• четврток, 14 ноември 2024

Ruajtja e harmonisë fetare brendashqiptare, garantuese e një ardhmërie të ndritshme

Ruajtja e harmonisë fetare brendashqiptare, garantuese e një ardhmërie të ndritshme

Shkup, 30 tetor 2024

Për dallim nga popujt tjerë të Ballkanit, të cilët revolucionet e tyre i mbështetën në doktrina fetare, te shqiptarët ndodhi e kundërta. Nacionalizmi shqiptar, që u formësua kryesisht gjatë Rilindjes Kombëtare, platformën e tij ideologjike e kulturore e vendosi mbi unitetin kombëtar, duke mos u bërë peng i besimeve dhe doktrinave fetare. Prandaj, në historinë shqiptare dominojnë fotografi të ngjarjeve të rëndësishme ku pranë njëri tjetrit qëndrojnë personalitete të shquara me besime të ndryshme fetare – islame e të krishtera. Në Lidhjen e Prizrenit, në Kongresin e Alfabetit, në aktin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë si dhe në ngjarjet e mëvonshme, pati një bashkëpunim të shkëlqyer të krerëve të Lëvizjes kombëtare, të cilët vinin nga besime të ndryshme fetare.
Europa, që nga mesjeta e deri në shekujt e mëvonshëm, njohu lufta të brendshme fetare në mes të popujve dhe te ata, në të shumtën e rasteve, dominoi filozofia e unitetit mbi baza fetare e jo kombëtare. Kështu ndodhi edhe te popujt e Ballkanit, te cilët kisha luante rolin kryesor në mobilizimin e brendshëm, por edhe në luftëra kundër popujve të tjerë. Ky dominim i segmentit fetar në historinë e formimit kombëtar të këtyre popujve, ka lënë pasoja të shumta, si në rrjedhat e brendshme shoqërore, ashtu edhe në marrëdhëniet me popujt e tjerë. Për rrjedhojë, popujt që vetëdijen e tyre kombëtare e shartuan mbi trungun e doktrinave fetare, e kanë më vështirë t’i pranojnë vlerat e atyre që janë të ndryshëm nga ata, sidomos të ndryshëm mbi baza fetare. 
Kjo filozofi e të menduarit kishte dominuar sidomos në shek. 19, por në momente të caktuara edhe gjatë shek. 20, atëherë kur kisha, sidomos ajo  e proviniencës serbe dhe greke, për interesa të caktuara, bekonte ose mallkonte njerëz. I bekonte ata që marshonin në beteja pushtuese kundër popujve të tjerë dhe i mallkonte ata që bënin përpjekje të arsimoheshin në gjuhën e tyre amtare. Shumë ofenziva të paramilitarëve dhe forcave pushtuese serbe në Kosovë, fillimisht e merrnin bekimin e kishës. Prandaj vulën e bashkëfajësisë në shumicën e masakrave ndaj shqiptarëve e mban edhe kisha serbe. 
Ndërkaq, mallkimi mbi shkronjat shqipe, bie fjala, ishte kryefjala e liturgjive fetare të priftërinjve grekë, të cilët e quanin herezi përhapjen e mësimit në gjuhën shqipe nëpër shkollat e Shqipërisë së jugut, në prag të pavarësisë së saj.

Të liruar nga psikoza e ndikimit dhe indoktrinimit fetar, shqiptarët zhvilluan beteja të pastra identitare pa cenuar interesat e popujve të tjerë dhe pa e glorifikuar historinë e tyre nacionale. Kjo ka bërë që shqiptarët të jenë rast unik në botë që, edhe pse me shumicë islame, kanë për hero kombëtar një figurë të identifikuar me Krishtërimin, siç është Gjergj Kastrioti, ose një simbol të humanitetit ndërkombëtare, me përkatësi fetare katolike, siç është Gonxhe Bojaxhiu- Nëna Tereza.
Shqiptarët i bën unik edhe qasja që kanë ndaj atyre që kanë besim tjetër fetar. Janë të shumta rastet kur shqiptarët në Kosovë dhe në Shqipëri ua urojnë festat fetare fqinjëve të tyre, me përkatësi tjetër fetare, dhe madje marrin pjesë edhe në ceremoni të përbashkëta festive. Ky sinkretizim fetar në hapësirsën shqiptare, nuk praktikohet te popoujt tjerë, dhe kjo ka bërë që të ruhet bërthama kombëtare nga tendenca e shkërmoqjes dhe dezintegrimit.

Por a mjafton kjo frymë e harmonisë fetare brendashqiptare?

Kjo pyetje bëhet më kuptimplotë, sidomos në kohën që po e jetojmë aktualisht, kur harta e konflikteve dhe mosmarrëveshjeve po merr përmasa shqetësuese, kurse roli dhe ndikimi i fesë gjithnjë e më tepër po tregohet si katalizator krizash e keqkuptimesh në mes të popujve e shteteve. Lindja e Mesme, Ukraina, shtetet e ish Bashkimit Sovjetik, dhe pika të tjera neuralgjike , janë vetëm disa nga vatrat e krizës, ku në prapavijën e konflikteve qëndrojnë edhe animozitetet të shtresuara fetare nga e kaluara. 

Bashkëjetesa fetare nuk është një përvojë njerëzore që mbetet e ngurtë, e pandryshuar, por përkundrazi, bashkëjetesa fetare duhet të kultivohet në vazhdimësi dhe të ruhet nga ndikimet që prishin harmoninë fetare. Bashkëjetesa fetare duhet të ushqehet me frytet më të pastra të mirëkuptimit kombëtar.

