• сабота, 06 декември 2025

Maria Zaharova me kritika për Vuçiçin: Pyes veten nëse atje ka vetëm një president të Serbisë

Maria Zaharova me kritika për Vuçiçin: Pyes veten nëse atje ka vetëm një president të Serbisë

Beograd, 7 nëntor 2025 (MIA) - Mediat serbe sot transmetuan një deklaratë të zëdhënëses së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zaharova, e cila tha se kur dëgjon intervistat me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, nuk është e sigurt nëse bëhet fjalë për një person apo për disa, sepse disa nga deklaratat e tij dëgjohen në Moskë, ndërsa të tjerat në intervista nga vende të tjera gjeografike.

“Kur lexoj të gjitha këto intervista të presidentit të Serbisë, pyes veten nëse vërtet ekziston një president Vuçiç. Sepse krijohet përshtypja se këto intervista jepen nga njerëz të ndryshëm. Dëgjojmë një intervistë, një deklaratë kur ai është në Moskë, dhe dëgjojmë deklarata të tjera kur ai jep intervista nga pika të tjera gjeografike. Dhe tani po flas vetëm për sferën publike. Nuk e di, ndoshta mediat kanë shtrembëruar diçka, por atëherë duhet të ketë disa sqarime nga shërbimi kompetent për shtypm shërbimi për shtyp i presidentit të Serbisë, i cili duhet të kishte sqaruar nëse gjithçka është cituar saktë në këtë intervistë”, tha ajo kur u pyet nga RT Balkan për të komentuar deklaratën e fundit të presidentit serb se blerësit e municioneve të prodhuara në Serbi mund të bëjnë çfarë të duan me to.

Zaharova tha se Moska vazhdimisht ka marrë garanci nga udhëheqja serbe, ndër të tjera, në nivelin më të lartë, se eksporti i municioneve të prodhuara në Serbi është nën kontroll të rreptë dhe se këto produkte "nuk do të dorëzohen në Ukrainë" në mënyrë që Kievi të mos i përdorë ato kundër ushtarëve rusë.

“Do t’ju ​​kujtoj vetëm se kush janë këta ushtarë. Ata janë ushtarë që i përkasin forcave të armatosura që vazhdimisht i kanë ardhur në ndihmë popullit miqësor serb, si historikisht ashtu edhe në periudhën moderne”, tha Maria Zaharova. ls/

 

 

Остани поврзан