• среда, 26 јуни 2024

Llugaliu: Për dy vite është zvogëluar importi nga Serbia për 70 për qind

Llugaliu: Për dy vite është zvogëluar importi nga Serbia për 70 për qind

Prishtinë, 18 qershor 2024 (MIA) - Drejtori i Doganës në Kosovë, Agron Llugaliu ka deklaruar se në dy vjetët e fundit ka rënie të kontrabandës në pjesën veriore të vendit, derisa sipas tij, sundimi i ligjit në atë pjesë është i shtrirë në mënyrë efikase. Llugaliu ka thënë se masa e sigurisë ndaj mallrave serbe e vendosur një vit më parë, ka ndikuar që të mos ketë kontrabandim të armatimit dhe pajisjeve tjera nga Serbia.

Llugaliu ka theksuar se pas vendosjes së masave të sigurisë nga Qeveria, ka rënie të importit nga Serbia për rreth 70 për qind, ndërsa ka rritje të importit nga ana e Shqipërisë për rreth 25 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Në përgjithësi, duke filluar dy vitet e fundit, sundimi i ligjit është shtirë në mënyrë shumë më efikase, shumë më të thellë në pjesën veriore, kjo ka ndikuar normalisht të bie edhe aktiviteti kontrabandës. Jo vetëm në pjesën veriore, mirëpo edhe aktivitete që ka përfshirë edhe pjesën tjetër të Republikës tonë në Kosovë”, ka deklaruar Llugaliu.

Përveç që ka rënë kontrabanda, Llugaliu ka theksuar se janë realizuar edhe aktivitete tjera që kanë përfshirë edhe pjesën tjetër të vendit.

Ai ka shtua se e rëndësishme në këtë drejtim është që masa ka qenë efikase duke treguar që nuk kanë pasur infiltrim ose tentim të kontrabandimit të armatimit dhe pajisjeve tjera.

“Këtë vit kemi rritje të theksuar ndaj importit me Shqipërinë. Prej 122 milionë euro sa ka qenë viti i kaluar, në katër mujor, është 130 milionë, që i bie diku afër 25 për qind rritje krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, thekson Llugaliu.

Masa e sigurisë për ndalimin e mallrave serbe ishte marrë më 14 qershor nga Qeveria e Kosovës, atë ditë kur ishin rrëmbyer tre zyrtarët policorë të Kosovës nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës. Më vonë Qeveria ka marrë vendim për lehtësimin e masës së sigurisë për mallrat e lëndës së parë dhe gjysmë produkte. mb/

Остани поврзан