• четврток, 25 декември 2025

Kremlini kundër CIA-s: Putini nuk dëshiron të pushtojë Ukrainën ose Evropën

Kremlini kundër CIA-s: Putini nuk dëshiron të pushtojë Ukrainën ose Evropën

Moskë, 22 dhejtor 2025 (MIA) - Kremlini sot kumtoi se agjencitë e inteligjencës amerikane gabohen kur besojnë se presidenti rus Vlladimir Putin dëshiron të marrë kontrollin e të gjithë Ukrainës dhe pjesëve të Evropës që dikur ishin pjesë e ish Bashkimit Sovjetik. 

Mediat britanike javën e kaluar publikuan, duke cituar gjashtë burime anonime, se raportet e inteligjencës amerikane vazhdojnë të paralajmërojnë se Putini nuk është dorëzuar nga qëllimi i tij për të pushtuar të gjithë Ukrainën dhe për të marrë nën kontroll pjesë të Evropës që dikur ishin pjesë e ish-bllokut sovjetik. 

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov, deklaroi se Moska nuk e dinte se sa të besueshme ishin burimet e cituara nga media britanike. Nëse ky raport është i saktë, atëherë përfundimet e agjencive të inteligjencës amerikane janë të gabuara, shtoi ai. 

"Kjo nuk është absolutisht e vërtetë", tha Peskov duke folur për përfundimet e shërbimeve të inteligjencës. 

Putini dërgoi dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, ndërsa forcat ruse tani kontrollojnë rreth një të pestën e vendit. Disa liderë evropianë dhe ukrainasë e kanë akuzuar Putinin se ka ambicie de=he jashtë Ukrainës. 

Presidenti rus asnjëherë nuk ka deklaruar publikisht se dëshiron të pushtojë të gjithë Ukrainën, por vazhdimisht ka thënë se forcat ruse do të pushtojnë edhe më shumë pjesë të Ukrainës nëse Kievi nuk pranon të lëshojë pjesën e mbetur të Donbasit në Ukrainën lindore, e cila është ende nën kontrollin e forcave ukrainase. 

Moska e sheh zgjerimin e NATO-s drejt lindjes, e cila tani përfshin vendet e Evropës Lindore të cilat ishin pjesë e bllokut sovjetik pas Luftës së Dytë Botërore, si një kërcënim për Rusinë. 

Putini ka thënë se nuk dëshiron të ringjallë Bashkimin Sovjetik ose të sulmojë një anëtar të NATO-s. Këtë muaj ai tha se Rusia nuk dëshiron luftë me Evropën, por nëse Evropa fillon një luftë, Rusia do të fitojë. rq/

Foto: arkivi i MIA-s 

Остани поврзан