• сабота, 06 декември 2025

Kryeministrat e Rusisë dhe Kinës mbajtën takim joformal para fillimit të Samitit të rregullt

Kryeministrat e Rusisë dhe Kinës mbajtën takim joformal para fillimit të Samitit të rregullt

Pekin, 3 nëntor 2025 (MIA) - Kryeministri i Rusisë, Mihail Mishustin dhe homologu i tij nga Kina, Li Çijang, janë takuar në një atmosferë joformale para fillimit të takimit të 30-të rregullt të qeverive të të dyja vendeve, raporton TASS. 

Takimi është mbajtur në njërën nga vilat e rezidencës shtetërore "Sihu" ("Liqeni Perëndimor") në bregun e liqenit me të njëjtin emër, i cili është përfshirë në listën e trashëgimisë botërore të UNESKO-s. 

Rezidenca ka qenë dëshmitare e një serie ngjarjesh të rëndësishme historike, thekson TASS, duke shtuar se, sipas udhëzimit të presidentit Mao Ce Tung, pikërisht aty është përgatitur projekti i Kushtetutës së parë të Republikës Popullore të Kinës (në vitin 1954).

Gjatë takimit, kryeministri rus deklaroi se marrëdhëniet midis Rusisë dhe Kinës vazhdojnë të zhvillohen, pavarësisht sanksioneve perëndimore, dhe janë në nivelin më të lartë në tërë historinë.

Mishustin theksoi se vëmendje e veçantë i kushtohet zgjerimit të bashkëpunimit investues. "Më 1 dhjetor hyn në fuqi marrëveshja ndërqeveritare për promovimin dhe mbrojtjen e ndërsjellë të investimeve, e cila u nënshkrua gjatë samitit ruso-kinez më 8 maj në Moskë. Ajo do të stimulojë krijimin e ndërmarrjeve të reja të përbashkëta me pjesëmarrjen e investitorëve rusë dhe kinezë, bazuar në përfitim të ndërsjellë dhe duke marrë parasysh interesat e palës tjetër", theksoi kryeministri rus.

Ai theksoi se bashkëpunimi në sektorin energjetik ka marrë një karakter strategjik dhe përfshin industrinë e naftës, gazit, nxjerrjen e qymyrit dhe energjinë bërthamore. Në industrinë prodhuese po krijohen kapacitete të reja të përbashkëta dhe aleanca teknologjike. Në fushën e transportit është rritur volumi i transportit të mallrave dhe po zhvillohet infrastruktura kufitare, duke hapur rrugë të reja ajrore. Bashkëpunimi në bujqësi forcon sigurinë ushqimore të të dyja vendeve, theksoi Mishustin. qa/

Foto: EPA

Остани поврзан