• вторник, 19 ноември 2024

Konferencë Gjyqësore: Forcimi i llogaridhënies gjyqësore, pavarësia dhe besimi i opinionit, prioritet kyç për integrimin në BE

Konferencë Gjyqësore: Forcimi i llogaridhënies gjyqësore, pavarësia dhe besimi i opinionit, prioritet kyç për integrimin në BE

Shkup, 19 nëntor 2024 (MIA) - Forcimi i përgjegjësisë gjyqësore, pavarësia dhe besimi i opinionit janë kyçe për integrimin në Bashkimin Evropian, ndërsa gjyqësori duhet të shprehë publikisht dhe fuqishëm qëndrimet e veta përmes aktivizmit të vazhdueshëm. Këto ishin pjesë e mesazheve kryesore të konferencës gjyqësore të organizuar nga Akademia e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë në bashkëpunim me Institutin CEELI dhe projektin "Përkrahja e BE-së për sundimin e ligjit në Republikën e Maqedonisë së Veriut", e cila mbahet sot dhe nesër në Shkup.

Konferenca përfshin panel diskutime mbi sfidat aktuale dhe zgjidhjet e mundshme për sigurimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe synon të sigurojë një udhërrëfyes për reformat që do të krijojnë një gjyqësor të pavarur, transparent dhe të përgjegjshëm në Maqedoninë e Veriut, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe pritjet e opinionit.

Drejtoresha e Akademisë së Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë të Maqedonisë së Veriut, Irina Trajkoska Strezoski, në fjalën e saj të hapjes së Konferencës, tha se ruajtja e pavarësisë dhe përgjegjësisë, si dhe reformat e vazhdueshme për forcimin e gjyqësorit, mbeten prioritet kyç në rrugën e integrimit në Bashkimi Evropian, prandaj vizioni bazë i Akademisë është ndërtimi i një profili evropian të gjyqtarëve dhe prokurorëve publikë, por edhe të administratës gjyqësore dhe prokuroriale përmes trajnimeve fillestare dhe të vazhdueshme.

“Misioni i AGJPP-së është promovimi dhe sigurimi i një gjyqësori të pavarur, të paanshëm, shumë profesional dhe efikas që do të afirmojë parimin e sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Qëllimi është të krijohet një sistem gjyqësor modern i bazuar në vlerat evropiane, i cili do të jetë plotësisht i rakorduar me legjislacionin evropian dhe do të inkorporojë standardet ndërkombëtare, me qëllim të rritjes së besimit të qytetarëve në institucionet gjyqësore”, tha Trajkoska Strezoski.

Besa Ademi, kryetare e Gjykatës Supreme, tha se gjyqësori nuk duhet të distancohet nga qëndrimet dhe zotimet e veta, por siç tha ajo duhet t'i shprehë ato publikisht, me zë të lartë dhe fuqishëm përmes aktivizmit të vazhdueshëm gjyqësor. Ajo theksoi se pushteti gjyqësor duhet të ketë unitet dhe jo të jetë i ndarë, sepse me ndarje të çfarëdo lloj natyre nuk mund të fuqizohet pozita e tij kushtetuese. Me rëndësi vendimtare është sigurimi i pavarësisë së plotë nga të gjitha aspektet”, theksoi ajo.

“Nuk mund të flitet për pavarësi të gjyqësorit me një ulje tendencioze të buxhetit të gjykatës pavarësisht minimumit ligjor të vendosur. Nuk mund të flitet për pavarësinë e gjyqësorit nëse përdoret për kalkulime politike dhe motive që më së paku i përkasin kompetencave të autoritetit gjyqësor. Ndikimet e pahijshme nga qendra të ndryshme të pushtetit janë rrezik për korrupsion. Duhet pavarësi e plotë legjislative, funksionale dhe financiare”, tha Ademi.

Sipas saj, askush nuk duhet të jetë mbi ligjin sepse kështu ndërtohet besimi i opinionit tek sistemi gjyqësor dhe integriteti moral i gjyqësorit. Ajo theksoi se është e nevojshme të ndryshohen perceptimet dhe të futen ide që do të jenë progresive në aspektin e sundimit të ligjit.

Drejtori ekzekutiv i Institutit CEELI, njëri nga bashkëorganizatorët e manifestimit të sotëm, Robert String, tha se pavarësia është kyçe për punën e gjyqtarëve, duke theksuar se puna në rekomandimet e BE-së dhe SHBA-së në atë drejtim është një  ide e mirë, duke pasur parasysh rëndësinë e sigurimit të pavarësisë së gjyqësorit në procesin e para-anëtarësimit në BE.

“Lidhur me panelet që do të diskutohen sot, ka një çështje plot sfida për të cilën po punojnë shumë vende të rajonit. Nëse do të punohet me para-vetting apo me vetting të plotë. E di që pyetja është komplekse. Ne gjithashtu kemi një udhëzues që do t'i përgjigjet kësaj pyetjeje. Ne shikuam situata në vende të ndryshme me vettingun, vende që duan të futin vettingun dhe të kenë një pamje më të qartë. Vettingu nga jashtë duket një ide e mrekullueshme, parandalon korrupsionin, por duhet të kemi parasysh që mund të përdoret në situata të ndryshme. Çështja është komplekse dhe shpresoj se do të kemi një diskutim të mire”, theksoi String.

