Kryengritësit sirianë filluan sulm ndaj provincës Hama pas marrjes së Alepos
- – Kryengritësit sirianë, të udhëhequr nga grupi Hajat Tahrir al – Sham filluan sulm ndaj provincës Hama pasi e morën Alepon.
Damask, 3 dhjetor 2024 (MIA) – Kryengritësit sirianë, të udhëhequr nga grupi Hajat Tahrir al – Sham filluan sulm ndaj provincës Hama pasi e morën Alepon.
Ata janë gjashtë milje nga qyteti Hama, i katërti për nga madhësia në Siri, duke u kërcënuar se do t’i ndërpresin forcat qeveritare nga ruta kyçe drejt Damaskut.
Sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, kryengritësit po përballen me rezistencë dukshëm më të fortë në zonat rurale në veri të Hamës se sa ishte rasti në rajonin e Alepos më parë. Observatori njoftoi për luftimet më të ashpra me forcat qeveritare që kur ofensiva hyri në ditën e saj të shtatë, me fraksionet kryengritëse që pushtuan disa qytete dhe fshatra.
Forcat ajrore siriane dhe ruse kanë kryer dhjetëra sulme në këtë zonë, ndërsa mediat shtetërore siriane konfirmuan se objektivat e sulmeve ishin bastioni i kryengritësve në Idlib dhe përparimi i tyre në provincën Hama. Rusia, si aleate kyçe e presidentit Bashar al-Asad, vazhdon mbështetjen e saj, megjithëse burimet e saj janë të kufizuara nga lufta në Ukrainë.
Kombet e Bashkuara njoftuan se luftërat shkaktuan zhvendosjen e gati 50.000 njerëzve, përderisa të paktën 571 persona janë vrarë, duke përfshirë 98 civilë. Eksodi i rritur i civilëve në prag të dimrit shkaktoi shqetësim te organizatat ndërkombëtare humanitare.
Sekretari i përgjithshëm i KB-së, Antonio Guteresh ka dhënë alarmin për dhunën dhe ka bërë thirrje për përfundimin e menjëhershëm të luftimeve. Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja kanë bërë gjithashtu thirrje për qetësim të situatës. Aleati i Turqisë, Katari, i cili mbetet i vetmi kundërshtar arab i normalizimit të marrëdhënieve me administratën e Asadit, ka bërë thirrje për negociata ndërmjet palëve ndërluftuese si e vetmja mënyrë për t'i dhënë fund konfliktit.
Këshilli norvegjez për refugjatë paralajmëroi se ofensiva e kryengritësve “rrezikon ta tërheqë vendin prapa në ditët më të errëta të këtij konflikti gati 14-vjeçar”.
“Në Alepo, ekipet e NRC njoftojnë për mungesë të ushqimit, sepse furrat dhe shitoret janë mbyllur. Dëmtimi i rrjeteve të ujësjellësit, gjithashtu, e uli furnizimin me ujë në amvisëritë”, tha drejtoresha e NRC për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, Anxhelita Karada.
Presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij iranian Masud Pezeshkijan premtuan “mbështetje të pakushtëzuar” për aleatin e tyre, sipas Kremlinit.
Edhe Iraku fqinj shfaqi mbështetje, ndërsa sot grupi proiranian në kuadër të forcave të sigurisë i bëri thirrje qeverisë të ecë më tutje dhe të dërgojë trupa luftarake.
Kryengritësit e filluan ofensivën e tyre të papritur më 26 nëntor, duke sulmuar nga zonat në veri dhe veriperëndim të Alepos. Ata hynë në qytet më 29-30 nëntor, duke i shtypur prej atje forcat qeveritare.
Kjo është hera e parë që të ndërrohet kontrolli ndaj qytetit nga viti 2016, kur forcat e sigurisë, të mbështetura nga Rusia dhe Irani, i mundën kryengritësit të cilët i kontrollonin zonat lindore të Alepos.
Sulmi është iniciuar nga grupi Hajat Tahrir al – Sham. Më herët i njohur si Fronti Nusra, ai ishte krahu zyrtar i Al Kaidës në luftën siriane deri në ndërprerjen e lidhjeve në vitin 2016.
HTS, e kryesuar nga Abu Mohamed al Golani, një kohë të gjatë është forcë dominuese në rajonin Idlib, pjesë e harkut në veriperëndim ku kryengritësit mbanin një bastion edhe krahas përparimeve të Asadit në vende të tjera.
SHBA-ja, Rusia dhe Turqia dhe shtete të tjera e cilësojnë si grup terrorist.
Një aleancë tjetër e kryengritësve filloi ofensivë nga zonat në veri të Alepos. Këta kryengritës janë mbështetur nga Turqia dhe organizuar nën flamurin e Armatës Kombëtare Siriane. fc/
Fotografia: EPA