Mexhiti: Ligji për “Branitellat” ka kaluar disa herë në kohën e BDI-së
- Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, në një intervistë për emisionin "Politica" në TV GLOBI, komentoi mbi debatin rreth ligjit për branitellat, duke theksuar se ky ligj është miratuar dhe mbindërtuar gjatë qeverisjes së BDI-së.

Shkup, 15 shkurt 2025 (MIA) - Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, në një intervistë për emisionin "Politica" në TV GLOBI, komentoi mbi debatin rreth ligjit për branitellat, duke theksuar se ky ligj është miratuar dhe mbindërtuar gjatë qeverisjes së BDI-së.
"Nëse shohim se kush e ka iniciuar këtë ligj, është e qartë se ai ka kaluar në qeveri gjatë mandatit të BDI-së, madje tri herë, nëse nuk gabohem. Vendimi i fundit është nënshkruar nga ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi dhe ka qenë ekskluzivisht në favor të branitellave, edhe pse ata janë thirrur në luftën e vitit 2001. Ndërkohë, nuk ka ligj për UÇK-në dhe nuk ka trajtim për ushtarët e saj, gjë që ia heq BDI-së të drejtën morale për të ngritur këtë çështje", ka thënë ai.
Mexhiti theksoi gjithashtu se ky ligj nuk është iniciuar nga VMRO-DPMNE, por nga ish-ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, nga LSDM-ja, e cila ishte partnere e BDI-së në qeverisjen e kaluar dhe tani është në opozitë.
"Ky ligj ka mbetur në labirinthet e Parlamentit dhe ne kemi qenë të qartë në qëndrimin tonë. Jemi kundër tij, sepse ai trajton vetëm një kategori dhe jo dy, ndërkohë që branitellat tashmë janë trajtuar mjaftueshëm në të kaluarën. Kjo çështje nuk është dhe nuk do të jetë prioritet i qeverisë aktuale", ka potencuar Mexhiti. bsh/