Ndikimi dhe roli i Shoqatave të Gjyqtarëve, theksoi String, gjithashtu luajnë një rol kyç në mbrojtjen e gjyqtarëve nga sulmet dhe ndikimet e jashtme.

Vesna Dameva, kryetare e Këshillit Gjyqësor, theksoi se tema e konferencës nuk është e re, por ka qenë aktuale për një kohë të gjatë.

“Përfundimisht, duhet t'i jepet fund gjyqtarëve të papërgjegjshëm, varësisë së tyre nga kushdo dhe në çfarëdo mënyre dhe të gjithë duhet të mbajnë përgjegjësi për sjelljen e tyre joprofesionale dhe të pakujdesshme, sidomos kur kjo është shkaktuar nga ndikime të caktuara. Çdo gjyqtar është i detyruar të mbrojë integritetin e tij dhe të mos lejojë që funksioni gjyqësor të keqpërdoret për qëllime personale apo politike, vetëm në këtë mënyrë do të fillojë të kthehet besimi i qytetarëve. Të gjithë duhet ta meritojmë, por jo duke heshtur, duhet guxim, vendosmëri dhe integritet”, tha Dameva.

Gzhegozh Borkovski, anëtar i Bordit Redaktues të Udhëzuesit për Vetingun e Gjyqësorit (Poloni), tregoi se fakti që i gjithë gjyqësori është i pranishëm në aktivitetin e sotëm tregon jo vetëm rëndësinë e temave që do të diskutojmë, por edhe mesazhin e unitetit. 

“Jemi mbledhur sot dhe diskutojmë bashkë, tregojmë se ka unitet në sistemin e drejtësisë. Ne si gjyqtarë dhe prokurorë publikë i shërbejmë popullit dhe shoqërisë, nuk duhet të harrojmë se nuk jemi më të mirë se ata. Në të njëjtën kohë, ne luajmë një rol të rëndësishëm, duhet të shërbejmë si shembull dhe nëse tregojmë unitet, ai do të jetë shembulli më i mirë. Nëse nuk fitojmë besimin e popullit, shumë shpejt do ta marrin politikanët. Gjithmonë duhet t'i tregojmë shoqërisë se ndërtojmë besim dhe veprojmë së bashku”, tha ai.

Nikol Varnes, zëvendës shefe e misionit të Ambasadës Amerikane në Shkup, theksoi se duhet të fokusohemi në zgjidhje, jo në probleme.

“Qytetarët e këtij vendi kanë një opinion shumë të ulët për gjyqësorin në Maqedoninë e Veriut dhe shprehin dëshirën për efikasitet, pavarësi dhe transparencë më të madhe. Ky mosbesim, që organet e drejtësisë punojnë për ta, shkakton apati dhe kërkim të mundësive jashtë vendit. Le të flasim se çfarë ndryshimesh mund të bëjmë, për transparencën, llogaridhënien e gjyqtarëve dhe gjykatave”, tha ajo.

Ajo shtoi se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë partnere të RMV-së në sigurimin e sundimit të ligjit.

"Ne do t'ju ndihmojmë gjithmonë për të mbrojtur drejtësinë dhe shtetin e së drejtës, nëse jeni të etur për t'iu qasur me guxim dhe ndershmëri reformave, gjithmonë do të keni mbështetjen tonë", theksoi Varnes.

Në pjesën e dytë të konferencës së sotme do të mbahen panel diskutime për sigurimin e pavarësisë së gjyqësorit, sfidat aktuale dhe zgjidhjet e mundshme, me temën “Roli i Akademisë së Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë në forcimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe standardeve profesional”, “Roli i Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve Publikë në sigurimin e pavarësisë së gjyqësorit” dhe roli i Shoqatës së Gjyqtarëve dhe Shoqatës së Prokurorëve Publikë në sigurimin e pavarësisë së gjyqësorit.

Në fund të ditës së sotme do të diskutohet për llogaridhënien e gjyqësorit, procedurat disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe alternativat e vetingut në drejtësi.

Në agjendën e nesërme janë diskutimet për rolin e gjyqtarit në mbrojtje të pavarësisë së gjyqësorit dhe shtetit të së drejtës – përvoja e vendeve të tjera.

Akademia për gjyqtarë dhe prokurorë publikë “Pavel Shatev”, në kuadër të bashkëpunimit me Institutin CELLI dhe projektit “Përkrahja e BE-së për sundimin e ligjit në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, sot dhe nesët në Sallën e ceremonive të Gjykatës Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut organizon konferencën me temë “Forcimi i përgjegjësisë gjyqësore, pavarësia dhe besimi publik”.

Në këtë konferencë marrin pjesë gjyqtarë, prokurorë publikë dhe profesionistë të tjerë juridikë nga Republika e Maqedonisë së Veriut, si dhe nga vendet e tjera të BE-së dhe SHBA-së.

Qëllimi i konferencës është t'u përgjigjet sfidave ndaj aftësisë së gjyqësorit në Republikën e Maqedonisë së Veriut për të përmbushur standardet e BE-së dhe për të ndërtuar besimin e opinionit duke u fokusuar në llogaridhënien përmes masave disiplinore, etikës, proceseve të inspektimit dhe garantimit të pavarësisë së gjyqësorit.

Foto: AGJPP

Video: Asllan Vishko

Остани поврзан