Kalas: Debatet për forcat paqesore në Ukrainë paraqesin rrezik për rënien në "kurthin rus"
- Debatet mbarë Evropën për vendosjen e mundshme të forcave paqeruajtëse në Ukrainë paraqesin rrezik për të rënë në "kurthin rus", sepse diskutimet për një mision paqeruajtës janë të parakohshme në kushte kur "rusët nuk dëshirojnë paqe dhe nuk ka paqe", porositi pëfaqësuesja e lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kalas.

Bruksel, 19 shkurt 2025 (MIA) - Debatet mbarë Evropën për vendosjen e mundshme të forcave paqeruajtëse në Ukrainë paraqesin rrezik për të rënë në "kurthin rus", sepse diskutimet për një mision paqeruajtës janë të parakohshme në kushte kur "rusët nuk dëshirojnë paqe dhe nuk ka paqe", porositi pëfaqësuesja e lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kalas.
"Nëse flasim për paqeruajtës, atëherë hyjmë në grackën ruse, sepse ata nuk duan paqe dhe nuk ka paqe. Nëse i lexoni komentet e rusëve, ata ishin mjaft të lumtur. Ata tashmë morën gjithçka. Së pari, duhet të bëjmë presion mbi (presidentin rus Vlladimir) Putin për të ecur drejt arritjes së paqes", deklaroi Kalas në intervistë për portalin "Euroaktiv" nga Brukseli, lidhur me debatet të cilat u intensifikuan në BE pas takimit të liderëve në Paris të hënën për dërgimin e paqeruajtësve evropianë në Ukrainë.
Sipas saj, në kushtet e aktuale fokusi i BE-së duhet të jetë në përforcimin e pozitës së Ukrainës, sepse sa më e fuqishme të jetë ajo në fushën e betejës, aq më e fortë do të jetë në tryezën e bisedimeve dhe aq më e aftë do të jetë për të thënë "jo" për një marrëveshje të keqe.
Lidhur me bisedimet e djeshme të përfaqësuesve amerikanë dhe rusë në Riad, Kalas vlerëson se amerikanët mund të takohen me kë duan, por për të pasur sukses një marrëveshje paqësore lidhur me Ukrainën, në bisedimet duhet të përfshihen edhe evropianët dhe ukrainasit.
"Nëse arrihet ndonjë marrëveshje me të cilën nuk pajtohemi, atëherë ajo do të bie, pasi nuk do të zbatohet", thekson Kalas.
Kur bëhet fjalë për " linjat e kuqe" në bisedime, Kalas tha se është me rëndësi të mos pranohen të gjitha kërkesat kryesore të Rusisë, pasi në të kundërtën, agresioni rus "vërtetë do të shpaguhet" pasi që rusët jo vetëm se kanë okupuar territor të caktuar, por mbi këtë, atyre u jepen edhe premtime nga ana tjetër.
"Mendoj se kjo nuk është taktikë e mirë për bisedime, as e fuqishme. Ne, nga ana jonë, kemi vendosur kushte që duhet të realizohen. Së pari, vërtetë duhet të bëjmë presion ndaj Rusisë. Ky është elementi i parë. Për momentin, nëse i shihni fotografitë nga Arabia Saudite, rusët janë fitues. Qëndrimi i tyre është: "Tani të gjithë vijnë tek ne edhe na ofrojnë çka të duam". Të mos biem në grackat ruse", deklaroi Kalas.
Në pyetjen nëse BE-ja mori garancion nga SHBA-ja se bisedimet paqësore me Rusinë nuk do të çojnë deri "në ristruktuimin më të gjerë të arkitekturës së sigurisë së Evropës”, Kalas thotë se në takimet me përfaqësuesit amerikanë, kanë marrë mesazhe të ndryshme, madje edhe nga të njëjtët njerëz në takime të ndryshme.
"Çështja, natyrisht, është se si të kuptohet e tërë kjo. Ato që na e thonë në takime është se për diçka të tillë nuk do dakordohen. Ka shumë bashkënegociatorë nga pala amerikane dhe duhet të përshtatemi me mënyrën e punës me Administratën e re për të kuptuar të gjitha mesazhet. Amerikanët në çdo takim na siguruan se ishin të përkushtuar ndaj Evropës dhe punojnë së bashku me ne. Se ata janë të përkushtuar ndaj NATO-s dhe i kuptojnë shqetësimet e sigurisë së Evropës", shton Kalas në intervistë.
Ajo thotë se tashmë po shfaqen ide për të "paketuar gjërat" dhe për t'u kthyer në gjendjen si të jetë normale, por të gjithë duhet të kuptojnë se çdo marrëveshje e keqe vetëm do t'i mundësojë Rusisë të rigrupohet dhe të sulmojë përsëri.
"Nëse bëjmë një paralele me historinë, atëherë jemi në situatën e vitit 1938. Dallimi është se, ndryshe nga Çekosllovakia e atëhershme, Ukraina tani ka vendosur të luftojë. Kërkesa e vetme nga ne është të rishpërndajmë resurset tona dhe t'i ndihmojmë ata të mbrojnë veten në mënyrë që të mos ketë Luftë Botërore. Nuk e di si ta përcjell këtë tek opinioni në shtete të ndryshme anëtare", theksoi Kalas. qa/bsh/
Foto: EPA