• сабота, 22 февруари 2025

Mexhiti: Gjuha amtare, element kyç i identitetit dhe bashkëjetesës në shoqëritë multietnike

Mexhiti: Gjuha amtare, element kyç i identitetit dhe bashkëjetesës në shoqëritë multietnike

Shkup, 21 shkurt 2025

Me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare organizuar nga Agjencia e Zbatimit të Gjuhës, zv/kryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, mbajti një fjalim të rëndësishëm, ku theksoi rëndësinë e gjuhës amtare si mjet komunikimi, por gjithashtu si element identitar dhe trashëgimni kulturore. Ai theksoi se gjuha amtare është pjesë e identitetit tonë dhe ndikimi i saj është i thellë që nga fëmijëria, duke na lidhur me familjen dhe kulturën.

Në fjalimin e tij, Mexhiti tha: "Gjuha amtare paraqet identitetin tonë, historinë tonë dhe trashëgiminë që ua përcjellim brezave. Qysh në fëmijëri, gjuha amtare e formëson mendimin tonë, na lidh me familjen dhe na bën pjesë të një kulture të dallueshme."

Në një rajon të Ballkanit me diversitet etnik e gjuhësor, Mexhiti theksoi se gjuha luan një rol kyç në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe në bashkëjetesën mes grupeve etnike. Ai përmendi si shembull Bosnjën e Hercegovinën, e cila ka tre gjuhë zyrtare, dhe theksoi se gjuha është një element simbolik dhe politik, veçanërisht pas shpërbërjes së Jugosllavisë. "Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, shtetet e reja e theksuan pikërisht gjuhën si element dallues dhe përcaktues të përkatësisë kombëtare," tha Mexhiti.

Izet Mexhiti vlerësoi se gjuha amtare është një e drejtë themelore dhe një parim kyç i barazisë etnike në shtetet multietnike, dhe e shihni si një mundësi për përmirësim të marrëdhënieve ndër-etnike dhe integrimin shoqëror e institucional. Ai theksoi se përdorimi i gjuhës amtare në administratë, arsim dhe sistemin gjyqësor është një tregues i respektit për barazinë etnike. "Përdorimi i gjuhës amtare në administratë, arsim dhe sistemin gjyqësor padyshim që është një tregues i respektit për barazinë etnike," tha ai.

Në fjalimin e tij, Mexhiti gjithashtu adresoi debatet aktuale për ndryshimet kushtetuese dhe theksoi se Kushtetuta duhet të jetë një instrument që forcon shtetin dhe garanton një shoqëri të barabartë dhe gjithëpërfshirëse. Ai theksoi se shqipja nuk është vetëm një statistikë, por një realitet, dhe se formulime si "20% e popullsisë" duhet të mbeten në të kaluarën: "Shqiptarët nuk janë statistika, ata janë pjesë e pandashme e këtij shteti!"

Në përfundim, zv/kryeministri Mexhiti uroi të gjithëve për Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, duke theksuar se gjuha amtare është më shumë sesa një mjet komunikimi, ajo është e drejtë identitare dhe një nga bazat e demokracisë dhe të drejtave të njeriut në shtetet multietnike.

Lëvizja Demokratike

______________________________________________________________________________________ 

МIА këto tekste i publikon në formë integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre, as për gabimet e mundshme drejtshkrimore apo të shtypit

Остани поврзан