• петок, 05 декември 2025

KB: Sulmet e kolonëve hebrenj ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor në tetor arritën një numër rekord

KB: Sulmet e kolonëve hebrenj ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor në tetor arritën një numër rekord

Gjenevë, 8 nëntor 2025 (MIA) - Kolonët hebrenj kryen të paktën 264 sulme ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor gjatë tetorit, një numër rekord sulmesh në një muaj të vetëm që kur KB filloi të mbante statistika mbi këtë tregues në vitin 2006.

Në kumtesën e Zyrës së KB-së për koordinimin e çështjeve humanitare (OCHA), duke paralajmëruar për një rritje të ndjeshme të dhunës, citohet se sulmet që rezultuan në lëndime dhe dëmtime të pronës kishin arritur një mesatare prej tetë në ditë.

"Që nga viti 2006, OCHA ka regjistruar mbi 9,600 sulme të tilla. Rreth 1,500 prej tyre kanë ndodhur këtë vit, duke përfaqësuar afërsisht 15 përqind të të gjitha sulmeve deri më tani", thuhet në raport.

I populluar me mbi 2,7 milion palestinezë, Bregu Perëndimor me vite është në qendër të planeve për shtetin e ardhshëm palestinez, që do të ekzistonte bashkë me Izraelin. Por një sërë qeverish izraelite kanë zgjeruar gradualisht praninë e kolonëve hebrenj atje, duke përçarë popullsinë palestineze.

KB-ja, palestinezët dhe shumica e shteteve i konsiderojnë vendbanimet hebraike të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar, ndërsa Izraeli e kundërshton këtë. Më shumë se gjysmë milion kolonë hebrenj jetojnë në Bregun Perëndimor.

Sipas të dhënave të konfirmuara të OCHA-s deri të mërkurën, 42 fëmijë palestinezë janë vrarë nga forcat izraelite në Bregun Perëndimor që nga fillimi i vitit.

"Kjo do të thotë se një në çdo pesë palestinezë të vrarë nga forcat izraelite në vitin 2025 ishte fëmijë", njoftoi KB-ja.

Sulmet në Bregun Perëndimor vazhdojnë pavarësisht një armëpushimi të ndërmjetësuar nga SHBA në Rripin e Gazës muajin e kaluar, pas të cilit luftimet u ndalën kryesisht dhe pengjet e mbetura izraelite u liruan nga grupi palestinez Hamas. sa/

Остани поврзан