• недела, 11 јануари 2026

Kallëzime penale ndaj katër personave për aksidentin e djeshëm rrugor, vijon kërkimi për shoferin 18-vjeçar dhe babanë e tij

Kallëzime penale ndaj katër personave për aksidentin e djeshëm rrugor, vijon kërkimi për shoferin 18-vjeçar dhe babanë e tij

Shkup, 10 janar 2026 (MIA) - SPB Shkup ngriti kallëzim penal ndaj katër personave në lidhje me aksidentin e djeshëm rrugor në rrugën "Fronti Popullor" në Shkup rreth orës 11:30, në të cilin jetën e humbi një grua 79-vjeçare. 

Siç bëjnë të ditur nga MPB, një automjet udhëtarësh "folksvagen pasat" me targa të Shkupit, i drejtuar nga S.S. (18) nga Shkupi, goditi këmbësoren L.J. (79) nga Shkupi, e cila ndërroi jetë nga lëndimet e pësuara, ndërsa shoferi me automjetin iku nga vendngjarja.

Menjëherë pas pranimit të informacionit për rastin në fjalë, nëpunësit policorë ndërmorën masa dhe veprime për gjetjen e shoferit dhe automjetit. Përmes kamerave të "Qyteti i Sigurt" dhe verifikimeve të mëtejshme të kamerave të objekteve përreth, si dhe deklaratave të dëshmitarëve, është konstatuar se bëhej fjalë për një automjet udhëtarësh "folksvagen pasat" me targa të Shkupit, pronë e B.S. (45) nga Shkupi, i drejtuar nga djali i tij S.S. (18).   Automjeti u gjet para shtëpisë së pronarit, ndërsa aty është hasur S.S. (69), i cili u dërgua në stacion policor dhe u zhvillua një bisedë zyrtare me të. 

Gjatë hetimit është konfirmuar se shoferi S.S. (18) dhe babai i tij B.S. (45), me ndihmën e Sh.P. (45) dhe A.J. (53) nga Shkupi, u larguan nga shteti gjatë ditës së djeshme. Sh.P. dhe A.J. janë privuar nga liria dhe ndaj tyre është ngritur kallëzim penal në PTHP Shkup në Shkup për veprën e kryer penale "ndihma e dhënë kryerësit në veprën e kryer penale" sipas nenit 365, paragrafi 2, në lidhje me nenin 300 dhe 301 të Kodit Penal.

Kundër shoferit S.S. (18) është ngritur kallëzim penal për "krime të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion" sipas nenit 300, paragrafi 2, në lidhje me nenin 297, paragrafi 1 të Kodit Penal dhe për "mosdhënie e ndihmës personit të lënduar në aksident rrugor" sipas nenit 301, paragrafi 2, në lidhje me nenin 300, paragrafi 2 i Kodit Penal, dhe po merren masa për gjetjen e tij dhe gjetjen e B.S., për të cilët është lëshuar urdhër arrestimi. 

U gjetën automjeti "folksvagen pasat" me të cilin është goditur gruaja dhe automjeti "mercedes" me të cilin S.S. dhe B.S. janë larguar nga shteti dhe të dy automjetet janë sekuestruar në stacion policor dhe është njoftuar prokurori publik për procedim të mëtejshëm. fc/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

 

 

Остани поврзан