• четврток, 05 декември 2024

Koshta: Zgjerimi nuk do të ketë sukses nëse nuk e dëgjojmë shoqërinë civile nga Ballkani Perëndimor

Koshta: Zgjerimi nuk do të ketë sukses nëse nuk e dëgjojmë shoqërinë civile nga Ballkani Perëndimor

Bruksel, 4 dhjetor 2024 (MIA) – Dialogu social është themeli i modelit tonë evropian, që na mundëson të gjejmë zgjidhje të qëndrueshme për problemet, të bazuara në bisedime të vazhdueshme mes përfaqësuesve të ndryshëm të shoqërive tona dhe të lidhemi me qytetarët në përballjen me sfidat më të mëdha me të cilat përballemi sot, porositi kryetari i Këshillit të BE-së, Antonio Koshta në paraqitjen para Komitetit Evropian Ekonomik dhe Social. 

“Zgjerimi nuk mund të ketë sukses nëse nuk e dëgjojmë shoqërinë civile në vendet kandidate nga Ballkani Perëndimor”, deklaroi Koshta duke theksuar se në këtë proces me rëndësi të madhe është Komiteti Evropian Ekonomik dhe Social të jetë në kontakt me organizatat joqeveritare nga shtetet e rajonit në bazë të rregullt dhe intensive. 

Sipas Koshtës, dialogu social është i pashmangshëm edhe gjatë përpjekjeve për arritjen e neutralitetit klimatik ose për fuqizimin e pozitës globale të BE-së, përmes ndërtimit të rrjetit të partneritetit me të gjitha palët e prekura. 

Koshta potencoi se dialogu politik ka rol veçanërisht të rëndësishëm në përfshirjen e zërit të të rinjve gjatë përgatitjes së legjislacionit të BE-së, me çka do të dëgjohen qëndrimet dhe preokupimet e gjeneratës së re. 

Ai theksoi se në mesin e çështjeve kryesore me të cilat përballet modeli evropian ekonomik dhe social është nëse do të mbahet premtimi i BE-së për prosperitet të përbashkët për qytetarët e saj. 

“BE-ja gjithmonë do të mbante atë premtim. Në përgjithësi, çdo vend anëtar është shumë më i prosperuar falë anëtarësimit në BE. Tregu ynë është shumë atraktiv, ndërsa punësimi ende është në nivel rekord”, tha Koshta. 

Në këtë moment, sipas tij, sfidë është mbajtja e premtimit për prosperitetin në kushte kur bizneset përballen me çmime të larta të energjisë dhe barrës administrative, punëtorët me sigurimin e sigurisë sociale, ndërsa gjeneratat e reja me pasiguri. 

Koshta vlerëson se që të sigurohet prosperitet, BE-ja duhet ta rinovojë konkurrencën e saj, ta fuqizojë tregun e vetëm, ta rrisë produktivitetin, t’i sigurojë financat e nevojshme për inovacione dhe investime dhe ta fuqizojë tregtinë e jashtme. 

“Gjëja e mirë është se jemi në rrugën e duhur. E vendosëm diagnozën, kemi propozime ambicioze, por duhet të kemi vullnet politik. Tani duhet të ofrojmë”, përfundoi Koshta. fc/

Fotografia: Iks

Остани поврзан