• четврток, 25 декември 2025

Kaos në parlamentin shqiptar, deputetët e opozitës bllokuan seancën

Kaos në parlamentin shqiptar, deputetët e opozitës bllokuan seancën

Tiranë, 18 dhjetor 2025 (MIA) - Kaos të vërtetë shkaktuan deputetët e opozitës në seancën e sotme plenare në parlamentin shqiptar, madje para se ajo të fillonte, për shkak të së cilës kryetari Niko Peleshi u detyrua ta ndërpriste seancën, e cila më pas vazhdoi në një atmosferë shumë të tensionuar.  

Deputetët e opozitës fillimisht u përpoqën me forcë të ulen në vendet e ministrave, duke u përplasur me sigurimin, por një pjesë e tyre megjithatë i zunë vendet e përfaqësuesve të kabinetit qeveritar. Të tjerët, e bllokuan foltoren e parlamentit, duke hedhur letra ndaj Peleshit, shishe uji dhe objekte të tjera, ndërsa në sallë hodhën edhe bomba tymi. 

Pas ndërprerjes së shkurtër, në një atmosferë të tensionuar vazhdoi seanca, ku deputetët e shumicës qeverisëse miratuan rendin e ditës dhe disa projekte ligjesh pa diskutim. Në një atmosferë të tillë dha betimin edhe Avokati i Popullit, Endri Shabani, i cili ishte zgjedhur në seancën e mëparshme vetëm me votat e shumicës.

Opozita është kundër zgjedhjes së tij, dhe gjithashtu kërkon nga deputetët e shumicës qeverisëse që t’i heqin imunitetin deputetes dhe zv/kryeministres Belinda Baluku, gjë që SPAK e ka kërkuar nga parlamenti, me qëllim arrestimin e saj nën akuzë për korrupsion.

Pas seancës, koordinatori i grupit parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Bala, deklaroi se opozita, për shkak të interesit minimal të qytetarëve për të marrë pjesë në protestat para qeverisë, ka zhvendosur dhunën në organin legjislativ.

Lideri i demokratëve dhe deputeti, Sali Berisha, deklaroi se "Beteja e opozitës është për ligjin, Kushtetutën dhe sundimin e ligjit. Motoja e tyre është vjedh dhe ik". Ai i bëri thirrje qytetarëve për pjesëmarrje masive në protestën kombëtare më 22 dhjetor, duke kujtuar se këto protesta do të vazhdojnë deri në "rrëzimin e qeverisë narkotike dhe zgjedhjen e një qeverie teknike". qa/

Foto: Parlament/ Partia Demokratike

Остани поврзан