Komemoracion me rastin e 82 vjetorit të Holokaustit të hebrenjve të Maqedonisë
- Komuniteti hebre në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Fondi i Holokaustit të Hebrenjve të Maqedonisë, në kuadër të shënimit të 82-vjetorit të Holokaustit të hebrenjve të Maqedonisë, sot në Shkup organizojnë aktivitet qendror përkujtimor me homazhe para Monumentit të 7.144 hebrenjve maqedonas të deportuar në Monopolin e Shkupit.

Shkup, 11 mars 2025 (MIA) - Komuniteti hebre në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Fondi i Holokaustit të Hebrenjve të Maqedonisë, në kuadër të shënimit të 82-vjetorit të Holokaustit të hebrenjve të Maqedonisë, sot në Shkup organizojnë aktivitet qendror përkujtimor me homazhe para Monumentit të 7.144 hebrenjve maqedonas të deportuar në Monopolin e Shkupit.
Organizatorët njoftuan se me këtë rast fjalime do të mbajnë kryetari i komunitetit hebre Pepo Levi, ambasadorja e shtetit të Izraelit Simona Frankel dhe kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski.
Delegacione të shumta, përfaqësues të qeverisë dhe shtetit, si dhe përfaqësues të komunitetit hebre dhe të Fondit të Holokaustit të Hebrenjve të Maqedonisë do të bëjnë homazhe në Tumën e hebrenjve të dëbuar maqedonas dhe në Monumentin e luftëtarëve të rënë të Luftës Nacionalçlirimtare në Varrezat e qytetit Butel.
Programi komemorariv do të mbyllet me një mbrëmje përkujtimore dhe një koncert të korit "Mois Hason".
Komuna e Shtipit dhe Komuniteti Hebre dje, në kuadër të programit përkujtimor, bënë homazhe për 535 hebrenj nga Shtipi, të cilët u vranë në kampin e vdekjes në "Treblinka". Me atë rast u mbajt procesioni i të gjallëve, vendosja e luleve para monumentit të hebrenjve të dëbuar në Shtip dhe vizita në varrezat hebraike. Kryetari i Komunitetit Hebre, Pepo Levi, tha se pas 82 vitesh nga nata e kobshme mes 10 dhe 11 marsit, kujtimet e 535 hebrenjve nga Shtipi të cilët u deportuan dhe u vranë në "Treblinka" janë ende të forta.
"Maqedonia kujton me nderim të madh 7.144 hebrenj të dëbuar nga Manastiri, Shtipi dhe Shkupi. Dje bëmë homazhe për hebrenjtë e Manastirit, sot nderojmë 535 hebrenj nga Shtipi të dëbuar në "Treblinka", nesër do t'u bëjmë homazhe të gjithë hebrenjve të Maqedonisë në një përkujtim të përbashkët në Shkup para Kombinatit të duhanit dhe në Muzeun e Holokaustit", tha Levi.
Më 11 mars të vitit 1943, gjithsej 7,144 hebrenj maqedonas nga Shkupi, Manastiri dhe Shtipi u dëbuan në qendrën e vrasjes Treblinka në Poloninë e pushtuar ose 98 për qind e popullsisë së përgjithshme hebreje të Maqedonisë në atë kohë. sa/
Foto: Komuniteti hebre në RMV