Kongresi i Manastirit, monument i lartë i kujtesës sonë kombëtare
- Ideja për të organizuar “Ditët e Alfabetit”, një manifestim ky me karakter kulturor e shkencor, lidhet drejtpërdrejt me misionin e Institutit tonë që si frymëzim ka pikërisht vlerat iluministe, arsimore e kulturore që prodhoi Kongresi i Manastirit, i mbajtur këtu e 116 vite më parë, nga data 14- 22 nëntor 1908. Pikërisht 22 nëntori është zgjedhur jorastësisht edhe si ditë e themelimit të Institutit tonë para 17 viteve, që njëherësh është shpallur edhe festë shtetërore.
Shkup, 14 nëntor 2024
Ideja për të organizuar “Ditët e Alfabetit”, një manifestim ky me karakter kulturor e shkencor, lidhet drejtpërdrejt me misionin e Institutit tonë që si frymëzim ka pikërisht vlerat iluministe, arsimore e kulturore që prodhoi Kongresi i Manastirit, i mbajtur këtu e 116 vite më parë, nga data 14- 22 nëntor 1908. Pikërisht 22 nëntori është zgjedhur jorastësisht edhe si ditë e themelimit të Institutit tonë para 17 viteve, që njëherësh është shpallur edhe festë shtetërore.
Për të kujtuar këtë Kongres që shënonte fundin e një robërie dhe fillimin e një lirie kombëtare, ne si Institut jemi kujdesur që të risjellim në vëmendjen e brezave të sotëm jehonën e kësaj ngjarjeje të madhe historike që kishte ndodhur në qytetin e Manastirit, aty ku u mblodh ajka e mendimtarëve e veprimtarëve shqiptarë të Rilindjes Kombëtare për të hedhur themelet e një alfabeti që për shqiptarët do të ishte shenja më identifikuese evropiane.
Me një alfabet latin e të unifikuar, elita shqiptare e asaj kohe synonte të avancojë vetëdijen kulturore dhe të përgatiste shtratin e ngjarjeve të mëdha që do të pasonin me Pavarësinë (1912) dhe me krijimin e infrastrukturës arsimore e kulturore të shtetit shqiptar. Për rrjedhojë vetëm një vit më vonë u themelua Normalja e Elbasanit, kurse në kolonitë e mërgatës shqiptare në Egjipt, Sofje, Rumani, Stamboll, Selanik e gjetiu u botuan dhjetëra revista e libra të shkruara me alfabetin e posaformuar në Manastir.
Një komb nuk është i lirë vetën nëse jeton pa dominimin e të huajve. Një komb është edhe më i lirë kur kulturën dhe vetëdijen kombëtare e zhvillon në harmoni me vlerat dhe standardet që atë komb e bëjnë të qytetëruar. Alfabeti i shqipes është reflektim i qytetërimit perëndimor dhe graviteti fushëveprues i këtij alfabeti u zgjerua si në përgatitjen e dokumenteve të administratës shtetërore, ashtu edhe në publikimet me karakter, arsimor, shkencor e artistik.
Tani, pas 116 viteve, kur e kujtojmë Kongresin e Alfabetit, kemi arsye ta kuptojmë më mirë çdo përpjekje që si pikësynim ka zhvillimin e kulturës së shkrimit dhe përhapjen e vlerave letrare e artistike. Prandaj, jo rastësisht ne sivjet u orientuam në një temë qendrore, e cila duke pasur si pikësim pikërisht avancimin dhe zhvillimin e kulturës së shkrimit, kemi marrë për bazë studimi personalitetin shumëdimensional të shkrimtarit Ismail Kadare, një gjeni ky i letrave shqipe i cili vetëm pak muaj më parë ndërroi jetë në Tiranë, por na la trashëgim një veprimtari të begatë letrare.
Studiuesit tanë nga Tirana, Prishtina si dhe nga vendi, përfshi edhe kolegët e Institutit tonë, brenda Ditëve të Alfabetit do të vijnë me qasje interesante dhe të veçanta mbi Ismail Kadarenë, shikuar në disa aspekte.
Jam shumë kureshtar të ndjek këto kumtesa dhe bashkë me pjesëmarrësit tjerë të hedhim një gurë modest, por të rëndësishëm, në studimet kadareane. Me këtë, Instituti ynë do t’i bashkohet qendrave të tjera albanologjike në Tiranë dhe në Prishtinë, në frymën edhe të marrëveshjeve që i kemi, që me projekte e ide konkrete të ngremë nivelin e studimeve letrare, gjuhësore e historike. Në kushtet e një bashkëpunimi të shkëlqyer që tani më disa vite është bërë pjesë e kalendarëve tona të përbashkëta, mendoj se edhe figura e shkrimtarit Ismail Kadare do të vazhdojë të na frymëzojë për ide e projekte të reja, të cilët do t’i jepnin emrit dhe veprës së tij një dimension edhe më të gjerë të këndvështrimit.
Ashtu siç ishte Kongresi i Alfabetit një ngjarje përbashkuese në mes veti dhe komunikuese me të tjerët, përfshi fqinjët ballkanas dhe miqtë evropianë, janë edhe shkrimtarët e tipit të Kadaresë që letërsisë shqipe i sollën dinamikë tjetër zhvillimi, por duke ndjekur frymën dhe porositë e elitës kulturore shqiptare të para 100 viteve, e cila shkronjat e gjuhës shqipe i bëri tulla për të ngritur monumente të larta të kujtesës sonë kombëtare.
Nga prof. dr. Skender ASANI
___________________________________________________________
MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.