Shqiptarët iu takojnë tre besimeve fetare: islame, katolike dhe ortodokse dhe nënvarianteve të ndryshme të këtyre besimeve. Duke qenë të shpërndarë në një hapësirë kaq dispersive fetare, shqiptarët, për dallim nga popujt tjerë, nuk e kultivuan kultin e besimit fetar si një faktor vendimmarrës. Përkundrazi, shqiptarët gjatë gjithë rrugëtimit të tyre historik, bashkëudhëtarë më të afërt nuk patën pjesëtarët e të njëjtit besim, por bashkëveprimtarët e të njëjtit ideal kombëtar.  Kjo ndikoi që në etapat e caktuara të zhvillimit të betejave identitatare, te shqiptarët  të kultivohet vëllazëria e brendshme mbi baza kombëtare e jo mbi ato fetare. 
Një vëllazëri e brendshme kombëtare sot ka nevojë të kalojë nëpër sprova dhe  testime të vazhdueshme, në mënyrë që kauzat civilizuese e kombëtare të zhvillohen papengueshëm dhe të pandikuara nga doktrinat e caktuara fetare. Fundja, fenë duhet kuptuar thjeshtë si besim, kurse kombin si gjen, si ADN. Prandaj, sot hasim më dendur ndërrimin  e fesë se sa të kombit, sepse besimi është kategori e ndryshueshme, kurse gjeni ose AND-ja - jo.

Duke qenë kështu të definuara çështja e fesë dhe e kombit, shqiptarët duhet të vazhdojnë të bashkëjetojnë në harmoninë e besimeve fetare, si një parakusht për ruajtjen e qenies së tyre kombëtare. Çdo dominim apo mbivendosje e prioriteteve  fetare mbi ato kombëtare  e rrezikon të ardhmen e shqiptarëve. Arkitektura etnike e kombit shqiptar duhet të ketë si konstruksion pikërisht vertikalen shpirtërore kombëtare, kurse si fasadë mund të përdoren edhe besimet fetare. 
Ashtu siç shtetet formohen prej kombeve, edhe kombi formohet prej interesave dhe specifikave të përbashkëta. Shqiptarët si komb u formuan vonë, por te ata ndjenja e përbashkësisë etno-psikologjike datonte shumë më herët, që nga përpjekjet e Gjegj Kastriotit për të formuar shtetin e Arbërit, si derivat i bashkimit të principatave arbërore. Pra, asnjëherë te shqiptarët bashkimi nuk u bë mbi baza fetare, por mbi ato kombëtare dhe kjo ka qenë arsyeja që në organet drejtuese të shtetit, që nga pavarësia e këndej, kanë qenë personalitete me përkatësi të ndryshme fetare që kanë ushtruar funksione të larta zyrtare, duke filluar nga diplomacia, ushtria, e deri te arsimi, ekonomia e bujqësia.

Vazhdimësia iliro-arbërore-shqiptare ka qenë një faktor i rëndësishëm historik që e ka shpëtuar kombin shqiptar nga dezintegrimi dhe asimilimi. Ky shpëtim ka ndodhur edhe në ato momente historike kur shqiptarët me besime të ndryshme fetare arritën të bashkëpunojnë në mes veti  për të mbrojtur qenien e tyre kombëtare. Intelektualët shqiptarë që vinin prej besimeve të ndryshme fetare, u bënë ideatorët kryesorë të përhapjes së dritës së diturisë në hapësirat shqiptare. 
Në Stamboll, në gjysmën e dytë të shek. 19, ishte një qerthull mjaft aktiv kulturor që tubonte intelektual e ideolog shqiptarë të besimit islam, në krye me vëllezërit Frashëri, të cilët e formuan edhe “Shoqërinë e të shtypurit shkronja shqip”, ose e njohur ndryshe “Shoqëria e Stmabollit”. Ky qerthull kulturor i Stambollit pati bashkëpunim të shkëlqyer me intelektualët e ideologët shqiptarë të besimit katolik e ortodoks, në  Korçë, Shkodër, Bukuresht, Sofje, Kalabri, Sicili,  Kajro e gjetiu dhe si fryt i këtij bashkëpunimi u organizuan Kongresi i Manastirit, hapja e Shkollës së parë për vasha në Korçë, Kongresi i dytë i Manastirit dhe hapja e Normales së Elbasanit, deri te Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972. 

Moscënueshmëria e harmonisë fetare të shqiptarëve nga ndikimet dhe përçarjet e jashtme, është një prej prioriteteve kryesore të elitave politike, intelektuale e fetare të shqiptarëve. Kjo moscenueshmëri arrihet nëse fuqizohet vëllazëria e brendshme kombëtare, pa i dëmtuar ndjenjat fetare të secilit. Sepse një vëllazëri e brendshme kombëtare ngërthen në vetvete diversitete të shumta krahinore, dialektore, zakonore e  fetare. Nëse gjithë këto diversitete trajtohen si pasuri kombëtare dhe nëse uniteti ndërtohet mbi dallime të caktuara, atëherë ardhmëria është e garantuar, kurse gjeneratat pas nesh do ta kenë më lehtë t’i tejkalojnë sfidat që paraqiten si rrjedhojë e këtyre dallimeve.

Prof.dr. Skender ASANI

______________________________________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.

Тагови

Остани поврзан