Konferenca e OKB-së për klimën në Brazil u ndalua pasi BE-ja e hodhi poshtë draft-marrëveshjen si të pamjaftueshme
- Rezultati i konferencës së OKB-së për klimën në Belem të Brazilit (COP30) mbetet i paqartë pasi Bashkimi Evropian refuzoi të pranojë draft-marrëveshjen që, sipas tij, nuk do të forconte përpjekjet globale për të zvogëluar emetimet e gazrave serrë.
Belem, 22 nëntor 2025 (MIA) - Rezultati i konferencës së OKB-së për klimën në Belem të Brazilit (COP30) mbetet i paqartë pasi Bashkimi Evropian refuzoi të pranojë draft-marrëveshjen që, sipas tij, nuk do të forconte përpjekjet globale për të zvogëluar emetimet e gazrave serrë.
Konferenca dy-ditore duhej të mbaronte mbrëmë, por bisedimet vazhduan deri vonë natën.
Disa ekonomi në zhvillim e kanë kritikuar qëndrimin e BE-së dhe i kanë bërë thirrje bllokut të ndajë më shumë mjete për të ndihmuar vendet më të varfra të përballen me ndryshimet klimatike.
"Nuk mund të ndjekim vetëm një rrugë. Nëse ka një rrugë për lëndët djegëse fosile, duhet të ketë një rrugë për financimin e klimës", tha një negociator i cili kërkoi të mos identifikohej.
Draft-marrëveshjën që e shpërndau Brazili herët dje nuk përmbante asgjë mbi lëndët djegëse fosile. Bashkimi Evropian e përshkroi draft-marrëveshjen si "shumë të dobët".
"Ne nuk do ta pranojmë këtë në asnjë rrethanë", tha Komisioneri i BE-së për Klimën, Vopke Hoekstra.
Një burim i BE-së tha më vonë se blloku po mendon tërheqjen nga bisedimet në vend që të binte dakord për një marrëveshje të papranueshme.
Drafti, gjithashtu, kërkon nga vendet që të trefishojnë financimin për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike deri në vitin 2030 krahasuar me vitin 2025.
Një përfaqësues i ekipit negociator brazilian deklaroi se gjasa janë shumë të vogla që çështja e lëndëve djegëse fosile të rikthehej dhe se presidenca e samitit po këmbëngul vetëm për ndryshime të vogla në draft.
Opsionet e tjera që po diskutohen përfshijnë marrëveshje anësore të veçanta mbi lëndët djegëse fosile që vendet do t’i miratonin vullnetarisht, por pa konsensusin e nevojshëm për vendime në konferencat e OKB-së për ndryshimet klimatike, thanë negociatorët.
Blloku arab në bisedime, i cili përfshin 22 vende, përfshirë Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, në një takim me dyer të mbyllura deklaroi se nuk do të lejojë që industritë e energjisë të jenë objekt diskutimi, kumtuan tre burime. ls/
Foto: Arkivi i MIA-s