• среда, 29 јануари 2025

Kallas: Çdo administratë amerikane ka stilin e vet, duhet të përshtatemi me këtë

Kallas: Çdo administratë amerikane ka stilin e vet, duhet të përshtatemi me këtë

Bruksel, 27 janar 2025 (MIA) – Bashkimi Evropian është gjithmonë i gatshëm të bashkëpunojë me çdo administratë amerikane dhe pres bashkëpunim shumë të mirë me autoritetet e reja në SHBA, deklaroi sot Përfaqësuesja e lartë e BE-së për punë të jashtme dhe politikë të sigurisë, Kaja Kallas.

"Kuptohet, stili i administratave të ndryshme është i ndryshëm dhe ne duhet të përshtatim metodat tona të punës në përputhje me rrethanat", ka thënë Kallas pas arritjes në takimin e Këshillit të punëve të jashtme të BE-së në Bruksel.

Kallas tha se pret që ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të BE-së në takimin e sotëm të miratojnë një udhërrëfyes për lehtësimin e sanksioneve ndaj Sirisë, duke shtuar se Unioni po aplikon ndaj këtij vendi një qasje “hap pas hapi”.

“Nëse shohim se ata po ndërmarrin hapa në drejtimin e duhur, atëherë edhe ne jemi të gatshëm të ndërmarrim hapat e duhur nga ana jonë”, ka thënë Përfaqësuesja e lartë e BE-së.

Kallas ka shtuar se në lidhje me Sirinë, BE-ja po punon ngushtë me aktorët rajonal dhe ndërkombëtar, është e gatshme të hapë përfaqësinë e saj në Damask dhe po monitoron nga afër se çfarë po ndodh, duke ju lënë hapësirë ​​autoriteteve të reja të ndërmarrin hapat e duhur.

“E ardhmja e Sirisë është e brishtë, por ne duhet të kemi shpresë”, shton Kallas.

Ajo vlerësoi gjithashtu se marrëveshja për armëpushim në Gazë është hapi i parë drejt një paqeje të qëndrueshme, qëllim drejt së cilës BE-ja punon me përkushtim duke ndihmuar palestinezët në Gazë. Kallas njoftoi se BE-ja është e gatshme të rivendosë misionin e saj në pikën kufitare Rafah për të mundësuar rrjedhën më të qetë të ndihmës humanitare në Gazë.

"Gaza dhe populli i Gazës kanë vuajtur shumë. Unë mendoj se palestinezët dhe izraelitët meritojnë paqen dhe kjo është arsyeja pse ne duhet të kalojmë nga një armëpushim në paqe të qëndrueshme. Prandaj Evropa është një mbështetëse e madhe e zgjidhjes me dy shtete. E mbështesim të drejtën e Izraelit për siguri, por edhe të drejtat e palestinezëve”, ka thënë Kallas.

Ajo ka thënë se Evropa është mbështetësi më i madh i Gazës me ndihmë humanitare, por edhe të UNRVA-s dhe se do të vazhdojë të mbështesë njerëzit.

Kallas tha se në takimin e sotëm do të bisedohet edhe për ngjarjet në Ukrainë, duke shtuar se BE mund të ushtrojë presion të madh ndaj Rusisë për t’i dhënë fund luftës. Sipas saj është mirë që edhe presidenti amerikan Donald Tramp "ushtroi presion" ndaj Rusisë me porosinë se në duart e tyre është vendimi për ndërprerjen e konfliktit.

Shefja e diplomacisë evropiane theksoi gjithashtu se është e nevojshme të ngritet vetëdija për kërcënimet dhe aktivitetet hibride që ndodhin në të gjithë Evropën, ndaj BE-ja duhet të shohë se çfarë mund të bëjë më shumë për t'i shmangur ato.

Foto: skrinshot

Тагови

Остани поврзан