit për destabilizim të vendit, i cili kishte plan A, B, C, dhe i fundit ishte me Taravarin, por dështoi. Tani, shtoi Mexhiti, instrument është Danella Arsovska për destabilizim përmes komunave.
"Paralajmërimet ishin se do të dalë në rrugë dhe nuk do të kthehej, por shohim se kjo nuk ndodhi, numri i deputetëve është në favor të VLEN-it. Tani VLEN-i është përforcuar edhe më shumë. Ky është plani i fundit i Ahmetit, këtë herë jo përmes Taravarit dhe aktorëve të tjerë, por përmes Blerim Bexhetit, shefit të grupit parlamentar, Të Majtës dhe instrumenti është Danella Arsovska për destabilizim përmes komunave. Nëse bëhet fjalë për ndërtime pa leje, nuk ka komunë që nuk ka ndërtime pa leje. Mirë është që Arsovska filloi nga Çairi, por mirë është ta shohësh edhe në Saraj, në Shutkë ku janë partnerët e saj, mirë është të flasë për djalin e shefit të grupit parlamentar, Blerim Bexheti, i cili është 17 vjeç dhe ka Marrëveshje për shërbime intelektuale në NP 'Higjiena Komunale', ku drejtor është njeri i Blerim Bexhetit. Jo rastësisht po mbytemi në mbeturina në nivel të Qytetit të Shkupit, është mirë që Danela të merret me përgjegjësitë e saj, e jo me tjetër", theksoi ministri.
Ai u përqëndrua edhe tek këshilltarët, duke akuzuar BDI-në se ka zbatuar regjistrim të popullsisë, i cili i ndau qytetarët në rezidentë dhe jorezidentë.
"Nuk do të kishte dilema nëse regjistrimi i fundit i organizuar nga BDI do të ishte si të gjithë më parë. Regjistrimi i fundit i ndan qytetarët në rezidentë dhe jorezidentë dhe për këtë arsye tani, kur po bëhet Buxheti në Ministritë e Financave dhe të Arsimit, duhet të respektohet ky regjistrim, për nga popullsia rezidente, studentët rezidentë. Kjo është pasojë e regjistrimit të organizuar nga BDI-ja dhe për këtë shkak ata kanë më pak të drejtë të protestojnë. Po, numri i këshilltarëve në Gostivar po zvogëlohet, por po rritet numri i këshilltarëve në Studeniçan. Numri në Karposh dhe komuna tjera po zvogëlohet, nuk ka parashenjë etnike dhe kjo është pasojë e politikave të BDI-së", theksoi ministri. bsh/
Foto: MIA