• понеделник, 31 март 2025
Македонски
  • English
  • Shqip
  • Македонски

KE do të investojë 1,3 miliardë euro në inteligjencën artificiale, sigurinë kibernetike dhe aftësitë digjitale në të gjithë Evropën

KE do të investojë 1,3 miliardë euro në inteligjencën artificiale, sigurinë kibernetike dhe aftësitë digjitale në të gjithë Evropën

Bruksel, 28 mars 2025 (MIA) - Komisioni Evropian sot miratoi Programin e Punës për Instrumentin "Evropa digjitale" për periudhën 2025-2027, me të cilin janë parashikuar 1,3 miliardë euro për mbështetjen e teknologjive kyçe që janë me rëndësi strategjike për të ardhmen e Evropës dhe sovranitetin teknologjik të kontinentit, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Brukseli.

Siç njoftoi KE, Programi i Punës fokusohet në aplikimin e inteligjencës artificiale në sektorin e biznesit dhe administratën publike, në forcimin e sigurisë kibernetike dhe për rritjen e aftësive digjitale.

Pritet që gjatë muajit të ardhshëm KE të fillojë me shpalljen e konkurseve për përdorimin e fondeve nga Programi për projekte specifike. Të drejtë të marrin pjesë në konkurse do të kenë kompani, administrata publike dhe subjekte të tjera nga vendet anëtare të BE-së dhe EFTA-s, si dhe nga vendet e treta të mbuluara me "Evropa Digjitale", mes të cilave është edhe Maqedoninë e Veriut.

Prioritetet kryesore të Programit të Punës synojnë përmirësimin e disponueshmërisë së aplikacioneve gjeneruese të intelegjencës artificiale, përfshirë në sektorin e shëndetësisë, si dhe mbështetjen e Qendrave Evropiane për inovacione digjitale, të cilat do t'u ofrojnë kompanive dhe sektorit publik qasje në ekspertizën teknike dhe testimin, këshilla, trajnime dhe aftësi për të adoptuar teknologjitë më të fundit.

Gjithashtu, parashikohet një përmirësim i nismës "Destinacioni Tokë", që synon zhvillimin e një modeli digjital të Tokës për të mbështetur përshtatjen klimatike dhe menaxhimin me rreziqet nga fatkeqësitë, më pas forcimin e sigurisë kibernetike, kryesisht të infrastrukturës kritike, zgjerimin e kapaciteteve për edukim dhe trajnim në aftësitë digjitale, miratimin e rregulloreve për "portofolin e identitetit digjital", si dhe stimulimin e transformimit të sektorit publik nëpërmjet zhvillimit të shërbimeve publike digjitale efikase, me cilësi të lartë dhe të ndërveprueshme.

Programi i punës parashikon gjithashtu nxitjen e inovacioneve për zhvillimin e teknologjive strategjike, përmes përmirësimit të mundësive për qasje në financimin publik dhe privat.

“Evropa Digjitale” ka për qëllim të financojë projekte që synojnë afrimin e teknologjisë digjitale me bizneset dhe qytetarët. Me buxhetin e saj prej 8.1 miliardë eurosh për periudhën 2021-2027, Evropa Digjitale bazohet në financimin përmes iniciativave të tjera të BE-së, si "Horizont Evropë", "BE për Shëndetësinë", "InvestBE", "Lidhja e Evropës" ose Mekanizmi për rinovim dhe rezistencë. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

Остани поврзан